Globus

Indonezia shënon 13-vjetorin e cunamit, kur humbën jetën mbi 230 mijë njerëz

Populli i Indonezisë sot shënon 13 vjetorin e tërmetit shkatërrues 9.1 ballësh sipas shkallës së Rihterit, i cili goditi brigjet perëndimore të Indonezisë, duke shkaktuar një cunami vdekjeprurës në Oqeanin Indian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më 26 dhjetor 2004, më shumë se 230 mijë njerëz humbën jetën në disa vende, shumica prej tyre në Indonezi.

Kjo ishte një nga katastofat më të rënda të përjetuara ndonjëherë në historinë moderne të njerëzimit e cila goditi disa vende.

Cunami shkatërroi bregdetin, duke shkaktuar dëme të mëdha nga Indonezia, përmes Tajlandës, Sri Lankës dhe Indisë deri në Somali në Afrikë.

Anëtarët e familjeve dhe miqtë të martën vizituan vendin i cili llogaritet si varreza e përbashkët e viktimave të cunamit në Banda Aceh, në provincën Aceh, duke u lutur për shpirtrat e tyre.

Në rajonin e dendur të Aceh, në veri të ishullit, u shkatërrua gjithçka që doli para valëve të mëdha.

Vetëm në Indonezi, jetën e humbën midis 130 dhe 160 mijë njerëz, nga të cilët një e treta ishin fëmijë, ndërsa 500 mijë mbetën pa kulm mbi kokë.

Vdekja e 190 mijë njerëzve u konfirmua, ndërsa dhjetëra mijëra u shpallën të zhdukur.

Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit” e cila karakterizohet me tërmete dhe vullkane të shpeshta.