Hutbe

Jusufi a.s. si paradigmë për të gjithë politikanët

968views

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të nderuar vëllezër besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është: Jusufi (a.s.) si paradigmë për të gjithë politikanët

Jusufi (a.s.), i biri i Jakubit (a.s.), nipi i Ishakut (a.s.), stërnipi i Ibrahimit (a.s.), është pejgamberi për të cilin flet një sure e plotë kuranore, e emëruar sipas tij, surja Jusuf. Për njohësit më të mirë të historisë së pejgamberëve të mëparshëm të Allahut, është e njohur se Jusufi (a.s.), në bazë të disa rrethanave (me caktimin e Zotit) nga Palestina arriti në Egjipt, ku më vonë i solli edhe prindërit dhe vëllezërit e tij.

Pas një serie intrigash, Jusufi (a.s.) arriti në burg ku qëndroi me dy të rinj. Një natë, ata të dy panë ëndrra. Duke parë se Jusufi (a.s.) ishte i devotshëm, ata ia treguan ëndrrat, duke e lutur që, nëse dinte interpretimin e ëndrrave, t’ua interpretonte. Kurani për këtë thotë:

“Me të hynë në burg dhe dy djelmosha. Njeri prej tyre tha: “Unë kam parë (në ëndërr) veten se si shtrydhja verë.” E tjetri tha: “Unë kam parë (në ëndërr) veten, se si bartja bukë në kokë, të cilën e hanin shpendët. Shpjegona (o Jusuf) komentimin e tyre. Na, me të vërtetë, shohim se ti je prej njerëzve bamirës.” (Jusuf, 36)

… “O shokët e mi të burgut! Njëri prej ju dyve do ta qerasë me verë pronarin (zotëriun) e vet, e sa i përket tjetrit, ai do të varet, e shpendët do të hanë prej kokës së tij. Kështu është caktuar kjo gjë, për të cilën pyetët ju!” (Jusuf, 41)

Dhe ndodhi ajo të cilën ua interpretoi Jusufi (a.s.).

Pas disa vjet të kaluara në burg, sundimtari egjiptian e pa një ëndërr. Kurani në lidhje me të thotë: (Dhe tha mbreti): “Kam parë (në ëndërr) se si 7 lopë të majme i hanin ato 7 të liga, dhe kam parë (në ëndërr) 7 kallinj të gjelbër, 7 të tjerë të tharë. O paria ime, më shpjegoni ëndrrën time, nëse dini komentimin e ëndrrave!” Ata thanë: “Këto janë ëndrra të ngatërruara, e nuk dimë t’i shpjegojmë ëndrrat (e tilla)”. (Jusuf, 43-44)

Mirëpo, ai të cilit Jusufi ia interpretoi ëndrrën se zotërisë tij do t’i shërbejë me verë kur dëgjoi se sundimtari po kërkonte dikën t’ia interpretoj ëndrrën, i ra në mend Jusufi (a.s.) dhe e pyeti në lidhje me të. Jusufi (a.s.) ia interpretoi ëndrrën duke i thënë:

“Do të mbillni shtatë vjet rresht, e atë që do ta korrni, lënie në kallinj, përveç një pakice që do ta hani. – Sepse pastaj do të vijnë shtatë vjet të thata, të cilat do t’i hanë ato që i keni ruajtur ju, përveç një pakice që e keni ruajtur (për farë).” (Jusuf, 47-48)

Kur sunduesi dëgjoi interpretimin e ëndrrës së tij, i urdhëroi rojet t’ia sillnin Jusufin (a.s.). Jusufi (a.s.) nuk deshi të dilte nga burgu derisa të zbardhej e vërteta rreth tij. Pasi u lirua nga të gjitha akuzat, Jusufi (a.s.) doli nga burgu dhe i tha sundimtarit: “Më cakto ta udhëheq thesarin e vendit. Unë, me të vërtetë, jam ruajtës dhe i dijshëm.” (Jusuf, 55)

Dhe sundimtari e emëroi në atë pozicion të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm në shtet.

Jusufi (a.s.) ka jetuar para 3500 vjetëve ashtu që ju mund të pyetni, pse është e rëndësishme historia e tij, dhe çfarë lidhje ka ajo me situatën në vendin tonë, në shek. 21?

Shikoni! Kurani nuk është libër historik dhe nuk është qëllimi i tij të na njoftojë neve me faktet historike që lidhen me jetën e Jusufit (a.s.). Kur’ani është shpallur me qëllim të përkryerjes morale dhe etike të individit dhe shoqërisë. Për këtë qëllim, Allahu i Plotfuqishëm, shpesh na mëson, nëpërmjet tregimit të tregimeve të ndryshme, se çfarë do të duhej të jemi ne dhe si duhet të sillemi në një situatë të caktuar.

Në kohën e krizës së rëndë ekonomike, Jusufi (a.s.) kërkoi që sunduesi ta vendoste në një pozitë të rëndësishme politike në shtet dhe ajo iu dha. Duke ditur se çka do të ndodhte, ai bëri gjithçka që krizën ekonomike, e cila ishte e paralajmëruar ta priste sa më i përgatitur. Ai i mbushi depot, dhe, kur erdhi kriza, ai kishte ushqim të mjaftueshëm jo vetëm për popullin e Egjiptit, por edhe për njerëzit nga vendet e tjera fqinje. Kështu, gjatë viteve të urisë, në Egjipt për ushqim erdhën edhe vëllezërit e tij nga Palestina.

Mirëpo, Jusufi (a.s.) gjatë gjithë kohës së krizës ekonomike agjëroi dhe nga depo mori vetëm aq sa i duhej për të jetuar. Ai veproi kështu, sepse donte ta ndjente urinë në mënyrë që ta kuptojë pozicionin e atyre që nuk kishin dhe të cilët kërkonin prej tij. Kurani Jusufin (a.s.) e paraqet si një paradigmë për të gjithë politikanët dhe sundimtarët, sesi do të duhej të sillen në situata të krizës së rëndë ekonomike.

Tani! Në fushatën e zgjedhjeve të fundit (sikurse në secilën fushatë) politikanët tanë në Parlamentin e Kosovës kërkuan prej nesh (sepse këtu është sundimi i popullit, e nuk është monarki sikurse te Jusufi a.s.) që t’i zgjedhim në pozicione përgjegjëse politike, dhe pastaj ata, si kompensim për këtë, do të bëjnë çdo gjë që të na bëhet më mirë, dhe ne ashtu bëmë dhe i zgjodhëm.

Por çka bënë politikanët tonë të zgjedhur, a e ndoqën shembullin e Jusufit (a.s.)?

Jo, ata e bënë pikërisht të kundërtën. Në vend se të angazhohen për përmirësimin e gjendjes ekonomike, të sigurojnë vende pune, t’i ndihmojnë njerëzit në nevojë, në vend se të kujdesen për familjet e kategorive të luftës, në vend se ta ngrenë pagën minimale, apo t’i përmirësojnë kushtet e shkollimit, etj. – ata vetes ia rriten pagat për 100%, duke i bërë kështu pagat më të larta në rajon, në kohën kur popullata po zhytet gjithnjë e më tepër në varfëri të skajshme pa asnjë perspektivë.

Ku është morali, drejtësia, nderi dhe dinjiteti? Përse politikanët tanë të zgjedhur nuk marrin mësim nga shembulli i pejgamberëve të Zotit?

Jusufi (a.s.) është shembulli i tyre i paarritshëm.

Edhe ne, që i kemi zgjedhur ata në pozita të përgjegjshme dhe të rëndësishme politike, a po e kuptojmë mesazhin e Zotit?

Allahu i Plotfuqishëm sikur dëshiron të na thotë: “Shikoni se si ka vepruar në kohën e krizës ekonomike Pejgamberi të cilin UNË e kam zgjedhur, dhe, shikoni se çka po bëjnë në situatë të ngjashme politikanët që i keni zgjedhur ju?”

Por Ai, i Plotfuqishmi, nuk do të përzihet, dhe do të na lërë neve që t’i zgjidhim problemet. Ai tashmë e ka shpallur në Kuran, ku thotë: “Allahu nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre!” (err-Rra’d, 11)

O Zoti ynë dhurona neve në gratë tona dhe trashëgimtarët tanë burim gëzimi, dhe bëna neve shembull për të devotshmit! (el-Furkan, 74)

O Zoti ynë! Mos na i shmang zemrat tona, pasi që na i ke udhëzuar në rrugën e drejtë, na dhuro mëshirën Tënde; Ti, me të vërtetë je Ai që dhuron shumë! (Alu Imran, 8)

“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve; O Zoti ynë, Ti je, me të vërtetë, i butë dhe mëshirues!” (el-Hashr, 10)

Elvir Duranoviq – preporod.com

Pershtati: Miftar Ajdini