MendimeOpinione

Imami shqiptar në kontekstin evropian, me theks të veçantë në Zvicër*

9.52Kviews

Hfz. Mehas Alija

Falënderimet e sinqerta tonat janë për Zotin e Lartë, Allahun xh.sh. I dërgojmë salavat e përshëndetje të zemrës, krenarisë së njerëzimit, Muhammedit a.s.

I nderuari kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender ef. Bruçaj

Të nderuar myftinjë të Shqipërisë,

Të dashur imamlerë, hatibë, mualimë, teologë, si dhe ju, shumë të respektuar mysafirë dhe të pranishëm në këtë konferencë.

Krejt në fillim kam një gëzim të jashtëzakonshëm që sot në emrin tim personal, në emër të kryesisë dhe të të gjithë anëtarëve të Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare të Zvicrës, t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta.

Po ashtu, kam kënaqësi të veçantë që të paraqitem përpara jush me temën “Imami shqiptar në kontekstin evropian, me theks të veçantë në Zvicër”. Falënderoj shumë kryesinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me në krye kryetarin, Skender ef. Burçaj, për ftesën e bërë dhe mundësinë e dhënë, që në këtë konferencë kaq të madhe, të kemi fjalën tonë.

U përcaktova për këtë temë dhe u kufizova si te imami, ashtu edhe te vendi. Kjo për shkakun se në Perëndim veprojnë imamë nga vende te ndryshme të botës dhe se, si për imamin, ashtu edhe për vendin, ndryshon qasja dhe shpesh edhe veprimi. Shoqëria evropiane, ashtu siç nuk është vetë e njëjtë, të tilla i ka edhe sfidat, zhvillimet, njerëzit, shoqëritë, qasjet, qëndrimet dhe politikat. Kurse, e përbashkëta e shteteve evropiane është demokracia, që donë të thotë se kjo është vlerë e pakontestueshme edhe mënyrë jetese. Në bazë të saj jeton dhe funksionon individi, familja, shoqëria dhe shteti. Feja në shoqëritë evropiane nuk është diç që i takon të së kaluarës, as nuk është diç utopike, e shpikur dhe e refuzuar, por është pjesë e shoqërisë, ndonëse e margjinalizuar. Në shtetin ku ne jetojmë, pra në Zvicër, religjioni, respektivisht feja është temë ditore, si nëpër media, ashtu edhe nëpër institucione dhe qendra univerzitare. Çështja e fesë është e rregulluar me norma, kurse liria e shprehjes dhe e manifestimit të besimit është pjesë kushtetuese. Kohëve të fundit, është duke u përfolur dhe debatuar me të madhe për një njohje të Islamit në Zvicër, fillimisht për një njohje të islamit nëpër kantone, e më pas edhe në tërë shtetin.

Në bazë të kësaj lirie, komuniteti musliman, në rastin tonë, edhe ai shqiptar, ka gjetur mundësinë e lirë për t’u vetorganizuar, kështu që fillimisht, u modifikuan lokale të marra me qera, të cilat shërbenin si mesxhide dhe xhami, për të ardhur sot deri në mëvetësinë dhe blerjen e objekteve, si dhe inaugurimin e xhamive të reja, të ndërtuara nga themeli, unike për nga arkitektura dhe veçoria, dhe për të vazhduar më tutje në përfaqësime të nivelit të lartë, të organizuar në organizata kantonale dhe gjithëpërfshirëse, në mbarë Zvicrën, siç është edhe Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër. Me një fjalë, kjo histori, flet për një gjë: muslimanët në Evropë nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ndarë apo një trup i huaj, madje as shoqëri paralele, por pjesë e shoqërisë.

Në këtë rrugëtim dhe zhvillim, padyshim, rol kryesor pati edhe drejtuesi, udhëheqësi, shpirtërori, multifunksioneri, shkollari, respektivisht imami i xhamisë, pa i anashkaluar edhe njerëzit përreth tij, gjegjësisht kryesitë dhe këshillat e xhamive.

Por, vallë, kush është imami dhe çfarë, në të vërtetë, paraqet ai? Si vepron ai dhe cili është roli i tij sot dhe çfarë pret e nesërmja prej tij?

 

Veprimtaria në truallin evropian

Historia e veprimtarisë së imamit në Evropë duhet të datojë që nga viti 711 sipas Isait, atëherë kur Tarik ibn Zijadi kaloi nga gryka e Gjibraltarit në truallin evropian, gjegjësisht në Andaluzinë e atëhershme. Që atëherë e këndej, deri në ditët e sotme, imamët kanë qenë pjesë historike e zhvillimit të kulturës dhe shoqërisë evropiane, dhe aq më tepër, prijatarë, zhvillues dhe mbrojtës të kulturës dhe qytetërimit islam në këto vise.[1]

Imamët tanë, të parët tanë, ditën me shumë urtësi dhe aftësi organizative të marrin përsipër barrën e interpretimit të Islamit dhe të udhëheqjes së muslimanëve. Historia dhe përvoja e tyre, mbase, herë-herë, edhe shumë e hidhur, flet se ata ditën të ballafaqohen dhe t’ia dalin me sisteme të ndryshme që sillte koha, siç ishte feudalizmi, kapitalizmi, socializmi, tirania, dhe se fundmi edhe demokracia. Nga viti 1463, deri më 1878, imamët vepronin dhe punonin, kryesisht, në terrenin e sunduar nga Perandoria islame Osmane, por kohët ndryshuan dhe erdhën periudha me ngjyrime të tjera ideologjike, pro kristiane, ortodokse, socialiste dhe ateiste, siç kemi pasur rastin me Ish-Jugosllavinë socialiste dhe Shqipërinë ateiste.[2]

Së këndejmi, si qëndron çështja dhe realiteti i imamit sot? Cili është arti i tij i të vepruarit në Perëndim, respektivisht në kontekstin zviceran? Cila është perspektiva e imamit në shoqërinë moderne dhe si është qasja e saj ndaj imamit bashkëkohor? Për të sjellë përgjigje adekuate për këto pyetje, normalisht, se na duhet më shumë kohë për të hulumtuar, por edhe më tepër kohë për të shkruar dhe folur.

Në disa pika të mëposhtme, duke e analizuar vetë termin dhe shprehjen “imam”, në kontekst të kohës, rolit, funksionit, nevojës dhe qasjes, do të shohim edhe kompetencën teologjike dhe diapazonin e fushës veprues të imamit në kohën bashkëkohore aktuale.

Vallë, çfarë paraqet emri “imam” sot dhe çfarë mund të jetë roli i tij në shoqëri?

Fjala imam në gjuhën arabe ka shumë kuptime, si drejtues namazi, prijës i njerëzve, personi që qëndron përpara, udhëheqës shteti, komandant ushtrie, etj.[3] Ky emër në kontekstin islam bart kuptime të ndryshme, varësisht nga cili aspekt e shikojmë. Vetë Pejgamberi a.s., këtë shprehje e ka përdorur në një rast të thjeshtë, duke thënë: “Nëse jeni tre persona në udhëtim, njëri le të jetë udhëheqës (pra, imam).[4]

Në Kur’anin famëlartë, gjejmë, gjithashtu, të përdoret kjo shprehje, si në njëjës (imam)[5] ashtu edhe në shumës (e’imme)[6], dhe atë shtatë herë përmendet në njëjës dhe pesë herë në shumës, duke ardhur në kuptim të udhëheqësit, shembullorit, modelit, shenjës, etj.[7]

Në fakt, ky emër, në jetën e përditshme ka këto kuptime të mundshme:

  1. Imami, si prijës i namazit, i lutjes (salah). Në këtë kategori mund të përfshihen të gjithë ata persona që kanë njohuri të mjaftueshme, e që pa vështirësi mund të kryejnë faljen e namazit; që di teknikën e namazit dhe që ka mësuar disa sure përmendsh nga Kur’ani famëlartë. Kjo është në kuptimin më të ngushtë të fjalës, kurse, në atë që jemi mësuar ne, kemi të bëjmë me një person, që ka dituri të mjaftueshme teologjike, i cili, në bazë të një marrëveshjeje me bashkësinë, krahas një pagese të caktuar, pranon të bëhet imam i xhamisë dhe t’i shërbej xhematit në pesë kohët e namazit, në namazin e xhumasë, të bajrameve, etj. Në bashkësinë muslimane, ky imam nuk është i shenjtë, as nuk është melaqje që nuk gabon, por një njeri që duhet të ketë një sjellje të veçantë të moralit dhe të kulturës, si refleksione dëshmuese këto të imanit dhe nivelit shpirtëror të tij. Përveç detyrave kryesore në xhami, ai kryen edhe disa shërbime të tjera fetare, tradicionale, siç është këndimi i mevludeve, mbajtja e ligjëratave, kryerja ceremonive fetare me rastin e lindjes dhe të vdekjes, duave të synetimit dhe të martesës, etj. Ky imam është në marrëdhënie pune dhe punëdhënës e ka ose Këshillin e xhamisë, rasti ynë në Zvicër, ose myftinë, gjegjësisht Rijasetin e Bashkësisë Islame, në rastin e shteteve tona në Ballkan.
  2. Imami, si funksionar politik, shpirtëror dhe teologjik. Të këtillë kanë qenë halifët, pushtetarët, sulltanët, si dhe dijetarët e mëdhenj. Sipas sunitëve, drejtuesi më i lartë i shtetit, si kujdestar i vlerave dhe normave politiko-shoqërore dhe fetare-shpirtërore të Ummetit, shpesh është identifikuar me këtë emër. Po kështu, të respektuar me këtë titull kanë qenë edhe ulemaja e hershme muslimane, siç ishin themeluesit e shkollave juridike dhe akaidologjike islame, Imam Ebu Hanife, Imam Shafiu, Imam Maturidiu, pastaj Imam Gazali, etj.[8]
  3. Imami, si lideri suprem në kontekstin shiit. Një koncept krejt ndryshe nga ai i mësimit sunnit. Te shiitët, siç besoj se të gjithë e dimë, imameti zë një vend themelor në çështjen e besimit dhe të doktrinës së tyre. Si imam i parë i tyre, i pakontestueshmi, pas vdekjes së Muhammedit a.s., është hz. Aliu, r.a.[9]
  4. Imami, si misionar dhe kujdestar në domenin social. Një botëkuptim tjetër për imamin vjen edhe nga shoqëria evro-perëndimore. Në shoqërinë zvicerane, madje edhe në shoqëritë e tjera evropiane, për një person që udhëheq një xhemat, gjegjësisht që është i angazhuar me punë në një xhami, nuk ekziston emër tjetër, pos emrit “imam”. Në kontekstin zviceran, imami nuk shihet vetëm si prijës i namazit (vorbeter), por edhe si lider, drejtues komuniteti, interpretues i islamit, mësues, model (vorbild), dialogues, ndërtues i urave midis njerëzve (brückenperson), këshilltar (berater), kujdestar shpirtëror në spital dhe në burg (seelsorger), komunikues i aftë në media, njëzetekatër orë në shërbim të komunitetit, misionar, etj. Në shoqërinë moderne, mendoj se, çdo ditë e më tepër, ka një tendencë që imamit t’i shtohen detyra të reja dhe përgjegjësi më të mëdha, si një kategori e rëndësishme e shoqërisë civile. Te pjesa dërmuese e shoqërisë, roli, detyrat dhe funksionet e imamit shihen si të njëjta dhe, shpesh, të krahasueshme me autoritetin dhe aktivitetin e një prifti te të krishterët.[10] Me sa kam arritur të kuptoj unë, njërherit, ky është edhe imazhi i shoqërisë moderne për imamin e dëshiruar, për imamin bashkëkohor, që nuk është vetëm i ditur, por që posedon edhe aftësi të tjera. Pikëpamje të tilla shprehin edhe shumë muslimanë, hoxhallarë apo studiues qofshin ata.

 

Trajnimi dhe aftësimi i imamëve

Shoqëria moderne është një shoqëri që konsumon, ajo evoluon dhe ndryshon vazhdimisht, andaj imamit i duhet medoemos të aftësohet, të jetë gjithmonë në hap me kohën, të mësojë një gjuhë të re, ose, nëse vepron jashtë vendlindjes së tij, të mësojë gjuhën e vendin përkatës, t’i ndjek prurjet e reja shkencore dhe teknologjike në domenin e tij, të jetë në hap me librat dhe botimet e reja, të di t’i lexojë mediumet dhe t’i kuptojë ato, të angazhohet në grupe njerëzish, si brenda ashtu dhe jashtë kuadrit të xhamisë, të organizojë work-shope, seminare, tribuna, ekskurzione, të punojë me të rinjtë, të anëtarësohet në ndonjë shoqatë voluntare, të ndjek zhvillimet dhe aktivitetet kulturore në vendin dhe qytetin ku jeton, të jetë një mik dhe shok i mirë, të ndërtojë kontakte të mira me përfaqësuesit e bashkësive fetare vendore, me mësuesit dhe drejtuesit e organizatave të ndryshme civile, të jetë i hapur dhe transparent, të bashkëpunojë me sa të ketë mundësi me institucionet dhe organet komunale, bashkiake të qytetit, etj.

Me fjalë të tjera, për t’i plotësuar këto elemente, imami në shoqërinë moderne duhet të jetë i përgatitur dhe i aftë në tre segmente, siç i ka sjellë si ide profesori dhe ish-dekani i Fakultetit të Shkencave Islame të Sarajevës, Dr. Ismet Bushatlliç, që janë: Segmenti teologjik, pedagogjiko-psikologjik dhe ai humanist:

  • Segmenti teologjik do të përfshinte aftësimin e imamit në disiplinat themelore të Islamit, në mënyrën adekuate të interpretimit të tyre, në njohjen e drejtë të historisë së tij dhe të bashkësive të tjera fetare që bashkëveprojnë në shtetin ku ai vepron;
  • Segmenti pedagogjiko-psikologjik do të përmbante disiplina të tilla që do ta aftësonin imamin për punën dhe aktivitetin e tij me fëmijët, të rinjtë, të moshuarit, me të burgosurit, me të sëmurët, me punëtorët, etj.
  • Segmenti humanist nënkupton aftësimin e imamit në zotërimin dhe njohjen e gjuhës, kulturës, mentalitetit, si dhe gjendjen e sistemit politiko-shoqëror të shtetit në të cilin vepron.[11]

Andaj, kohëve të fundit është duke u përfolur dhe punuar me të madhe, si në shtetin prej nga vij, pra në Zvicër, por edhe në vendet e tjera perëndimore, për të formuar dhe krijuar programe, qendra dhe institucione arsimore islame teologjike, madje edhe brenda univerziteteve shtetërore, në mënyrë që imamët e ardhshëm evropianë të jenë të përgatitur dhe aftësuar nga vetë ata. Në mbështetje të kësaj ideje duhet të jemi edhe vetë ne muslimanët. Në Zvicër, përveç dy-tre partive politike, të cilat janë kundër dhe e shohin si të huaj Islamin, këtë nismë e ka kërkuar Këshilli Nacional i shtetit, përfaqësuesit e kishave, intelektualë, profesorë univerzitar, gazetarë, si dhe përfaqësues të organizatave më të mëdha islame në vend.[12]

Një koleg i yni, një imam i dalluar në Austri, i cili po ashtu ka qenë drejtues i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Austrisë, Mr. Muhidin Ahmeti, në një punim të tij, shkruan: “Me qenë se po jetojmë në Evropë dhe e konsiderojmë vetën myslimanë evropian, nuk mund t’i lejojmë vetës luksin që të mos i njohim themelet e civilizimit evropian dhe institucionet e tij themelore. Që të konkurrojë islami me sukses në tregun e lirë evropian të idesë së shpëtimit në garën për shpirtin e njeriut, është e domosdoshme të  bëhet një dallim i qartë në mes asaj që është autentike islame dhe asaj që është traditë dhe interpretim. Duhet specifikuar në mënyrë të qartë minimumin e asaj  që është obligative dhe e ndaluar nga ajo që është  e pëlqyeshme dhe e qortuar. Pastaj,  përgjigjet, të cilat jepen në emër të islamit duhet të jenë realiste, të zbatueshme në këtë mjedis duke pasur parasysh gjuhën e kohës. E gjuha, të cilën e kupton gjenerata e sotme e evropianëve është gjuha e lirisë, të drejtës, humanizmit. Përgjigjet e pamenduara mirë dhe zgjidhjet jorealiste, të tilla si ato që kanë të bëjnë me pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri, bashkëjetesën me jomyslimanët dhe demokracinë, e dobësojnë kredibilitetin e islamit, si streha e fundit e njeriut bashkëkohor. Si askund në botë, në Evropë është e nevojshme që islamin ta afirmojmë si feja e rrugës së mesme, feja e lehtësimeve, tolerancës, universalizmit dhe emancipimit shpirtëror.”[13]

Nuk ka dyshim se pas një përgatitje të mirë intelektuale të imamëve në këto kohë moderne, roli i tyre do të ishte më përafrues, pragmatik, i frytshëm dhe shumë më domethënës. Andaj, themi se potenca intelektuale dhe kompetenca teologjike janë më se të nevojshme për rolin e imamit në procesin e Thirrjes dhe të aktivitetit të tij në një shoqëri moderne.

 

Roli integrues i imamit dhe bashkëjetesa

Ky rol duhet dukshëm të shfaqet në rrugën promovuese të shpjegimit të vlerave shpirtërore dhe praktike islame, ashtu që do të jetë inkluzive dhe pa konflikte. Mënyrë kjo, e cila do të reflektojë, pa dyshim, te shoqëria dhe qarqet evropiane, për të pasur një qasje objektive dhe pragmatike në respektimin e komponentës sonë islame, si evropianë që jemi. Evropa do të duhej të ishte shtëpia jonë e përbashkët, pasi në themel e ka edhe kontributin e gjenive muslimanë, të shkencës, medicinës, matematikës, filozofisë, gjeografisë, etj. Ajo e ka edhe djersën e prindërve tanë, e ka dorën dhe mendjen muslimane, e cila, tash e sa vite, po e ndërton atë. Mendoj se ka kaluar ajo kohë, kur Evropa përkufizohej si “Shtëpia e luftës”, si “oborri” i rrezikshëm, ose si toka e “mërzitshme” e gurbetqarëve tanë. Përkundrazi, ajo është shtëpia e takimeve tona, është shtëpia e paqes dhe sigurisë.

Në aspekt të rrugës integruese, roli i imamëve shqiptarë është për t’u admiruar.  Resurset e Islamit, si fe, kulturë dhe civilizim, janë aq të mëdha sa nuk ka aspak frikë për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës midis njerëzve brenda shoqërisë.  Në këtë drejtim, harmonia dhe tolerance tipike fetare e shqiptarëve, na bënë edhe më shumë krenarë dhe përgjegjës në rrugën tonë drejt integrimit.

Modeli i imamit shqiptar në Zvicër është një model tipik i llojit të vetë. Shumica e imamëve që unë njoh, ndjekin vijën mesatare, dhe nuk veçohen me elemente radikale, ekstremiste, apo ekskluziviste, por as edhe nuk akuzohen për të devijuar dhe për të shitur. Për disa hoxhallarë dhe teologë, integrimi mund të jetë një grackë që djeg. Ka të tillë, që në emër të integrimit mohojnë mësime themelore islame, nga njëra anë, kurse, nga ana tjetër, ka edhe të tjerë që, nga frika prej integrimit që mos të bien në asimilim, edhe mubahet (të lejuarat) i bëjnë farze (obligative), vetëm e vetëm që të bëjnë dallimin. Këtu e shoh edhe sfidën tonë të madhe, në rrugën tonë drejtë integrimit. Rruga jonë mesatare është e qartë, ne dëshirojmë të konkurrojmë bashkërisht me vlera. Mbase edhe si do ta ndjejmë porosinë profetike që thotë se “dituria është gjë e humbur e besimtarit, kudo që ta gjeni, merreni atë”, nëse jo në konkurrencën dhe promovimin e përbashkët të vlerave. Andaj, të vjelim dhe të mbjellim sa më shumë vepra të mira!

Është kënaqësi të shohësh një imam shqiptar që i shkruan letër presidentes së Gjermanisë, zonjës Angela Merkel[14], ndërsa ajo ia kthen letrën dhe e falënderon atë për punën që bënë, apo të shohësh një tjetër imam shqiptar se si bënë lutje për mirëqenien e shtetit, në një inaugurim të tunelit më të gjatë në botë që është në Zvicër[15],  apo një tjetër imam që udhëton jashtë shtetit, gati çdo dy javë, dhe mbanë ligjërata në univerzitet[16], apo një imam tjetër shqiptar, që krahas angazhimit njëqind për qind në xhami, të preokupohet edhe për një sërë xhamish të tjera, si drejtues i një Unioni me rreth dyzetë bashkësi dhe qendra islame[17], apo edhe një imam tjetër që paraditën e kalon në shkollë, ku jep mësimin islam, ndërsa pasditën ia kushton xhematit dhe xhamisë.[18] Sigurisht që vargun e promovimit të aktiviteteve që kanë domethënie të madhe dhe që përbëjnë edhe kuriozitet të lartë, do ta kisha zgjeruar shumë më shumë po të kisha pasur mundësi të zgjerohesha edhe pak më tepër në këtë prezentim.

“Integrimi nuk është rrugë njëkahëshe”, thoshte i ndjeri, mjeku i famshëm palestinez që jetoi dhe vdiq në Zvicër, Dr. Hisham Meizar, me të cilin kam pasur fatin të bashkëpunoj shumë ngushtë. Ai e shihte integrimin si një proces të dyanshëm, që i nxit njerëzit në të njëjtën masë, qofshin ata nga pala vendore apo migrantë. Sidomos në këto kohë, ku drama e migrimit është ngjarje dhe temë ditore,  roli i imamëve duhet të vijë në shprehje dhe të sjell fryte.

“Qëndrimi i Islamit, lidhur me integrimin, është i qartë dhe pa asnjë keqkuptim. Ai e nxit integrimin dhe ua ofron ithtarëve të vet si obligim, sepse ai në të sheh bazën e afrimit me njerëzit, që do të rezultonte te bashkëpunimi i frytshëm në mes të të gjithë pjesëtarëve, qofshin ata individë, instanca apo organe të pushtetit.”[19]

Falë Zotit, kemi një ajet shumë të bukur të sures El-Huxhuratë, të cilin e kemi si moto në takimet që zhvillojmë me të tjerët: “O ju njerëz, Ne vërtetë ju kemi krijuar prej një mashkulli e një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që të njiheni në mes vete. Vërtetë më i ndershmi prej mesit tuaj tek Allahu është më i devotshmi prej jush. Vërtetë Allahu është i ditur dhe i informuar mirë.”[20]

 

Përfundimi

Të jetosh brenda një shoqërie të kohës moderne apo postmoderne, donë të thotë të kesh shumë mundësi për një rend të drejtë dhe një klimë paqeje. Por të veprosh brenda saj, të kesh synime dhe objektiva, donë të thotë të jesh i përgatitur për të jetuar me njerëz të ndryshëm. “Paqja me tjetrin varet nga paqja me veten”, thotë Ibrahim Kallën në librin e tij “Islami dhe Perëndimi”. Kurse, ne duam të themi, paqja me veten do të arrihet kur të kemi paqe me Zotin. Imami, në botën moderne, do të duhet të ec i pajtuar me Zotin, me vetveten dhe me të tjerët, duke i vënë në funksion dy krahët e tij të suksesit, potencën intelektuale dhe kompetencën teologjike. Duke filluar nga ligjërimi i së premtes, e deri te muhabeti i mbas darkës, imami është si ylli ndriçues, që e ndjekin njerëzit për t’u orientuar. Dëshiroj që këtë paraqitje timen ta përmbyll me një falënderim të veçantë që e ka formuluar shqiptari ynë i Bosnjës, Hasan Kafi Prushçaku (1544 – 1615), që ka thënë: Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm që dynjanë e zbukuroi me dijetarë, sikurse qiejt që i  zbukuroi me yje.”

Faleminderit shumë për vëmendjen tuaj!

 

27.01.2018, Tiranë

* Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore në Tiranë, më 27.01.2018, të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Tema e konferencës ishte: Roli i imamëve në shoqërinë moderne.

[1] Bülent Ucar, Imamausbildung in Deutschand – Islamische Theologie im europäischen Kontext, V&R unipress, 2010, fq. 25.

[2] Ibid, fq. 26.

[3] Imami, si prijës komunitar, Myftinia Shkodër, 2015, fq. 16.

[4] E shënon Ebu Davudi në Sunen. Cituar sipas: Imami, ibid., fq. 16.

[5] Shih: El-Bekare, 124; Hud, 17; El-Hixher, 79; El-Isra, 71; El-Furkan, 74; Ja Sin, 12; El-Ahaf, 12.

[6] Po ashtu, shih: Et-Teube, 12; El-Enbija, 73; El-Kasas, 41; Es-Sexhde, 24.

[7] Nerkez Smailiagic, Lexikon Islama, Sarajevo, 1990, fq. 267.

[8] Lexikon islama, ibid. fq., 267.

[9] Shih më gjerësisht për fazat, zhvillimet dhe konceptet e ndryshme në lidhje me „imametin“ te shiitët: Lexikon islama, ibid. fq., 267-269.

[10] https://www.kath.ch/newsd/imam-ausbildung-in-der-schweiz-im-prinzip-wuenschenswert-aber-noch-unrealistisch/: „Imam-Ausbildung in der Schweiz – «im Prinzip wünschenswert, aber noch unrealistisch“.  (Verifikuar së fundmi më: 23.01.2018).

[11] Bülent Ucar, Imamausbildung in Deutschand – Islamische Theologie im europäischen Kontext, V&R unipress, 2010, fq. 29.

[12] https://www.swissinfo.ch/ger/ausbildung-zum-imam-in-der-schweiz/4210240: Ausbildung zum Imam in der Schëeiz. (Verifikuar së fundmi më: 23.01.2018).

[13] http://www.uais.ch/new2/index.php/artikuj/19-ahlak/49-trajnimi-i-imamit-dhe-sfidat-e-kohes: Trajnimi i imamit dhe sfidat e kohës, Mr. Muhidin Ahmeti.  (Verifikuar së fundmi më: 23.01.2018).

[14] http://shenja.tv/kancelarja-gjermane-leter-falenderuese-imamit-nga-shkupi-benjamin-idrizi/:  Kancelarja gjermane letër falënderuese imamit nga Shkupi, Benjamin Idrizi. (Verifikuar së fundmi, 23.01.2018)

[15] http://www.fm1today.ch/geistliche-segnen-den-gotthard/218102: Geistliche segnen den Gotthard-Basistunnel. (Verifkuar së fundmi, 23.01.2018).

[16] Imami i rregullt në xhaminë shqiptare në qytetin Wetzikon në Zvciër, bënë udhëtime të shpeshta jashtë vendit për ligjërata dhe seminare, në ndërkohë që është profesor dhe ligjëron në Univerzitetin FON në Shkup.

[17] http://www.uais.ch/2017/12/13/uishz-transformohet-ne-union-te-bashkesive-islame-shqiptare-ne-zvicer-zgjedhet-kryesia-e-re/: UISHZ transformohet në Union të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, zgjedhet kryesia e re. (Verifikuar së fundmi me 23.01.2018).

[18] http://www.viuk.ch/new/12-aus-der-presse/12-islamunterricht-gestartet: Islamunterricht gestartet. ifikuar së fundmi me 23.01.2018).

[19] http://www.el-hikmeh.net/14/files/integrimi_i_muslimaneve_ne_zvicer_-_hisham_maizar.pdf: Integrimi i muslimanëve në Zvicër, Dr. Hisham Maizar. (Verifikuar së fundmi me 23.01.2018).

[20] Kur’an: El-Huxhuratë, 12.