Hutbe

Ju është urdhëruar agjërimi…

378views

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: “JU ËSHTË URDHËRUAR AGJËRIMI”
Allahu i Plotfuqishëm në Kuran urdhëron:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, për t’iu shmangur mëkateve.” (el-Bekare, 183)

Ky ajet i përmban tri çështje shumë të rëndësishme:

1. “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi…”

Të dashur vëllezër, siç po shohim këtu Allahu i plotfuqishëm nuk po thotë: “O njerëz! Ju është urdhëruar agjërimi…” por: “O besimtarë…!” që do të thotë, se çdokush që pretendon se është musliman, duke qenë moshërritur dhe i shëndetshëm, ai është i detyruar të agjërojë.

Pejgamberi (savs) ka thënë: “Islami ngritët mbi pesë (shtylla): në të dëshmuarit se nuk ka të adhuruar më të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Zotit, në kryerjen e namazit, në dhënien e zekatit, në të vizituarit e Qabesë dhe në agjërimin e ramazanit.” (Buhariu dhe Muslimi)

2. “…ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve…”

Duke komentuar mbi këto fjalë të Allahut të Plotfuqishëm, Reshid Rida-ja i përcjell fjalët e Muhamed Abduhu-s i cili ka thënë: “Allahu i Plotfuqishëm nuk i ka specifikuar as nuk i ka emëruar se kush ishin ata që ishin para nesh, përkatësisht, se edhe kujt përveç nesh ia ka urdhëruar agjërimin. Është e njohur përgjithësisht se akti i agjërimit është i njohur për të gjitha fetë, madje edhe për idhujtarinë. Madje edhe egjiptianët e lashtë, në kohën e idhujtarisë, e njihnin institucionin e agjërimit. Prej tyre, ky akt u transferua edhe në Greqinë e lashtë, kështu që këtë dispozitë e kanë mbajtur si të detyrueshme, sidomos në lidhje me gratë. Gjithashtu, romakët janë kujdesur për agjërimin. Idhujtarët e Indisë e praktikojnë agjërimin edhe në ditët e sotme.”

Allahu i Plotfuqishëm ua përcaktoi agjërimin e ramazanit popullit të Musait dhe popullit të Isait, por ata e ndryshuan atë. Pejgamberi (savs) thotë: “Të krishterët ishin të detyruar të agjëronin një muaj. Njëri prej tyre u sëmurë, kështu që ata thanë: ‘Nëse Zoti e shëron, ne do të agjërojmë edhe 10 ditë shtesë.’ Pastaj ndodhi një rast që njëri prej tyre e lëndoi gojën duke ngrënë mish, dhe ata u zotuan se do të agjërojnë edhe 7 ditë. Pas kësaj, u shfaq një sundimtar, i cili lejoi që termini i agjërimit (për shkak të nxehtësisë) të shtyhet për pranverë, por që numri i ditëve të rritet në 50 (pesëdhjetë).”

3. “… për t’iu shmangur mëkateve.”

Thotë Pejgamberi (savs): “Me të vërtetë, veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe çdo personi i takon ajo që e ka pasur për qëllim.” Nga ky rregull nuk bën përjashtim as agjërimi. Dikush mund të mos agjërojë, por pa u privuar nga vlerat e tij, siç janë pleqtë e moshuar ose njerëzit e sëmurë rëndë, nëse ata e kanë kryer atë kur kanë qenë në gjendje. Gjithashtu mund të ndodhë që dikush të agjërojë, por që nga agjërimi të mos ketë asgjë tjetër përveç urisë dhe etjes.

Të dashur vëllezër;

Domethënia dhe urtësia e agjërimit është që të na edukojë në frymën e Islamit.

Domethënia dhe urtësia e agjërimit është që të na bëjë njerëz më të mirë, fqinjë më të mirë, vëllezër më të mirë, djem më të mirë, burra më të mirë …

Nëse një njeri agjëron, por gjithashtu e merr një qese të mbeturinave dhe e hedh në livadhin e afërm ose në lumë, dhe kështu i shkakton dëm edhe vetes edhe të tjerëve;

-nëse një njeri agjëron, por përveç kësaj, me gjuhën dhe dorën e tij e shqetëson fqinjin e vet;

– nëse një njeri agjëron, por nuk flet me gjysmën e mëhallës, duke filluar me vëllezërit e tij, deri te të afërmit e tjerë;

– nëse një njeri agjëron, por prindërit e tij psherëtijnë dhe qajnë për shkak të veprimeve të tij ndaj tyre;

– nëse një njeri agjëron, ndërsa gruan e tij e trajton si shërbëtore apo si poligon për trajnimin e masave shtrënguese;

– atëherë vëllezër të dashur, nga ai agjërim – dhashtë Zoti – nuk ka asgjë tjetër përveç urisë dhe etjes, por përsëri Allahu e di më së miri.

Pejgamberi (savs) thotë: “Kush nuk e lë gënjeshtrën dhe të vepruarit me të, Allahu nuk ka nevojë nga ai person ta lë ushqimin dhe pijen e tij (në ramazan).״

Xhabir b. Abdullahu ka thënë: “Kur agjëron, le të agjërojë dëgjimi yt, shikimi dhe gjuha nga gënjeshtra dhe të ndaluarat. Mos e shqetësoni fqinjin, le të reflektojë nga ti gjakftohtësia dhe qetësia, dita kur agjëron le të mos jetë e njëjtë me ditën kur nuk agjëron.”

Vëllezër të dashur,

Edhe shpërblimi për agjërim, por edhe ndëshkimi për mos agjërim janë shumë të mëdha.

Ibn Abbasi (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) e kishte dërguar Ebu Musa el-Eshariun (r.a.) në krye të ushtrisë në një ekspeditë në det, dhe derisa ata po lundronin nën mbulesën e natës, e dëgjuan një thirrës duke i thirrur ata:
“O ju pasagjerë të barkës, ndaluni t’ju informoj për gjërat me të cilat Allahu e ka obliguar veten e Tij!”
Ebu Musa el-Eshariu e ndali barkën dhe tha:
“Na informo, nëse je nga ata që sjellin lajme”
Pastaj e dëgjuan thirrësin e njëjtë kur tha: “Allahu ka premtuar se atë i cili e duron etjen në emrin e Tij në ditën e nxehtë të verës, do t’i japë të pijë në Ditën e etjes më të madhe, dmth. në Ditën e Gjykimit.”

Kurse Ibn Rexhebi thekson transmetimin, në të cilin thuhet: “Te ne ka arritur lajmi se në Ditën e gjykimit agjëruesve do tu shtrohet një sofër ku ata do të hanë, derisa të tjerët japin llogari. Ata që japin llogari do të thonë: “O Zot, ne po japim llogari, kurse ata po hanë dhe po kënaqen? ‘Ata do të marrin përgjigjen: “Kur ata kanë agjëruar, ju keni ngrënë dhe keni pirë, dhe kur ata janë falur, ju keni fjetur.”

Përcillet nga Ebu Umame El-Bahilij (r.a.) se ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin (savs) duke thënë: – Kur isha në gjumë më erdhën dy persona dhe më morën duke më kapur nga krahu, derisa arritëm tek një mal i zhveshur. Më thanë: Ngjitu! Thashë: Nuk mundem. Ata thanë: Ngjitu se ne do të ndihmojmë! U ngjita, derisa arrita në majë të malit, e në të dëgjoheshin zëra shumë të fortë.
Pyeta: Çfarë janë këto zëra? Më thanë: Këto janë klithmat e banorëve të Zjarrit.
Pastaj ecëm derisa arritëm tek disa njerëz të varur nga tendinët dhe me gojë të shqyera, prej të cilave rridhte gjak. Pyeta: Cilët janë këta? Më thanë: Janë ata që e çelin iftarin përpara kohës. (Transmeton Ibn Huzejme. Albani e ka saktësuar në “Sahih et tergib ve et terhib”. Në komentin e tij ai thotë: Ky dënim i rëndë është për ata që agjëruan një pjesë të ditës, por e çelën iftarin përpara mbarimit të kohës, çfarë mund të jetë dënimi për ata që nuk agjërojnë fare?! Allahu na ruajtë!

Hutben e sotme do ta përfundojmë me hadithin e Pejgamberit (savs) të transmetuar nga Enes b. Maliku i cili thotë:

Një ditë Pejgamberi (savs) ka hipur në minber dhe ka thënë tri herë amin, amin, amin. Kur ka zbritur nga minberi e kanë pyetur se pse ka thënë tri herë amin. Ai u tha se i kishte ardhur Xhibrili dhe i kishte thënë:
(1) – O Muhamed, është larguar prej mëshirës së Allahut, ai person i cili hyn muaji i ramazanit dhe del dhe atij nuk i falen gjynahet. I tha thuaj amin, dhe ai (savs) tha amin.
(2) Pastaj, i tha Xhibrili, është larguar mëshirës së Allahut ai person, prindërit e të cilit janë gjallë njëri ose dy, e nuk janë bërë shkak që ky të hyjë në xhenet. Thuaj amin, dhe ai (savs) tha amin.
(3) Dhe e treta, është larguar mëshirës së Allahut ai person, që përmendesh ti në prezencën e tij, dhe ai nuk dërgon salavate për ty, pra nuk thotë: sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Atëherë Xhibrili i tha pejgamberit thuaj amin, dhe ai tha amin.”

O Zoti ynë, të lutemi na bëj nga ata që e presin dhe e përcjellin muajin ramazan.

O Zoti ynë, na bëj prej atyre që do ta agjërojnë muajin ramazanin.

O Zoti ynë, le të jetë ky ramazan pikë kthese për të mirë në marrëdhëniet tona, në veprat tona dhe në jetën tonë. AMIN !!!