Islamisitikë

Ibadetet e Ramazanit, shanse për përfitime të mëdha

439views

Hfz. Mehas Alija

Secili prej nesh bën përgatitje dhe plane paraprake për aktivitetet e tij të ardhshme, sikur që janë pushimet, festat e ndryshme, shënimi i motmoteve, etj., andaj dhe shumë më shumë do të duhej planifikuar agjenda e cila do të mund të  realizohej në kohën e Ramazanit.

Allahu i Madhërishëm i ka veçuar dhe vlerësuar disa vende në krahasim me disa të tjera, ashtu sikurse i ka veçuar disa kohë në krahasim me kohë të tjera, kurse karakteristikë e këtyre është se adhurimet e bëra në ato vende dhe kohë të veçanta tërheqin shpërblime shumë më të mëdha, se sa në vende dhe kohë të tjera. Kështu që Allahu, nga vendet dalloi Mekken dhe Haremin e saj, xhaminë e Pejgamberit a.s., në Medine dhe xhaminë El-Aksa në Jerusalem, kurse prej kohëve, Allahu e veçoi kohën e dhjetë ditëve të muajit Dhul-hixhe, si dhe tërë kohën e muajit Ramazan.

Agjërimi është mburojë

Ibadeti kryesor në muajin e Ramazanit është agjërimi dhe se, gjatë këtij muaji, nuk ka ibadet më të mirë që mund ta barazohet me të. Është e natyrshme të mendohet se, edhe krahas agjërimit, besimtari duhet të bëjë edhe shumë vepra të tjera të dobishme, por, agjërimin asgjë nuk mund ta zëvendësojë.

Transmetohet nga Ebu Hurejreja, r.a., se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: “Zoti i Madhëruar ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” (Imam Buhari). Ky hadith kudsij na tregon se Allahu i Madhërishëm agjërimin e ka cilësuar si një ibadet i cili kryhet eksluzivisht për Të, ndonëse edhe ibadet e tjera veprohen ne emër të Tij, sikur që është namazi, zeqati, sadakaja, etj. Dijetarët muslimanë kur e shpjegojnë hadithin në fjalë, thonë se kjo është kështu për shkak se vetëm te agjërimi mund vihet në shprehje sinqeriteti i plotë.

Të gjitha ibadetet e tjera janë publike, që shihen nga njerëzit, andaj dhe dikush mund t’i veprojë ato sa për t’u dukur para njerëzve, që dikush ta lavdërojë apo të fitojë simpatinë e tyre, duke mos pasur konsideratën më të lartë se i bënë vetëm për hir të Allahut, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodh me agjërimin. Agjërimi është një vepër e fshehet, që mbetet midis njeriut dhe Krijuesit të tij, andaj dhe ai i cili gjatë tërë ditës e përmban vetën nga ushqimi, pija dhe nga disa gjëra të tjera që prishin agjërimin, ai këtë, më të vërtetë, e bën ekskluzivisht vetëm për Allahun, edhe pse ka mundësi që, në një moment të caktuar, kur nuk e sheh njeri, ta prish agjërimin dhe të konsumojë diç nga gjërat e lartpërmendura.

Ja pra, pikërisht, për këtë sinqeritet që tregon njeriu gjatë agjërimit, Allahu xh.sh., agjërimin ia ka përshkruar Vetes së Tij të Lartmadhërishme.

Një tjetër karakteristikë e agjërimit, në krahasim me veprat e tjera të mira, është se për të ka merita dhe shpërblime specifike. Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., thotë: “Pejgamberi a.s. thotë: Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij. Një e mirë shpërblehet sa dhjetë sosh dhe deri në shtatëqind herë shumëfishohet shpërblimi, e Zoti ka thënë: “Përpos agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, për shkak se njeriu e braktisë ushqimin për Mua, e braktisë pijen për Mua, i braktisë të këndshmet për Mua, e braktisë gruan e tij për Mua. Era e keqe e gojës së agjëruesit është më e mirë tek All-llahu se aroma e miskut. Agjëruesi i ka dy gëzime: njëri gëzim kur të hajë iftar dhe tjetri kur ta takojë Zotin e vet”. (Buhari dhe Muslimi).

Duhet ditur se gjatë agjërimit, njeriu, nuk pengohet vetëm nga haja dhe pija, porse ai tregohet durimtar edhe në sjellje të tjera, sidomos ndaj atyre që klasifikohen si vepra të ndyta, apo të papërshtatshme fetarisht.  Pejgamberi a.s., kur flet për kulturën e agjëruesit, thotë: “Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngre zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: Unë agjëroj, unë agjëroj!”. (Buhariu).

Nga fjalët e bekuara të Pejgamberit a.s. shohim edhe një dimension tjëtër të agjërimit, e që është, që besimtarin, ta largojë nga punët e neveritshme dhe të këqija, siç mund të jenë: fjalët e kota, të bezdisshme dhe të turpshme, veprimet negative, madje edhe debatet dhe diskutimet e padobishme. Ky dimension i agjërimit, për shumë kënd, është më vështirë për t’u realizuar, pasi që shumë kush mund të largohet nga haja dhe pija, duke filluar prej agimit e deri në mbrëmje, por nuk mund t’i lë disa shprehi të shëmtuara, të cilat, gjithsesi e dëmtojnë rëndë agjërimin.

Hazreti Aliu r.a., në një rast është shprehur: “Agjërim nuk është vetëm se të largohesh nga haja dhe pija, por edhe të largohesh nga gënjeshtra dhe bisedat e kota.”

Kurse Xhabir ibn Abdullah r.a. ka thënë: “Kur të agjërosh, le të agjërojë edhe dëgjimi yt dhe shikimi yt, dhe gjuha jote le të jetë larg gënjeshtrës dhe mëkatit. Dinjiteti dhe qetësia le të vërehen qartë tek ti. Dhe mos lejo që ditët me agjërim të jenë të ngjashme me ditët kur, thjeshtë, nuk agjëron.”

Namazi i Taravisë

Allahu, i Mëshirshmi dhe Mëshirëploti, kur flet në suren Edh-Dharijat, Ai lavdëron besimtarët për përkushtimin e tyre në namaz gjatë natës, për çfarë edhe Pejgamberi i Allahut ka nxitur dhe motivuar shokët e tij, por edhe të gjithë muslimanët, për falje (namaz) gjatë natës.

Ebu Umame transmeton se Muhammedi a.s., ka thënë: Falni namaz nate, sepse ka qenë praktikë e njerëzve të mirë para jush, të afron te Zoti, të shlyen mëkatet dhe të mbron nga rënia në mëkate.” (Tirmidhiu).

Imam Muslimi përcjell një tjetër hadith, ku thuhet se Pejgamberi a.s., është pyetur për namazin më të mirë nga nafilet (namazet vullnetare), e ai, s.a.v.s, ka thënë: “Namazi më i mirë pas farzit është namazi i natës.” (Muslim).

Njëherë tjetër, i erdhi Xhibrili a.s., Muhammedit a.s., dhe i tha: “O Muhamed, jeto sa të duash, mirëpo një ditë do të vdesësh, duaje kë të duash, një ditë do të ndahesh prej tij, puno ç‘të duash, do të marrësh shpërblimin e asaj që bën, dije se nderi, krenaria dhe pavarësia e besimtarit (nga krijesat) është namazi i natës.” (Sahih el-Xhami).

Namazi i natës, gjatë muajit të Ramazanit, ka një tjetër formë specifike e që njihet si namazi i taravisë. Ky namaz, tek ne, historikisht ka poseduar dhe posedon një vëmendje dhe respekt të veçantë.

Me këtë rastë dua të vë theksin te shpërblimet e fituar po që se qëndrohet në xhemat derisa të përfundoj namazi i taravisë me imam. Duke folur për vlerën e faljes së këtij lloji të namazit gjatë netëve të Ramazanit, i dashuri ynë, Muhammedi a.s., ka theksuar: “Kush falet dhe e pason imamin, gjersa ai të përfundojë, do t’i llogaritet sikur të jetë falur tërë natën.” (Imam Tirmidhiu).

Andaj, muslimani nuk guxon të jetë i pakujdesshëm ndaj kësaj mirësie të madhe që ofron ky lloj namazi me xhemat. Gjithsesi që duhet të orvatet sa të mundet që taravinë ta plotësoj deri në fund, duke ndjekur pjesën tjetër të xhematit dhe këtë ta bëjë gjatë tërë muajit të Ramazanit.

Tregohet se njëherë, Imam Ahmed ibn Hamberi r.a., është pyetur: “Çfarë është më mirë për njeriun në Ramazan, të falet vetëm apo me xhemat?” Ai ka thënë: “Le të falet me njerëzit, sepse kështu gjallërohet suneti (praktika e Muhammedit a.s.).” Gjithashtu, thuhet se ka thënë: “Është shumë më mirë që taravija dhe vitri të falen me imamin.”

Leximi dhe hatmeja e Kur’anit

Muaji i Ramazanit ndryshe njihet edhe si muaji i Kur’anit, pasi që në këtë muaj ka filluar shpallja e tij. Gjatë këtij muaji të bekuar, muslimanët kanë krijuar një klime dhe traditë të bukur, ku raporti me Kur’anin bëhet më i thekshëm, kështu që shumë kush bënë më shumë se një hatme individuale, dhe në shumë xhami ekziston tradita e mukabeles (këndimit të Kur’anit) para xhematit. Kështu edhe vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s, gjatë muajit të Ramazanit, e lexote Kur’anin përpara melaqes Xhibril, a.s., që me shumë kujdes dhe dashuri e dëgjonte.

Imam Tirmidhiu shënon një hadith kudsij nga Ebu Seidi r.a., në të cilin Allahu i Madhërishëm thotë: “Kënd e largon Kur’ani nga përmendja Ime dhe kërkimi prej Meje, Unë kam për t’i dhënë atij më shumë se ç’më lusin dhe kërkojnë të tjerët. Kurse vlera e fjalëve të Allahut në raport me fjalët e të tjerëve, është sa vlera e Allahut në raport me krijesat e Tij.”

Pra, ai i cili nuk ka kohë shumë që ta lus Allahun xh.sh., për nevojat dhe hallet e tij, duke qenë se është i zënë me leximin dhe këndimin e Kur’anit, Zoti do t’i jap atij më shumë se sa u jep atyre që e lusin vazhdimisht me dua dhe forma të tjera, të cilët në çdo lutje dhe kërkesë shprehin hallet dhe nevojat.

Kjo është një nxitje shumë e fuqishme për lexuesit e Kur’anit që mos të shqetësohen se nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i bërë dua Allahut, sepse Ai ka garantuar se ka për t’i plotësuar të gjitha nevojat e tyre për shkak të meditimit dhe kapjes së tyre pas Fjalëve të Tij.

Sihariqi bëhet edhe më i madh kur këto Fjalë hyjnore bëhen ushqim dhe freski ditore gjatë ditëve të nxehta të Ramazanit që po na afrohen.

Për fund dëshiroj të theksoj se është koha e fundit për ta shfrytëzuar që të përgatitemi për ardhjen e Ramazanit, ashtu që t’i shmangemi urrejtes, xhelozisë, fanatizmit, zënkave të ndryshme, si dhe tërë asaj që është e ulët dhe e keqe në zemrat tona.

Është koha përfundimtare që të pendohemi dhe t’i futemi muajit të Ramazanit me zemra dhe qëllime të bardha, të sinqerta, duke e kaluar këtë muaj si vëllezër të vërtetë muslimanë, si dhe duke shpresuar në shanse të mëdha përfitimesh e shpërblimesh hyjnore.