AktualiteteGlobus

Izraeli përshëndet komentet proizraelite te muftiut saudian dhe e fton në vizitë

Një ministër izraelit ka ftuar për vizitë në vendin e tij vetë Myftiun e Arabisë Saudite, duke thënë se ai do të mirëpritet me të gjitha. E papritura ka ndodhur pasi kleriku i lartë arab adresoi kritika ndaj Hamasit, deri dhe në cilësimin “terroriste”.

“Ne e përgëzojmë Abdul Aziz Al-Sheikhun, Myftiun e Madh të Arabisë Saudite, si dhe kreun e Ulemave (dijetarëve muslimanë) për fetvanë e tij e cila ndalon luftën kundër hebrenjve dhe ndalon vrasjen e tyre”, tha ministri izraelit i Komunikimeve, Ayoub Kara llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Ministri gjithashtu mirëpriti vërejtjet e myftiut në të cilat ai e konsideroi Hamasin një “organizatë terroriste”, duke shtuar “Unë ftoj Myftiun për një vizitë në Izrael, ku do të mirëpritet me një respekt të lartë”.

Më parë, Myftiu duke iu përgjigjur një pyetjeje në një program televiziv, tha se luftimet kundër Izraelit ishin të pavend dhe shtoi po ashtu se Hamasi ishte një “organizatë terroriste”, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me ngjarjet e korrikut në të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, kur shteti hebre mbylli Xhaminë Al-Aqsa pas një përplasjeje vdekjeprurëse, e cila nderohet si nga muslimanët ashtu dhe nga hebrenjtë.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, duke e cilësuar atë si “kryeqytet të pandarë dhe të përjetshëm” të shtetit hebre, një veprim ky që nuk është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.

E drejta ndërkombëtare e sheh Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor si “territor të pushtuar” dhe konsideron të gjitha ndërtimet e vendbanimeve hebraike si të paligjshme. /tesheshi.com/