Globus

Kalın: Paqja dhe stabiliteti i Iranit, e rëndësishme për Turqinë

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, sot në Ankara deklaroi se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i Iranit janë të një rëndësie të madhe për Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Duhet të përsëris se nuk do të pranojmë përpjekjet për të destabilizuar Iranin, përpjekjet për prishjen e paqes dhe mirëqenies së shoqërisë iraniane, të cilat po bëhen përmes deklaratave nga disa pjesë të botës ose përmes rrjeteve sociale”, tha Kalın.

Kalın komentoi edhe deklaratat e presidentit francez, Emanuel Macron, rreth lirive të medias në Turqi duke theksuar se fakti që personi është gazetar, nuk do të thotë patjetër se personi është i pafajshëm, konkretisht se nuk është në gjendje të kryejë vepër penale.

“Presidenti Macron gjatë takimit me gazetarët foli mbi lirinë e mediave në Turqi. Konsiderojmë se bëhet fjalë për një vlerësim që bazohet në mosinformim. Temat që kanë të bëjnë me gjyqësorin në Turqi janë në kompetencë të gjyqësorit. Fakti se një person është gazetar ose ushtron ndonjë detyrë tjetër, nuk do të thotë se personi në fjalë është i pafajshëm dhe se nuk është në gjendje të kryejë vepër penale”, tha Kalın.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, në lidhje me vendimin e Gjykatës në New York ndaj kreut të Halkbank, Hakan Atilla, ka thënë se ky është një vendim skandaloz në një proces skandaloz.

“Ky është një vendim skandaloz në një proces skandaloz. Nuk ka kurrfarë shpjegimi tjetër. Sigurisht që është shumë e qartë se ky ishte një komplot që kishte për qëllim ndërhyrjen në punët dhe politikën e brendshme të Turqisë. Në emër të ligjit, po zbatohet një skenar i turpshëm”, ka thënë Kalın.

Ndërsa në lidhje me sistemin raketor S-400 të cilin Turqia do ta blejë nga Rusia, Kalın deklaroi se do të mbahen kurse të përbashkëta edukative në lidhje me përdorimin e sistemit në fjalë.

“Ushtarët dhe teknikët tanë do të shkojnë në Rusi, teknikët e tyre do të vijnë në Turqi, kjo është pjesë e të gjithë procesit. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për vendosjen e ushtarëve rus në Turqi”, sqaroi Kalın.

Ai hodhi poshtë pretendimet për ndryshime në përbërjen e Qeverisë Turke, duke u shprehur se, “Ndryshimet në kabinetin qeveritarë nuk janë në rend dite”.