Globus

Ishulli Suakin, porta e Afrikës

421views

Ishulli Suakin, pjesë e territoreve osmane deri në shekullin 19, ishte një nga stacionet më të përfolura të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili zhvilloi vizitë dyditore në Sudan, shkruan Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës, Erdoğan, i cili në kuadër të vizitës në Sudan kaloi nga Port Sudani për në ishullin Suakin, fali namazin në xhaminë Hanefi, të restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ai tha se ka kërkuar nga presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, leje për të kryer restaurime në ishullin Suakin, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur pozitivisht. Erdoğan theksoi se “është i pikëlluar që e pa ishullin në gjendje të shkatërruar nga ana e perëndimorëve”.

TIKA ka përfunduar restaurimin e xhamive Hanefi dhe Shafi dhe kompleksin e tyre.

Agjencia turke, e cila po ashtu ka restauruar edhe një objekt doganor të ndërtuar në vitin 1821 gjatë periudhës osmane, para objektit ka ndërtuar edhe një skelë. Ndërkaq, agjencia nga viti 2016 është duke i vazhduar punimet për rinovimin e Godinës së Rojeve.

– Ishulli Suakin

Ishulli Suakin, qytet port në brigjet e Detit të Kuq në verilindje të Sudanit, ka rëndësi historike për Turqinë.

Për shkak të rëndësisë tregtare dhe ekonomike, sudanezët e cilësojnë atë si “Porta e Afrikës”.

Në të kaluarën, ishulli ishte një nga portet më të rëndësishme të rajonit Nubje. Gjatë periudhës osmane, siguria e Detit të Kuq dhe Hixhazit kundër rreziqeve që vinin nga deti mundësohej nga ishulli Suakin.

Ishulli Suakin ishe rezidencë e guvernatorëve të krahinës së Habeshit, që përfshinte Eritrenë, Xhibutin dhe Somalinë veriore të sotme.

Ishulli iu bashkangjit territoreve turke pasi Sulltan Selimi në vitin 1517 çliroi Egjiptin, ndërsa atëbotë llogaritej qendra e krahinës. Shteti osman fillimisht ndërtoi kala, kurse më pas ndërtesa administrative, xhami, hane dhe hamame. Për shkak se ishulli Suakin ishte “pozita kyçe tregtare”, Deti i Kuq u bë “det territorial i shtetit osman”.

– Marrëveshja e Lozanës ia dorëzoi Egjiptit

Me pushtimin e Egjiptit nga britanikët në vitin 1882, ishulli Suakin “de facto” doli nga kontrolli turk, kurse neni 17 i Marrëveshjes së Lozanës e nënshkruar në vitin 1923 ia dorëzoi Egjiptit.

Në vitin 1956, ishulli u bë pjesë e Sudanit, i cili fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe.

Dikur, ishulli priste karvanët që shkonin për të kryer haxhin në tokat e shenjta. Aktualisht, në të jetojnë mbi 40 mijë sudanezë.

Banorët e ishullit, të cilët jetojnë në një ekonomi dhe infrastrukturë thuajse fare të pazhvilluar, sigurojnë jetesën përmes peshkatarisë.

Kohëve të fundit, banorët e tij migrojnë në Port Sudan, qytetin qendror të krahinës së Detit të Kuq, me shpresën për të gjetur punë.