Hafiz idriz Hoxha (1874-1946)

Hafiz Idriz Hoxha lindi në vitin 1874, në mahallën e “Mulla Jusufit” në Gjakovë. Rrjedhë prej një familje të njohur hoxhallarësh, një familje e madhe e cila ka tre mbiemra, Mullahasani, Mullashabani dhe Mullamuslija, prej të cilës vjen Hafiz Idrizi.

Mësimet fillestare i kreu në Medresenë e Vogël në Gjakovë, kurse në mejtepin e “Halil Efendisë” afër medresesë, kreu hifzin, mësimin e Kur’ anit përmendësh në moshën 16 vjeçare, në vitin 1900.

Mësime e larta i vazhdoi në Shkup në shkollën e quajtur “Dar-ul Mualiminë” e cila ishte një nga shkollat më me emër në tërë Ballkanin, në vitet e fundit të Perandorisë Osmane. Në këtë shkollë mësuan, u edukuan, u arsimuan shumë shqiptarë nga Kosova, në veçanti nga Gjakova.

Pas diplomimit në shkollën e lartpërmendur në Shkup, Hafiz Idriz Hoxha u kthye në Gjakovë, ku shërbeu si imam, mësues, predikues në xhaminë e “Mulla Jusufit”, në mahallën ku kishte lindur dhe aty shërbeu deri në fund të jetës për më se 40 vite. Këtu vlen të shënohet se xhamia e “Mulla Jusufit” është ndërtuar prej parardhësve të Hafiz Idrizit, në vitin 1854, prej tri familjeve të cilat janë, familja Mullahasani, Mulla shabani dhe Mullamuslija.

Hafiz Idriz Hoxha përveç detyrës së imamit, mësuesit e predikuesit, që i kryente me përkushtim, dallohej edhe për një veçori – nuk pajtohej që vëllaznit shqiptar, besimtar, të jetojnë në hasmëri. Ka ndërmjetësuar me guxim, urtësi nëpër Gjakovë, rrethinë e Malësi, ka pajtuar mbi 200 raste të ndryshme të familjeve të hasmuara, të cilat me fjalët e Hafiz Idrizit, n’Emër të Zotit, sërish janë pajtuar, janë vëllazëruar.

Ndërroi jetë në vitin 1946 në moshën 68 vjeçare, duke lënë një emër të mirë që ende përmendet në Gjakovë, Malësi, Kosovë e Shqipëri.

Mexhid Yvejsi

Hafizët e Gjakovës – Krenaria e Kosovës

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply