Personalitete

Hoxha i zemrave, 12 vjeta nga vdekja e Jakup Asipit

Tashmë 12 vjet trupi i tij pushon tek varrezat e fshatit në vendin e lindjes së tij, në Sllupçan. Por emri i tij edhe sot e kësaj dite ka jehonë gjithandej, jo vetëm në Maqedoni, por në të gjitha trojet shqiptare. Mjafton të përmedet emri Jakup Asipi dhe menjëherë pasojnë fjalët më të mira që mund ta përshkrujnë një individ. Veprimtaria e tij shumë e pasur kombëtare dhe fetare ka bërë që ai të mbetet në mendjet e secilit që ka pasur rastin që ta takoj ose të paktën që ka dëgjuar ndonjëherë për të.

Më 7 janar të vitit 2006, familja Asipi, mori lajmin më tronditës, atë të vdekjes së tashmë të ndjerit hoxhë Jakup Asapit, për shkak të një aksidenti automobilistik në autostradën Shkup-Kumanovë.

Edhe përkundër intervenimeve të shpejta mjekësore, pas 3 orëve ai ndërroi jetë në Klinikën e Shkupit. Askush nuk donte ta besonte këtë dhe asesi nuk pajtoheshin me këtë fakt.

Bajram Ramadani, familjar i Jakup Asipit

“Ndrrimi jetë i hoxhës ishte me të vërtetë një humbje e madhe jo vetëm për familjen tonë, por sigurisht një humbje e madhe për tërë fshatin tonë, por edhe shoqërinë në përgjithësi, sepse figura e hoxhës apo personaliteti i tij, aktiviteti i tij, puna e tij, pos tjerash ishte një mision shumë i lartë, shumë i madh, shumë frytëdhënës dhe lirisht mund ta quaj një Rilindas i kohës në të cilën jetuam ne”.

Mendje ndritur, i palodhshëm, i guximshëm, atdhedashës, luftëtar, modest, orator, ligjërues i përpiktë, ishin vetëm disa nga tiparet që atë e karakterizonin si individ me të cilat la gjurmë gjithandej. Ai ishte shumë i dashur për të gjitha grupmoshat për shkak se arrinte të përshtatej me të gjithë, e veçanërisht me rininë.  Si një imam dhe një menaxher i mirë i çështjeve të fshatit, ai ka ndikuar shumë pozitivisht në organizimin e banorëve të fshatit. Ndikimi i tij i jashtëzakonshëm ishte në vitin 2001, kur me veshje të UÇK-së u paraqit në opinion dhe ka kërkuar angazhimin masiv të popullatës.

Bajram Ramadani, familjar i Jakup Asipit

“Si pjesëmarrës aktiv në luftën e vitit 2001, që ishte një motivues, frymëzues, një dhënës i moralit tek të rinjtë. Por mos të harrojmë se edhe gjatë periudhës paraprake të kësaj lufte, ai zhvilloi aktivitete të njëpasnjëshme për ta përgatitur rininë në rast të ndonjë lufte eventuale”.

Dhoma e tij është përplotë e mbushur me libra, të të gjitha sferave dhe me medalje që I kishte fituar edhe si student, pastaj edhe si pjesëtar i UÇK-së, gjegjësisht si komandant.

Përvoja e tij plotë 30 vjeçare filloi duke qenë imam në fshatin Nikushtak, e përfundoi duke qenë në postin e Myftiut në Myftinisë së Kumanovës. Ai vazhdon të jetë burim i pashterrshëm diturie. Frutet e veprimtarisë së tij vazhdojnë edhe pasi ndërroi jetë. Ekzistojnë më shumë se 600 ligjërata në formë audio dhe video mbi fenë islame, ndërsa ka shkruar mëshumë se 4 vepra, prej të cilave janë botuar vetëm dy: “Për diturinë” dhe “Sinqeriteti”. /SHENJA/