Hixhreti – pikënisja e kalendarit islam dhe ndjenja e përgjegjësisë

Dr.Bashkim Aliu

Çdo vit, muslimanët në katër anët e botës e përkujtojnë ngjarjen e rëndësishme të historisë së fesë sonë, hixhretin-shpërnguljen, ngjarje kjo që pati jehonë të madhe në botë, dhe pas saj, jeta e muslimanëve mori frymë të re të organizimit. Pas kësaj ngjarje, muslimanët u bënë subjekt i rëndësishëm në hartimin e historisë, ata u paraqitën faktor kyç dhe me influencë në skenën botërore dhe lanë gjurmë të thella në sfera të ndryshme të jetës njerëzore. Marrë parasysh rëndësinë e madhe që ka Hixhreti në historinë islame, kalifi i dytë, Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, vendosi që kjo ngjarje të jetë pikënisje e kalendarit të muslimanëve, gjegjësisht atij lunar, edhe pse për këtë çështje u dhanë propozime të ndryshme, si: ditëlindja e Muhamedit s.a.v.s., zbritja e Kur’anit, ndodhia e Miraxhit, vdekja e Muhamedit s.a.v.s., etj.

Kur zihet në gojë hixhreti, si zakonisht mendohet apriori në historinë e tij dhe ndodhitëdhe zhvillimet  e lidhura për të, ngase njeriu është i prirur që të senzibilizohet nga ngjarjet e një ndodhie historike si Hixhreti, e cila ndodhi është plotë skena frymëzuese dhe udhëzuese për muslimanët. Megjithatë, krahas aspektit historik, ngjarjet historike duhet vështruar edhe nga aspekti i të qenit burim për mesazhe dhe mundësi për frymëzim për gjeneratat e umetit islam në çdo kohë. Hixhreti  na mëson për shumë gjëra, na jep udhëzime dhe instruksione kuptimplota për jetën dhe për shoqërinë krahas diversitetit të saj të mundshëm etnik, religjioz dhe të traditave. Kështu, në mesin e mësimeve dhe mesazheve të shumta të Hixhretit, është edhe mësimi i Hixhretit për ndjenjën e përgjegjësisë.

Islami i edukon bijtë e vet në frymën e mirëfilltë të nevojës së bërjes së kthesave dhe ndryshimeve vendimtare e madhështore në shoqëri. Ky projekt dhe këto obligime madhështore, nuk mund të kryhen në mënyrë individuale dhe duke ia ngarkuar tërë barën një personi, por ato mund të bëhen në mënyrë kolektive, ku përgjegjësinë e ndryshimeve shoqërore dhe lëvizjes së rrotës së ndryshimeve kah e mbara, e ndiejnë të gjithë pjestarët e shoqërisë islame, e me theks të veçantë ata të cilët kanë horizont më të gjërë të ideve dhe aspirata më të larta për ardhmëri të ndritshme.

Hixhreti i të Dërguarit të Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe shokëve të tij, jashtëzakonisht bukur na e paraqet këtë të vërtetë. Nëse e ndjekim me kujdes zhvillimin e kësaj ndodhie madhështore, do të shohim inkuadrimin e plotë të të gjithë elementeve të shoqërisë islame në këtë proces. Çdo njëri prej tyre me interesim të madh dhe koncentrim të plotë e ndiqte rrjedhën e Hixhretit, i bënte përgaditjet e duhura dhe i përcaktonte terminet dhe mënyrën e kryerjes së këtij veprimi në mënyrë precize. Poashtu, nga ana tjetër, banorët e Medines ishin vënë në gjendje të plotë gatishmërie, i kishin marrë të gjitha masat e parapara për t’i pritur dhe vendosur vëllezërit e tyre muslimanë nga Meka. Ky interesim edhe më tepër u rrit me rastin e pritjes së Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, kur medinasit çdo ditë dilnin në kodrat afër Medines për ta pritur dritën e njerëzisë, të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin, paqja e Allahut qoftë mbi të. Ndërkaq, rasti i Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, gjatë shpërnguljes, së bashku me të Dërguarin e Allahut, interesimi i tij maksimal për këtë çështje, pyetjet e tija të shpeshta të Dërguarit të Allahut se a i ka ardhur leje prej Allahut të Madhërishëm për shpërngulje, blerja e deveve për udhëtim, pritja e tij momentin e shpërnguljes, si dhe kryerja e amanetit nga ana e Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, flasin për domosdoshmërinë e mbajtjes së përgjegjësisë më të madhe mbi supet e veta nga ana e njerëzve me kualitete dhe ideale më të larta, nga ana e atyre të cilët kanë aspirata për të bërë diçka më madhështore në ardhmëri.

Kjo duhet t’i shërbejë mbarë umetit si mësim i mirë për përgjegjësinë që ka para Allahut të Madhërishëm në eliminimin e dukurive negative të cilat janë paraqitur në shoqëritë e tyre, dhe ngritjen e platformës islame si alternativë reale dhe konkrete për shoqëri të shëndosha, kohezive, stabile dhe progresive. Në veçanti, kjo duhet të vlejë për veprimtarët islam të cilët identifikohen si promotorë të lëvizjeve islame dhe kanë aspirata më të larta. Ata të gjithë duhet të jenë në këtë çështje si Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu dhe shokët e tjerë të të Dërguarit të Allahut, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, të cilët ishin të përkushtuar maksimalisht për zhvillimin e shoqërive dhe ngritjen e jetës në to në piedestale më të larta të vlerave morale.

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply