Globus

Holandë, muslimanët vizitojnë Shtëpitë e të Moshuarve

Muslimanët vullnetarë në Holandë, në mesin e të cilëve janë edhe refugjatët, çdo javë vizitojnë Shtëpitë e të Moshuarve dhe i bëjnë të lumtur banorët e këtyre shtëpive, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vizitat e shtëpive të të moshuarve, të organizuar nga Omalief dhe Fondacioni Islam Color, vullnetarët në ditë të caktuara të javës vizitojnë të moshuarit e vetmuar dhe u ndihmojnë atyre duke treguar kujdesje të veçantë për ta. Vullnetarët, në ditët me mot të mirë, shkojnë në treg me të moshuarit dhe marrin pjesë në aktivitete kulturore.

Rie van der Vegte, 91 vjeç nga Shtëpia e të Moshuarve “Robinjnhof” në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se ndjehet shumë i lumtur për atë që vullnetarët qëndrojnë pranë tij.

“Jam i kënaqur për vizitat që po i bëjnë. Kjo çfarë bëjnë ata ka një domethënie shumë të veçantë për mua. Unë pres me katër sy ditën e martë kohën se kur do të vijnë ata”, tha Van der Vegte.

Kryetari i Fondacionit Omalief, Mustafa Kush tha se qëllimi i tyre është që të jenë të dobishëm për të moshuarit, duke treguar edhe bukuritë e fesë islame dhe të kulturës turke.

“Të moshuarit holandezë në masë të madhe janë persona të cilët janë të vetmuar. Ne u afrohemi dhe i mbrojmë këta të moshuar, të cilët nuk janë nga feja dhe raca jonë. Në të vërtetë nuk po bëjmë shumë gjëra, ne u kushtojmë atyre vëmendjen dhe dashurinë. Ata bëhen miq me ne. Një gjyshe e moshuar nuk deshi të jetonte para se të njoftohej me ne, por ajo hoqi dorë nga vdekja pasi ne filluam të kujdesemi për të”, tha Kush.

Ai tha se kanë marrë çmime të ndryshme, përfshirë edhe dy çmime nga Familja Mbretërore në Holandë. “Ne jemi ftuar nga ministra dhe kryetarë komunash të ndryshme për ta ofruar këtë projekt edhe tek njerëzit tjerë”, thekson Kush.

Korhan Tunca, vullnetar nga Fondacioni Islam Color tha se të moshuarit me sëmundjen e demencës i kujtojnë vullnetarët dhe i presin ata me plotë gëzim.

“Kur i shohim ata të lumtur, edhe ne ndjehemi të lumtur. Kur fillova ta bëj këtë gjë, e kuptova më mirë vlerën e rinisë. Të qënit i dobishëm për shoqërinë më bën të ndjehem shumë mirë”, thotë Tunca.