Globus

Jerusalemi, kryeqytet i Izraelit? Mundësia e njohjes nga ana e Trump zemëron botën muslimane

Ndërsa thuhet se presidenti amerikan, Donald Trump do të njoftojë këtë javë njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, kundërshtia që vjen nga bota arabe e më gjerë, ajo muslimane, po shtohet dita-ditës.

Ka raportime që thonë se presidenti mund ta njoftojë njohjen brenda disa ditësh, ndërsa do të vonojë mbajtjen e premtimit të fushatës për të zhvendosur ambasadën amerikane në këtë qytet. Kreu i Ligës Arabe, Turqia, Jordania dhe lidershipi palestinez kanë paralajmëruar për pasoja ndaj kësaj lëvizjeje.

Fati i qytetit është një prej çështjeve më të mprehta midis Izraelit dhe botës arabe. Qeveria izraelite nuk e ka komentuar publikisht njoftimin e paralajmëruar të presidentit Trump.

Afati i fundit që Trump të nënshkruajë vonesën në zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem skadon të hënën. Çdo president e ka nënshkrua shtyrjen e masës çdo gjashtë muaj që kur Kongresi Amerikan miratoi aktin e vitit 1995 për të lëvizur ambasadën.

Presidenti Trump në mënyrë të vazhdueshme u zotua gjatë fushatës së tij elektorale ta zbatojë këtë lëvizje, por edhe pse thotë se e ka ende për synim, nuk e ka nënshkruar. Ka shenja që tregojnë sidoqoftë se të mërkurën ai do të njoftojë njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga ana e Uashingtonit, ndërsa pritet të mbajë pezull edhe për një kohë tjetër të pacaktuar lëvizjen e ambasadës.

Statusi i Jerusalemit qëndron në zemër të konfliktit të Izraelit me palestinezët, të cilët kanë mbështetjen edhe të pjesës tjetër të botës arabe e më gjerë, të botës muslimane. Qyteti është streha e shumë vendndodhjeve fetare të shenjta për Judaizmin, Islamin dhe Krishtërimin, sidomos Jerusalemi Lindor.

Izraeli e pushtoi territorin në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe e konsideron gjithë qytetin si kryeqytet të pandashëm. Palestinezët e pretendojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të ardhshëm, dhe sipas një marrëveshjeje paqeje të vitit 1993 izraelito-palestineze, statusi i tij final do të diskutohej në fazat e mëvonshme të bisedimeve të paqes.

Sovraniteti i Izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet, përfshirë edhe aleaten më të ngushtë të Izraelit, Shtetet e Bashkura, i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv, kryeqytetin tregtar të vendit.

Që prej vitit 1967, Izraeli ka ndërtuar një sërë vendbanimesh, ku strehohen rreth 200 mijë hebrenj në Jerusalemin Lindor. Këto vendbanime konsiderohen të jashtëligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, edhe pse Izraeli e kundërshton një gjë të tillë.

Nëse Shtetet e Bashkuara e njohin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, do të viheshin një hap përpara me pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar dhe do të përforconin pozicionin e Izraelit se vendbanimet në lindje janë strehë e vlefshme e komunitetit hebre.

Kjo lëvizje do të ngrinte po ashtu pikëpyetje sesi Shtetet e Bashkuara do të trajtojnë rezolutat që lidhen me Jerusalemin Lindor në Kombet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën e vetos dhe mund ta përdorin në të ardhmen për të bllokuar mocione kritike për politikën e Izraelit në lindje.

Reagimi ndërkombëtar

Ka zemërim në rritje ndaj Uashingtonit mes aleatëve të tij në Lindjen e Mesme. Jordania, ruajtësja e vendndodhjeve të shenjta islame në Jerusalem ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” nëse Donald Trump ecën me planin e vet dhe ka kërkuar një takim urgjent me blloqet kyçe rajonale dhe Islame të Ligës Arabe dhe Organizatës së Konferencës Islamike për të debatuar çështjen.

Shefi i Ligës Arabe, Abul Gheit paralajmëroi se një lëvizje e tillë e Trump do të “ushqente fanatizmin dhe dhunën”. Zëvendëskryeministri turk, Bekir Bozdag e përshkroi vendimin e mundshëm si “katastrofë madhore” që do të “shkatërronte plotësisht procesin e brishtë të paqes” dhe do të sillte konflikte të reja.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas ka kontaktuar liderët botërorë për të kërkuar që ata të ndërhyjnë, duke thënë se “një vendim i tillë nga SHBA do të shkatërronte procesin e paqes dhe do ta zhyste rajonin në paqëndrueshmëri akoma edhe më të madhe”.

SHBA ka negociiuar dekada të tëra bisedime paqeje, që dështonin e rinisnin, dhe administrata Trump është duke formuluar propozime të reja për paqen- por njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit do të kompromentonte neutralitetin e Uashingtonit në sytë e palestinezëve.

Por, a do ta bëjë Donald Trump, përfundimisht, njoftimin?

Kjo mbetet e paqartë. Shtëpia e Bardhë as e ka pohuar e as e ka mohuar synimin e presidentit dhe në një fjalim të rrallë në publik, dhëndërri i tij dhe këshilltari Jared Kushner refuzoi të përfshihej në këtë çështje.

“Presidenti do ta marrë vetë vendimin dhe ai ende është duke shqyrtuar një sërë faktesh të ndryshme”, tha Kushner për forumin Saban në Uashington.  “Kur ta marrë vendimin, ai do jua thojë vetë, jo unë”, tha ai.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/