Histori islame

Jetimi e tejkaloi me bujari

872views

Një njeri e pyeti Hatim et-Ta’iun, udhëheqësin e fisit Ta’i, i cili në epokën para-islame ishte i njohur për bujari dhe zemërgjerësi.

Ishte pyetur: “Vallë, a të ka fituar dikush, dhe të ka tejkaluar në fisnikëri dhe bujari?”

Kishte thënë: “Po, më ka tejkaluar me bujari një i ri nga fisi Ta’i i cili ishte jetim. Në fakt, ai kishte 10 dele dhe një herë shkova tek ai, kurse ai menjëherë e theri një dele për të më gostitur mua. E kishte pjekur mishin dhe më servoi ushqim.

Mua, si specialitet të veçantë ma ofroi trurin e deles. Kur e shijova specialitetin e tij, unë thashë: “Pasha Zotin, kjo është shumë e shijshme!”

Pas kësaj, i riu shkoi dhe i theri edhe 9 delet tjera, në mënyrë që të më përgatisë dhe të ma sjellë trurin e tyre, kurse unë këtë nuk e dija. Kur dola nga shtëpia e tij, pashë sasi të madhe të gjakut rreth shtëpisë dhe kuptova se ai i kishte therur të gjitha delet që kishte për të më gostitur mua.

E pyeta: ‘Pse e bëre këtë?’ Ai u përgjigj: ‘Ty të pëlqeu diçka që unë e kisha, andaj si të bëhem koprrac ndaj teje?”

Njeriu e pyeti Hatim et-Ta’iun: “Si u përgjigje ti në këtë bujari të tij?”

Ai u përgjigj: “Unë ia dhurova 300 deve të kuqe dhe 500 dele.”

Njeriu tha: “E pra, ti je shumë më bujar dhe më fisnik se ai!”

Hatim et-Ta’iu iu përgjigj: “Jo, ai është më bujar, sepse ai mua më solli gjithçka që kishte, kurse unë atij ia dhashë një pjesë të vogël të pasurisë sime.”

Pershtati: Miftar Ajdini