Globus

Imami i Xhamisë Al-Aksa: Kudsi është çelësi i paqes dhe luftës

501views

Kudsi është çelësi i paqes dhe luftës, është porositur në hutben e sotme gjatë namazit të xhumasë, në Xhaminë Al-Aksa në Kuds, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump që këtë qytet ta njeh si “kryeqytet të Izraelit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Shejh Ismail Navahde i ka prirë namazit të sotëm të xhumasë, ndërsa në fjalimin para besimtarëve tregoi për mohimin amerikan të të drejtave të muslimanëve dhe palestinezëve në Kuds.

“Në 100-vjetorin e Deklatatës së Balfour-it, me të cilën territori iu premtua atyre që nuk u takon, dhe në 50-vjetorin e fillimit të pushtimit të Kudsit, administrata amerikane njeh Qytetin e Shenjtë si kryeqytet të Izraelit, duke mos marrë parasysh të drejtat e muslimanëve dhe palestinezëve”, porositi Navahde.

Ai nënvizoi se Kudsi do të mbetet arab dhe musliman, duke shtuar se, “Shpresojmë që qëndrimi i botës islame që u theksua kundër vendimit të SHBA-ve të reflektohet edhe në terren”.

Edhe njëherë duke dënuar sulmet izraelite ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe Kudsit, Navahde vlerësoi se “Kudsi është çelësi i paqes dhe luftës”.

Presindenti amerikan, Donald Trump, më 6 dhjetor mori vendim për njohjen e Kudsit si “kryeqytet të Izraelit” dhe zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi. Pas vendimit, shumë protesta u organizuan në mbarë Bregun Perëndimor dhe në kufirin e Rripit të Gazës në të cilat, gjatë intervenimit të forcave izraelite, u lënduan shumë palestinezë.