Globus

Hulumtuesi irlandez kërkon kthimin në Turqi të veprave turke-islame

Historiani irlandez i arteve, i cili jeton në Antalia të Turqisë, Mikail Patrick Duggan (59), zhvillon punime për gjetjen e veprave turke-islame të cilat janë rrëmbyer dhe dërguar jashtë vendit.

Duggan, ligjërues në Institutin për Hulumtimin e Civilizimeve të Mesdheut, është vendosur në Antalia 27 vite më parë, i ndikuar nga historia. Hulumtuesi i historisë turke, i cili pasi përqafoi fenë islame mori emrin Mikail, në Turqi u përqendrua në artin e periudhës së selçukëve.

Ai posaçërisht punon për nxjerrjen në dritë të veprave të para islame në Anadoll, duke zhvilluar punime për kthimin në vendet e tyre të veprave turke-islame të cilat janë rrëmbyer dhe kontrabanduar jashtë vendit.

Për Anadolu Agency (AA), ai rrëfen se kishte vendosur të studionte trojet në të cilat ka jetuar Aleksandri i Madh dhe trojet islame, për shkak të interesimit për to. Ai tregon se fillimisht ishte nisur nga Selaniku, për të ecur rreth pesë mijë e 500 kilometra, konkretisht në qytete të tokave islame, siç janë Egjipti dhe Tunizia, duke shtuar se është bërë musliman duke e hulumtuar fenë islame.

Edhe në Turqi, ai ka shëtitur provinca dhe qytete të ndryshe, ndërsa thekson se për shkak të dashurisë ndaj selçukëve, është vendosur në Antalia. Duggan kishte filluar ta hulumtonte civilizimin që e kishte ndërtuar Minaren Yivli në Antalia pasi e kishte soditur për gjashtë orë të tëra.

“Hulumtoj artin e selçukëve prej 27 vitesh. Sulltani Alaaddin Keykubat i selçukëve të Anadollit është sulltan që ka ardhur deri në Antalia. Unë vendosa që t’i hulumtoj veprat artistike të selçukëve i ndikuar edhe nga ai”, thekson hulumtuesi irlandez.

Ai shton se ka hulumtuar shumë vepra të periudhës së selçukëve në rajon, përfshirë Xhaminë Ahi Jusuf, Xhaminë Alaaddin, Evdir Han, Kirgoz Han, Kalanë e Alanias, Urën Soğucaksu dhe Teatrin Antik të Aspendosit. Përveç Antalias, ai thotë se bën hulumtime edhe në qytetet ku strukturat selçuke janë të pranishme, siç janë Konya, Erzurum, Niğde dhe Aksaray.

Teksa ka zhvilluar aktivitete brenda dhe jashtë vendit lidhur me artin selçuk, Duggan tregon se ka hasur shumë vepra turke-islame të rrëmbyera dhe dërguara jashtë vendit. Ai madje thotë se disa herë ka qenë dëshmitar i kthimit të disa veprave antike, megjithatë, siç thekson, shumica e veprave të rrëmbyera përveç sarkofagëve dhe statujave gjenden jashtë Turqisë.

“Shumë vepra antike të marra nga Turqia po rikthehen në Anadoll në masë të konsiderueshme përmes iniciativave. Kjo është një punë shumë e bukur dhe me vend”, shprehet Duggan, i cili, megjithatë, tha se nuk ka iniciativa të shumta për veprat turke-islame të rrëmbyera nga qytete të ndryshme të Anadollit.

“Për këtë arsye, pasi jam historian i artit që e njoh nga afër perëndimin, ia kam dedikuar veten nxjerrjes në dritë të veprave islame të rrëmbyera nga Anadolli dhe gjetjes së veprave selçuke”, tha ai, duke shtuar se shumica prej tyre gjenden në muze, e një pjesë prej tyre në koleksione private.

Duggan thotë se Ministria e Kulturës dhe Turizmit ndërmerr iniciativa dhe përpjekje, por disa vepra shiten në ankande dhe ministria nuk ka dijeni për to, andaj ai i evidenton ato dhe i informon institucionet relevante.

Sipas tij, ndër veprat më të rëndësishme të artit të rrëmbyera nga Turqia janë veprat e famshme të porcelanit të Iznikut, të cilat, siç thotë, gjenden kryesisht në muze dhe koleksione private në Britani, por edhe në Paris dhe New York.

Përkundër Perëndimit, veprat islame gjenden edhe vendet arabe

Hulumtuesi irlandez Duggan më tej tregon se veprat artistike islame nuk janë rrëmbyer dhe kontrabanduar vetëm në shtetet perëndimore, por edhe në vendet arabe, siç është Kuvajt dhe Arabia Saudite.

Duke cituar një thënie të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, Duggan thotë: “Temeli i Turqisë është kultura e saj. Çdo vepër arti e marrë nga ky vend përfaqëson kulturën e Turqisë. Për këtë arsye, të gjithave duhet dalë zot”.

Sipas tij, ata që kanë mundësuar rrëmbimin e këtyre veprave të artit nga Anadolli e kanë bërë një gjë të tillë për para.

“Ata që shesin pasurinë kulturore për para nuk mund të jenë pjesë e këtij civilizimi”, thekson ai.

“Asnjë shtet perëndimor ose i Lindjes së Largët nuk pranon ekspozimin e veprave të civilizimeve të tyre në ndonjë shtet tjetër. Nëse brezi i ri nuk i sheh këto vepra në vendin e tyre, atëherë si do të mësojnë ata për pasurinë e tyre kulturore”, shton Duggan.

Arti turk-islam

Duke theksuar se çdo zbukurim në artin islam ka kuptimin e tij, Duggan thotë se ka vërejtur se zbukurimet e të gjitha veprave të selçukëve që ka hulumtuar janë bërë me logjikë.

“Jam ndikuar shumë nga dekorimet islame”, shprehet ai.

Duggan paralajmëron se Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit do t’i prezantojë një punim që ka përgatitur lidhur me veprat e kulturës selçuke dhe turke-islame të cilat i ka evidentuar se gjenden jashtë vendit.

Ndërkohë, Mahmut Demir, ligjërues në të njëjtin institut me irlandezin, thotë se Mikail Duggan ka reflektuar edhe te ta emocionet e hulumtimit të historisë së selçkuëve.

“Atë e shohim si një dhunti të madhe për institucionin tonë. Fusha e interesimit të tij është e gjerë dhe ai posedon shumë publikime. Fokusohet në artin selçuk dhe, ndryshe nga historianët standardë të artit, ai beson se ngjyrat kanë kuptime të ndryshme”, thotë Demir për hulumtuesin irlandez Mikail Duggan.