Personalitete

Imam Bejhekiu (384 – 458 H.)

428views

Emri

Ahmed ibn el-Husejn ibn Ali ibn Abdullah ibn Musa, Ebu Bekr el-Bejhaki el-Nejseburi el-Husrewxhirdi esh-Shafi’i el-Esh’arij (384-458), imami jurist (el-fakih), mjeshtri hadithit, autoritet në bazat e doktrinës (usuli), asket i ndershëm dhe i devotshëm, mbrojtës i medhhebit (shafi’ij) në bazat dhe në degët e tij, një prej maleve të dijeve islame. Ai në librat e dijetarëve të Nejseburit dhe të studentëve të tij është i njohur si “el-fakih Ahmed.”

Mësuesit e tij

El-Bejhekiu i takon gjeneratës së tretë të nxënësve të Imam Ebu Hasan el-Esh’ariut.

Ai mësoi kelamin prej dy imamëve Esh’arinjë, Ibn Furakut dhe Ebu Mensur el-Bagdadit.

Ai, mes tjerësh, mësoi fikhun nga Imami Ebu el-Fet’h Nasir ibn el-Husejn ibn Muhammed el-Kurashi el-Umerij el-Merwezi esh-Shafi’i el-Nejseburi (vd. 444).

Mësuesi i tij më i vjetër ishte imami dhe dijetari i hadithit nga Horasani es-Sejjid Ebu el-Hasan Muhammed ibn Husejn ibn Dawud el-`Alewij el-Hasenij el-Nejseburi el-Hasib (vd. 401), i cili ishte poashtu mësuesi i mjeshtrit të hadithit el-Hakim el-Nejseburi.

Ndër mësuesit tjerë të Bejhekiut në hadith është Hakim el-Nejseburi, autori i el-Mustedrek, nxënësi më i dalluar i të cilit ishte Bejhekiu.

Pastaj mjeshtri i hadithit Ebu Ali el-Husejn ibn Muhammed ibn Muhammed el-Rudhabari et-Tusi (vd. 403).

Imami Esh’ari në bazat e doktrinës Ebu Bekr ibn Furak (vd. 406).

Imami, juristi, filologu, dhe mjeshtri i hadithit nga Horasani Ebu Tahir Muhammed ibn Muhammed ibn Mehmish el-Zijadi esh-Shafi’i el-Nejseburi (vd. 410).

Mjeshtri sufi, Imami Esharij, mjeshtri i hadithit, dhe autor i Tabakat es-Sufijja, Muhammed ibn el-Husejn ibn Muhammed, Ebu Abdurrahman el-Azdi es-Sulami (vd. 411).

Muhammed ibn el-Husejn ibn Muhammed ibn el-Fedl el-Kattan el-Bagdadi (vd. 415), i cili ishte mësuesi i Muhammed bin Hibet Allah el-Lelikaiut.

Imami Esharij, juristi dhe hereziologu Ebu Mensur `Abd el-Kahir el-Bagdadi esh-Shafi’i (d. 429).

Asketizmi i tij

Bejhekiu jetonte duke kursyer, sipas mënyrës së dijetarëve të devotshëm. Ai filloi agjërimin e pandërprerë tridhjetë vite para vdekjes së tij. Agjërimi i pandërprerë (sam el-dahr) ishte praktika e disa sahabëve dhe dijetarëve nga selefi si, Ibn Omeri, Uthmani, Ebu Hanife, Shafiu, el-Tustari, el-Kureshi el-Zuhri, dhe të tjerë si Neveviu. Ibn Hibani i ka kushtuar një kapitull në Sahihun e tij temës në të cilën ai, duke komentuar hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s.) “Kush agjëron gjithë jetën e tij as nuk ka agjëruar as nuk e ka prishur atë”, thotë: Ai do të thotë: kushdo që agjëron gjithë jetën përfshirë ditët në të cilën është e ndaluar të agjërohet, si ditët e Teshrikut dhe dy festat (bajramet). Me fjalët “ai as nuk ka agjëruar as nuk e ka prishur atë” ai do të thotë që ai në fakt nuk ka agjëruar gjithë jetën e tij për të marrë shpërblimin për të. Sepse ai nuk e ka lënë (agjërimin) në ditët në të cilat ai e kishte të ndaluar të agjëronte. Kjo është pse Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: “Kush agjëron gjithë jetën, Zjarri do ta ngushtoj kaq,” dhe ka vazhduar të numëroj nëntëdhjetë në gishtat e tij, domethënë ditët në jetën e tij të cilat ai e kishte të ndaluar të agjërojë. Kjo nuk vlen për personin i cili agjëron gjithë jetën e tij – duke qenë (fizikisht) i fuqishëm për këtë – pa agjëruar ditët e ndaluara.

Imam en-Neveviu thotë rreth kësaj teme:

Ibn Omeri ka agjëruar pa ndërprerë, d.m.th., përpos ditëve të festës dhe Teshrikut. Ky agjërim i pandërprerë është mënyra e tij dhe e babait të tij, Omer ibn el-Hattabit, Aishes, Ebu Talhasë dhe tjerëve prej selefit si dhe Shafiut dhe dijetarëve të tjerë. Qëndrimi i tyre është që agjërimi i pandërprerë nuk është i papëlqyer (mekruh).

Ibn Kudameh thotë diçka të ngjashme në el-Mughni dhe shton që qëndrimi i njëjtë është transmetuar nga Ahmedi dhe Maliku, dhe që pas vdekjes së Pejgamberit (s.a.v.s.) Ebu Talha ka agjëruar pandërprerë për dyzet vite, në mesin e sahabëve. Ibn Haxher el-Hejtemiu në el-Hajrat el-Hisan ngjashëm transmeton që Ebu Hanife nuk është parë asnjëherë të haj përpos natën.

Veprat e tij

Veprat e Bejhekiut llogaritën në mesin e thesareve të diturive islame për përpikërinë e tyre, besueshmërinë, dhe pothuaj perfeksionin e tyre sipas vlerësimit të dijetarëve. Në mesin e atyre që janë botuar janë këto:

Es-Sunen el-Kubra, në rreth dhjetë vëllime të mëdha, në lidhje me të cilën es-Subkiu ka thënë: “Asnjë libër i tillë nuk është shkruar ende në shkencë (të hadithit) për sa i përket klasifikimit, renditjes dhe elegancës.”

Marife es-Sunen we’l-Athar, në rreth njëzet vëllime e cila paraqet dëshmitë tekstuale të shkollës shafi’ite nën kapitujt fikhor. Ibn es-Subki thotë: “Asnjë jurist shafi’ij nuk mund të bëj pa të.” Ndërsa babai i tij ka thënë: “Me titullin (e veprës) ai ka dashur të thotë: dija e Shafiut rreth sunneteve dhe ethereve.”

Bejan Khata men Aktha’a ala esh-Shafi’ij (Shfaqja e gabimit të atyre që i kanë atribuuar gabim Shafiut). Ky libër plotëson Sunenin dhe Marifen në paraqitjen e dëshmive tekstuale të shkollës së Shafiut.

El-Mebsut, në fikhun shafi’ij.

El-Esma we es-Sifat (Emrat dhe Cilësitë hyjnore), në lidhje me të cilën Ibn es-Subkiu thotë: “Unë nuk di ndonjë që krahasohet me të.”

El-I’tikad ala Medhheb es-Selef Ehli Sunna we’l-Xhema’a (Doktrinat Islame sipas udhës së selefëve (e cila ësht) Ehli Suneti dhe Xhemati), në rreth dyzet kapituj të shkurtër.

Dala’il en-Nubuwweh (Shenjat e Pejgamberisë) në rreth shtatë vëllime, libri kryesor vëllimor kushtuar ekskluzivisht Pejgamberit (s.a.v.s.), pasi që vepra El-Shifa fi Ma’rif Hukuk el-Mustafa (Ilaçi/Shërimi në lidhje me dijen rreth hakut të të Përzgjedhurit) e Kadi Ijadit është libri kryesor i kondensuar rreth kësaj teme fisnike.

Shu’ab el-Iman (Degët e besimit) në rreth katërmbëdhjetë vëllime, në të cilën el-Bejhekiu ofron një komentim tekstual shterues mbi hadithin e Pejgamberit ku thuhet, “Imani ka shtatëdhjetë e disa degë.”

El-Da’awat el-Kebir (Libri i madh i lutjeve) në dy vëllime, e cila rëndit transmetimet e transmetuar për një çështje sipas rrethanave, sikurse libri el-Edhkar i Neveviut dhe libri i ngjashëm i el-Xhezarit.

El-Zuhd el-Kebir (Libri i madh i asketizmit), e cila rëndit transmetimet relevante të sahabëve dhe sufijve të hershëm sipas titujve të përmbajtjes.

El-Arb’un es-Sughra (koleksioni i vogël i dyzet haditheve), e cila i dedikohet pastrimit të vetes (egos) dhe arritja e sjelljeve të larta.

El-Khilafijjat (Divergjencat [në mes Shafiut e Ebu Hanifes]) për të cilën Ibn es-Subkiu thotë: “Askush nuk i ka paraprirë atij në të shkruar të një libri të këtij lloji, e as s’e ka ndjekur dikush në të shkruar si ajo. Është një metodë e pavarur në shkencën e hadithit që vlerësohet vetëm nga ata që janë ekspert edhe në fikh edhe hadith. Është e vlefshme për shkak të teksteve që përmban.”

Fada’il el-Awkat (Kohëra me merita të veçanta (për adhurim))

Menakib esh-Shafi’ij (Virtytet e Shafiut) në dy vëllime, për të cilën Neveviu tha se është libra më e besueshme rreth meritave të imamit. Ibn es-Subki thotë: “El-Itikadi, Dalail el-Nubuwweh, Shu’ab el-Iman, Menakib esh-Shafi’ij, dhe el-Da’awat el-Kebir, betohem që asnjërës prej tyre nuk i gjendet e shoqja.”

Menakib el-Imam Ahmed (Virtytet e Imam Ahmedit).

Tarikh Hukama el-Islam (Historia e sunduesve të Islamit), etj.

Duhet theksuar se, Dhehebiu thotë që as Suneni i Tirmidhiut, as Nesaiut, as Ibn Maxhes nuk janë i transmetuar Bejhekiut. Dhehebiu thotë, “Sfera e tij në hadith nuk është e madhe, por Allahu e ka bekuar atë në transmetimet e tij për shkëlqyeshmërinë e metodës së tij në to dhe shkathtësinë dhe ekspertizën e tij në çështjet e temave dhe transmetuesve.”

Kjo është e pasaktë, pasi që vepra Sunen el-Kubra e Bejhekiut tregon dije të gjerë të këtyre dy të parave (Sunen-eve të Tirmidhiut dhe Ibn Maxhes). Sfera e tij në hadith është aq përshtypjelënëse e madhe – rreth 300 burimeve – sa që një dijetar ka thënë: “Ky pohim i Dhehebiut është vërtetë i çuditshëm dhe edhe më i çuditshëm që vjen prej një autoriteti të arrirë si Dhehebiu.”

Dr. Nexhm Khalef i përgjigjet këtij pretendimi duke cituar raste nga vepra Sunen el-Kubra për të treguar që Bejhekiu në fakt iu është referuar këtyre dy veprave.

Ndërsa sa për Sunenin e Ibni Maxhes, kjo nuk është dëshmi që atij nuk i është përcjellë kjo vepër, por vetëm që nuk ka cituar nga ajo (siç është rasti me Muslimin i cili në Sahihun e tij nuk transmeton asgjë nga Buhariu, ndonëse është nxënës i tij).

Shkolla Esharite

Ibn es-Subki transmeton që el-Bejhekiu konsideron që referenca e Pejgamberit ndaj njerëzve të Ebu Musa el-Eshariut përfshinte Ebu el-Hasan el-Eshariun dhe shkollën e tij. El-Bejhekiu transmeton me sened nga Ijad Eshariu, i cili tregon se pasi zbriti ajeti “Allahu do të vij me ca njerëz që i do dhe që e duan”, i Dërguari i Allahut dha shenjë kah Ebu Musa Eshariu dhe tha: “Ata janë pasardhësit e këtij”. Këtë e ka thënë për shkak të meritës madhështore dhe gradës fisnike që ka Imam Ebu’l-Hasen Eshariu, i cili është nga familja dhe pasardhësit e Ebu Musa Eshariut, të cilëve ju pat dhuruar dituria dhe kuptimi. Ndërsa Ebu’l-Hasen Eshariu u veçua në forcimin e sunetit (akides islame-sunite), shtypjen e bidatit dhe zgjedhjes së problemeve. Më e kapshme është që i Dërguari i Allahut e ka konsideruar fisin e Ebu Musa Eshariut prej atyre që i do Allahu dhe që e duan Allahun ngase e ka parë saktësinë dhe forcën e besimit të tyre. Andaj ata që ndjekin rrugën e tyre në besim dhe refuzim të përngjasimit (teshbihit) duke mos u larguar nga Kurani dhe Suneti, janë pjesë e kësaj familje.”

Shafi’izmi i tij

El-Bejhekiu është i fundit prej atyre që në mënyrë tërësore ka përpiluar dëshmitë tekstuale për shkollën shafi’ite përfshirë hadithe, qëndimet e imamëve dhe shoqëruesve të tij të menjëhershëm. Imam el-Haremejn ka thënë: “Nuk ka ndonjë shafi’ij që të mos i ketë borxh të madh Shafiut, përpos Bejhekiut, të cilit Shafiu i ka borxh të madh për veprat e tij të cilat imponuan shkollën e Shafiut dhe fjalët e tij.” Dhehebiu komenton: “Ebu el-Meali ka të drejtë! Është ashtu siç ka thënë, dhe nëse Bejhekiu do të donte të themelonte një medhheb të vetin ai do ta kishte të mundur, për shkak të gjerësisë së (dijes së) tij në shkencat dhe dijes tërësore të dallimeve juristike.”

Imam Bejhekiu ishte një mbrojtës i flaktë i shkollës shafi’ite. Njohuria e tij e madhe e hadithit dhe fikhut mund të shihet prej përmbajtjes së veprave të tij, në veçanti në Khilafijjat, Sunen el-Kubra, dhe Marifeh es-Sunen we’l Athar. Ai mjeshtëroi fikhun komparativ, dhe kaloi jetën e tij në dedikim për të mbrojtur shkollën shafi’ite. Siç kanë thënë imamët e medh’hebit shafi’ij, të gjithë shafi’ij i janë në borxh Imam Bejhekiut, madje edhe vet Imam Shafiu!

Vdekja e tij

Imami ndërroi jetë në Nesjebur në vitin 458 hixhrij, në moshën 74 vjeçare.

Allahu e pastë mëshiruar dhe i pastë dhënë Xhenetin (Amin!)

Autor: Dr. Gibril Fuad Haddad (teksti përmban ca ndryshime)

Përktheu: Fatih Ibrahimi