Globus

Kanada, sulm me gërshërë ndaj një vajze muslimane

Një vajzë muslimane në qytetin Toronto të Kanadasë, u sulmua nga një person me gërshërë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sulmuesi i cili iu afrua 11 vjeçares Khawlah Noman që ishte duke shkuar në shkollë, u mundua që t’ia presë shaminë me gërshërë. Ngjarja u zbulua pasi që familja e vajzës njoftoi rastin në polici.

“U ndjeva me të vërtetë e frikësuar dhe hutuar”, tha Khawlah Noman në një deklaratë për gazetarët. Ajo tregoi se ditën e premte gjatë ecjes së saj bashkë me vëllain Mohammed Zakariyya në shkollë, ka ndjerë që një person i është afruar dhe kur e ka kthyer kokën e ka parë një person me gërshërë në dorë.

“Pasi që bërtita ai u largua, por pas disa minutash erdhi përsëri. Vazhdoi të presë shaminë time”, tha Khawlah duke treguar se sulmuesi është munduar që dy herë ta presë shaminë e saj.

Khawlah më tej theksoi se për atë është e tmerrshme ideja për të shkuar në shkollë në këmbë dhe duke i bërë thirrje sulmuesit tha se “Atë që u munduat ta bëni me të vërtetë është gabim. Nuk duhet të trajtohet veçanërisht një fëmijë në këtë mënyrë”.

– Kryeministri Trudeau: “Kanadaja nuk është kjo”

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, në deklaratën e tij pas incidentit tha se “Zemra ime është me këtë vajzë të re e cila u sulmua për shkak të fesë së saj. Mund të imagjinoj se sa është frikësuar ajo. Dua që ajo, familja e saj, shokët dhe komuniteti musliman të dijë se Kanadaja nuk është kjo”.

Ndërsa kryeministrja e Ontarios, Katheleen Wynne dhe kryebashkiaku i Toronto-s, John Tory dënuan sulmin me anë të një njoftimi.

Ndërkohë mësohet se policia e Toronto-s ka filluar një hetim për incidentin dhe se vazhdojnë punimet për kapjen e sulmuesit.