Globus

Kalın: Ka me mijëra kurdë që nuk e pranojnë ideologjinë e PYD/PKK-së

307views

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, ka thënë se ka shumë kurdë që nuk e pranojnë ideologjinë marksiste-leniniste të organizatës terroriste PYD/PKK, duke e quajtur si ironi faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë zgjedhur si aleat një organizatë marksiste-leniniste në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë me Christiane Amanpour në CNN International në lidhje me Operacionin Dega e Ullirit në Afrin të Sirisë, Kalın tha se Turqia prej një kohë të gjatë ka shprehur shqetësimet për mbështetjen e SHBA-ve ndaj PYD/YPG-së në Siri në emër të luftës kundër organizatës terroriste DEASH.

“Ne nuk morëm asnjë rezultat apo përgjigje të kënaqshme as nga SHBA-të e as nga shtetet e rajonit. Qëllimi i hapit tonë ishte garantimi i sigurisë kombëtare përgjatë kufijve tanë”, tha Kalın.

Kalın rikujtoi se PYD/YPG ka ndërmarrë afër 700 sulme nga rajoni i Afrinit.

“Ishte e nevojshme që ne të ndërmarrim hap për t’i mbrojtur kufijt tanë. Për më tepër, siç e dini, PYD dhe YPG përbëjnë krahun e PKK-së në Siri. PKK pranohet si organizatë terroriste edhe në Evropë, edhe në SHBA. Ne nuk mund të tolerojmë krijimin e një strukture kuazi-shtetërore ose autonomike pranë kufirit tanë nga ana e një organizate terroriste të tillë”, shtoi Kalın.

I pyetur nëse Turqia ka marrë ndonjë hap për të mos hyrë në konflikt të afërt me SHBA-të, zëdhënësi presidencial u përgjigj:

“Fillimisht, amerikanët nuk ndodhen në rajonin e Afrinit. Ata gjenden në rajonin e Munbixhit, që gjendet në lindje të Lumit Eufrat. Këtu po flasim për pjesën perëndimore të Sirisë. Për më tepër, ne i kemi informuar aleatët tanë në lidhje me operacionin. I kemi informuar edhe anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Kalın po ashtu theksoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë rus Vladimir Putin, duke shtuar se pritet bisedë edhe me presidentin amerikan Donald Trump.

“Këto kontakte diplomatike i realizojmë me qëllim që secili të kuptojë së çfarë jemi duke bërë. Domethënë, ne po e zhvillojmë këtë proces në mënyrë transparente, sepse këtu bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare”, u shpreh Kalın.

Ai riafirmoi qëndrimin e mëparshëm të krerëve shtetërorë turq dhe ushtrisë turke, të cilët kanë deklaruar se operacioni në Afrin nuk synon populatën kurde, por, siç tha ai, rrjetin terrorist i cili pretendon se përfaqëson kurdët.

“Këto pretendime nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin. Ka me mijëra kurdë që nuk e pranojnë ideologjinë marksiste-leniniste të PKK/PYD-së. Gjithsesi, ne këtu po shohim një nga ironitë më të mëdha të historisë moderne. SHBA-të kanë zgjedhur si aleat në Siri një organizatë marksiste-leniniste”, tha Kalın.

“SHBA-të të mbledhin të gjitha armët që ia ka dhënë PYD/YPG-së”

Ai shprehu nevojën që SHBA-të të mbledhin të gjitha armët e ofruara për PYD/YPG-në në dy vitet e fundit, duke shtuar se SHBA-të kishin dhënë fjalën se do t’i ndalonin ndihmat sapo të mposhtet DEASH-i.

“Tani DEASH-i është larguar. Megjithatë, ndihmat ushtarake, armët dhe municionet vazhdojnë të shkojnë te këto grupe. Pyetja që duhet parashtruar është se pse ende i mbështesni ata? Kërcënimi nga DEASH-i nuk ekziston më. Nga e dini se këto armë nuk do t’i përdoren kundër nesh ose arabëve, turkmenëve dhe sirianëve të tjerë?”, shtoi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

“Do të vazhdojmë të punojmë me Rusinë në Siri”

Në lidhje me komentet se Rusia ka dalur fitimtare nga problemet mes SHBA-ve dhe Turqisë, Kalın u shpreh: “Në pamje, ju mund të mendoni se Rusia do të dëshirojë të manipulojë këtë gjendje, por ne nuk kemi qenë dëshmitarë se Rusia ka bërë një gjë të tillë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Rusinë në Siri”.

Duke theksuar se Turqia është aleat i NATO-s, Kalın tha se aleatët e NATO-s, me në krye SHBA-të, duhet t’i japin fund mbështetjes ndaj kësaj organizate e cila ka shënjestruar Turqinë për afër 30 vite.

I pyetur në lidhje me mendimet e presidentit Erdoğan për homologun amerikan Trump, Kalın vuri në dukje se ata kanë marrëdhënie të mira.

“Ata disa herë kanë biseduar përmes telefonit dhe janë takuar. Ne kemi disa pika kritike që duhet t’i zgjidhim në nivel liderësh. Marrëdhëniet Turqi-SHBA janë të rëndësishme, aq sa nuk do të mund të dëmtohen nga ana e grupeve si PKK/PYD”, tha zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalın.