IOM: Arrin në 536 mijë numri i muslimanë të Arakanit të ikur në Bangladesh

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) njoftoi se numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladeshin fqinj nga dhuna në Mianmar që nga 25 gushti ka arritur në 536 mijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vala e refugjatëve për në Bangladesh është intensifikuar sërish, pasi 15 mijë muslimanë të Arakanit kanë kaluar në këtë vend mes datave 9 dhe 11 tetor, njoftoi zëdhënësi i IOM-it Joel Millman në një konferencë për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Bazuar në deklaratat e dëshmitarëve okularë, Millman tha se tetë deri në nëntë mijë refugjatë janë duke pritur në Mianmar pranë lumit Naf në kufi për të kaluar në qytetin Cox’s Bazar të Bangladeshit.

Ai tha se numri i muslimanëve të Arakanit që kanë arritur në Bangladesh që nga 25 gushti ka shkuar në 536 mijë, duke shtuar se në kampet e refugjatëve ka probleme për sa i përket nevojave urgjente humanitare, siç janë uji i pijshëm dhe shërbimet shëndetësore.

Millman po ashtu potencoi se nuk sheh ndonjë sinjal se refugjatët e strehuar në Bangladesh do të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar rreth 200 fshatra. Dhjetra mijëra muslimanë të Arakanit ende përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, lumit Naf ose rrugëve detare.

Artikuj të ngjashëm: