AkaidHistori islame

Imam Ebu Hanife, ndjekës i as’habëve (tabi’in)

1.61Kviews

Sipas shumicës së dijetarëve të hadithit, tabi’in ose “ndjekës” është dikush që i ka takuar as’habët e Pejgamberit s.a.v.s., ose së paku i ka parë në gjendjen e besimit (imanit). Ndërsa nuk është e domosdoshme që të ketë qëndruar në shoqërinë e tij, ose të ketë përcjellë nga ky as’hab. Hafidh Ibn Haxher El-Askalaniu pohon se ky është përkufizimi më i mirë (I’la ‘us-Sunen, 19, 306). Alame Iraki, Ibn Es-Salahu, Neveviu dhe Hakimi (dijetarët më të mëdhenj të terminologjisë së hadithit – vërejtje e përkthyesit), ndër të tjerët, gjithashtu, pajtohem me këtë përkufizim.

Sipas këtij përkufizimi gjerësisht të aprovuar, Imam Ebu Hanife konsiderohet tabi’in, dhe kjo është vërtetuar nga ana e shumë biografëve dhe historianëve. Ky është vendi unikal që i takon, sepse e njëjta nuk mund të thuhet për imamët tjerë të mëdhenj: Shafi’un, Malikun dhe Ahmed ibn Hanbelin, Allahu qoftë i kënaqur me ta).

Alame Dhehebiu në Tedhkiret’ul-huffadh shkruan se Ebu Hanife është lindur në vitin 80 h. E ka parë Enes ibn Malikun r. a. më shumë se një herë (çdo herë kur Enesi r. a. e ka vizituar Kufën). Hafidh Abd’ul-Gani El-Makdisi thekson: “Ebu Hanife e ka parë Enesin.” (Tedhkiret’ul-huffadh).

Ibn Haxheri shkruan: “Është e vërtetë, siç thotë Dhehebiu, se Ebu Hanife e ka parë Enes inn Malikun kur ka qenë i ri.”

Hatib El-Bagdadi në veprën e tij Tarih’ul-Bagdad këtë e vërteton: “Ebu Hanife e ka parë Enes ibn Malikun.” (Tedhkiret’ur-Rreshid, 281).

Hamza Es-Sehami thekson: “E kam dëgjuar Darekutniun kur thotë: ‘ Ebu Hanife nuk është takuar me asnjë as’hab të Pejgamberit të Allahut s.a.v.s., përveç me Enes ibn Malikun.” (Tebxhid’ul-sahifa, 502).

Pra, sikur që shumë dijetarë kanë vërtetuar, Imam Ebu Hanife pa dyshim ka qenë tabi’in!

Imam Abdulkadir El-Misriu thotë: “As’habët nga të cilët Ebu Hanife ka përcjell hadithe kanë qenë: Abdullah ibn Unejsi, Abdullah ibn Xhez’a El-Zabidi, Enes ibn Maliku, Xhabir ibn Abdullahu, Ma’kul ibn Jasari, Vasila ibn El-Eska’ dhe Aishe bint’ul-Axhred.” (El-Fetava El-Behijje, 42).

Abdullah ibn Xhabir Er-Rraziu përcjell që Ebu Jusufi ka thënë: “E kam dëgjuar Ebu Hanifen kur na ka folur: ‘E kam kryer haxhin me babain tim 93 vjeçar, kure unë kam pasur 16 vjeç. Aty ishte i pranishëm mësuesi (shejh) me shumë njerëz rreth vetes, ndërsa unë e kam pyetur babanë kush është ai. Babai më ka thënë se ai është as’habi i Pejgamberit s.a.v.s. me emrin Abdullah ibn El-Haris ibn Xhez’a. Çka ka ai që njerëzit grumbullohen rreth tij, e kam pyetur babanë. Babai u përgjigj: ‘Hadithet të cilat ai i ka dëgjuar prej Pejgamberit s.a.v.s. nga aty kam kërkuar nga babai që të më çoi më afër tij që të mund ta dëgjoj. Më mori nëpër turmën e njerëzve, derisa nuk iu afrova mjaft afër që të mund ta dëgjoj. E kam dëgjuar se si transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ‘Kushdo që arrin dituri për fenë e Allahut, Allahu do t’ia lehtësojë punët e tij dhe do t’ia jep nafakën prej nga edhe nuk shpreson.’”

Dijetari i madh malikit Ebu Omer ibn Abdulberri, gjithashtu, e ka treguar ngjarjen e njëjtë). (El-Xhevahir ‘ul-mudi’a, 1, 273).
Imam Havarizmi pohon: “Në mesin e meritave dhe virtyteve që nuk i ka pasur askush pas tij është edhe ajo se Ebu Hanife ka përcjell drejtpërdrejt nga as’habët e Pejgamberit s.a.v.s. Dijetarët janë pajtuar rreth këtij fakti, edhe pse ekzistojnë disa mospajtime rreth pyetjes së numrit të saktë të as’habëve.” (Xhami’’ul-mesanid, 1, 22).

Pohimi lart i theksuar vërteton që Imam Ebu Hanife jo vetëm që i ka parë disa as’habë por, gjithashtu, edhe ka përcjellë hadithe nga ata.

Abdur-Rrahman ibn Jusuf

Përktheu: Nexhat Ibrahimi

(Breziiri)