Islamisitikë

Kalifi Memun dhe lypësi

305views

Kalifi Memun, në kohën e tij kishte një kalë race tepër të rrallë. Një nga krerët e fiseve arabe i shprehu dëshirën për t’ia blerë kalin, por Kalifi refuzoi. Kreu i fisit u orvat t’ia marrë me lloj-lloj marifetesh, por sërish nuk ia arriti.

Ai kalë i ishte tiposur për ta shtënë në dorë, por fakti që i përkiste Kalifit të madh, ishte një pengesë e konsiderueshme. Kreu i fisit dëgjoi nga disa punonjës të Kalifit, se ky i fundit dilte shpesh herë për shëtitje në pyllin pranë, sigurisht me kalin e tij të dashur.

Kështu, një ditë, teksa Kalifi ishte harruar krejt pas shëtitjes, papritur i shfaqet përballë një burrë i shtrirë sa gjerë gjatë në rrugë. Ai dukej si një lypës i sëmurë, i pamundur të qëndrojnë në këmbë. Kalifit i erdhi keq për gjendjen e tij dhe menjëherë zbriti nga kali që ti vijë në ndihmë. Pasi iu afrua, Kalifi i kërkoi të hipë në kalë që ta çojë sa më shpejt për të marrë kujdesin mjekësor. Madje, ai e ndihmoi derisa i sëmuri hipi në kalë. Me tu vendosur mbi kalë, lypësi përplasi këmbët për kali, i cili ia dha vrapit. Kalifi Memun iu vu pas me vrap, duke i kërkuar të qëndrojë për një çast. Pasi lypësi ishte larguar një farë distance, qëndroi dhe u kthye nga Kalifi, i cili i tha:”Pash Zotin, meqë më more kalin më bëj një nder!”

Lypësi e pyeti:”E çfarë nderi kërkon?”

Kalifi i tha:”Mos i trego askujt se më more kalin!”

Lypësi i tha:”Përse? Apo ke frikë se do të tallen me ty?”

Kalifi iu përgjigj:”Jo, por kam frikë se do të vijë një ditë kur të mos zbresë kush nga kali, edhe pse i shtriri është me të vërtetë i sëmurë.”

Morali:

Shpesh herë, lajmet e këqija që dëgjojmë lart e poshtë, ndikojnë në humbjen e besueshmërisë dhe vlerave më të mira morale tek njerëzit. Ato krijojnë një ndjenjë pasigurie dhe mosbesimi në publik.