Trashëgimi

Hafëz Ibrahim Dalliu – shembulli konkret i kontributit për shkencë

Hyrje

Është obligim yni që të bëjmë studime e hulumtime serioze për dijetarë e atdhetarë, që ishin fetarë, duke botuar monografi, artikuj gazetash e studime të posaçme shkencore. Veprimtaritë fetare, kulturore e shkencore për aktivistët e shquar, si: Haxhi Vehbi Dibra, Hafëz Ali Korça, Said Najdeni, Ferid Vokopola, etj., janë të shumta, e një rol të tillë me sukses e ka kryer dhe po e kryen revista jonë “Dituria Islame”.

Duke studiuar në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, materiale të tilla gjen mjaft, qoftë nga ligjërata e profesorëve apo edhe nëpër librat që gjinden në bibliotekën e këtij fakulteti. Ndaj me dëshirën e madhe për t’ i kontribuar kësaj shkence, hulumtova për figurën e njohur shumëdimensionale të hfz. Ibrahim Dalliut.
Është obligimi ynë që t’i ndriçojmë këto figura Është obligimi yni të shkruash për figurat islamo-shqiptare, jo vetëm për t’i ndriçuar ato, ngase sistemi që e lamë pas i mbuloi e deshi që t’ i humbiste fare, por edhe nga shkaku se aktivitetet e tyre janë model për ne. Numri i tyre është i pafund së bashku me aktivitetet e tyre në fushën e islamistikës, kulturës, publicistikës e politikës. Është në interes për shkencën dhe për popullin që t’u bëhet një rivlerësim figurave të fesë islame, meqë roli i tyre në mbrojtje të interesave kombëtare ishte mjaft domethënës.(1)

Kush ishte Ibrahim Dalliu?

Për Ibrahim Dalliun ekzistojnë shumë shkrime e studime, duke ndriçuar shumë nga aktivitetet e tij kombëtare, letrare, por edhe fetare, andaj nuk është asnjëherë e tepërt që të hulumtohen aktivitetet e tij shumëdimensionale. Ka qenë prirje që figurën e hfz. Ibrahim Dalliut ta lënë jashtë, për ta lënë në harresë, për mos ta dashur. Por gjurmët e tij janë të pashlyeshme nëpër kujtesën e popullit, nëpër shkrimet e tij të shumta.
Ekzistojnë libra të shumta nga dijetarët islam, të cilët i janë përkushtuar të kuptuarit dhe të interpretuarit sa më të mirë të fjalës së Zotit. Edhe nga shqiptarët kishte mufesir të spikatur, e i tillë ishte edhe hafëz Ibrahim Dalliu. Në islamistikën shqiptare do të mbetet njëri nga ata që vunë gurin e themelit në përkthimin e Kurani Kerimit.(2)
Shqiptarët qysh në fillim të vitit 1920, në revistën “Dajti” e më vonë edhe atë “Zani i Naltë” sollën shkëndija të përkthimeve e të komentimeve të Kuranit. Tefsiri i Dalliut, i quajtur” Ajka e Kuptimeve të Kurani Qerimit”, mund të llogaritet si një prej burimeve të tefsirit dhe metodës së tefsirit bashkëkohor ë, në veçanti te shqiptarët. Po të bënim një krahasim me figurat e njohura të kohës së tij, hfz. Dalliu i përngjanë shumë reformatorëve të mëdhenj, si Muhamed Abduhu, Xhemaludin Afgani, Hasan Tahsini (në fushën e arsimit), Muhamed Ikbalit etj.

Biografi e shkurtër

Hafëz Ibrahim Dalliu, u lind më 1878 në Tiranë, rrjedh nga një familje e njohur fetare shqiptare. Pothuajse mbarë familja Dalliu ka qenë fetare, duke filluar nga i ati, Mustafa Dalliu, i cili ishte hafëz i Kuranit, e deri te djemtë e tij Hysniju (haxhi), Aliu (hafëz dhe haxhi), si dhe Ibrahimi hafëz. Si fëmijë u edukua në frymën fetare të familjes dhe duke ndjekur këtë rrugë vendosi të studionte në Stamboll.(3)
Studimet atje për fat të keq i ndërpreu për arsye ekonomike. Bëri jetë aktive shkencore e sociale, në radhë të parë fetare. Atje ku ishin ngjarjet e mëdha të vendit, ishte e pamundur të mos vërehej edhe hfz. Ibrahim Dalliu. Ai bashkëpunoi edhe me deputetin e Perandorisë Osmane, Hasan Prishtinën, si dhe me figurat e jetës kulturore, si Ismail Ndroqi, Hasan Vogli, Ibrahim Hasanaj, Luigj Gurakuqin etj. Dalliu mendonte se funksionarët e xhamisë dhe të gjithë besimtarët myslimanë kishin nevojë të menjëhershme për literaturën fetare në gjuhën shqipe, prandaj nxitonte qysh kur ishte në auditorët e shkollës, që fillimisht djemve e vajzave t’ua mësonte shkrimin e leximin e shqipes, dhe për këtë sapo u kthye në atdhe, mori përsipër detyrën e mësuesit në një nga shkollat e para të Tiranës (1904).(4)
Më pas do të merrte pjesë edhe në Kongresin e Manastirit më 1908, si dhe në atë të Elbasanit më 1909, si përfaqësues i popullit të Tiranës, dhe do të ishte ndër pedagogët e parë të Normales së Elbasanit, përkrah shumë figurave të njohura. Ai gjithashtu mori pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, si dhe në Kongresin e Lushnjës më 1920. Me themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, u shtrua nevoja edhe e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, gjë të cilën do ta kryente hfz. Ibrahim Dalliu. Zhvillimi i kulturës islame, shtypi publicistik dhe ai fetar, beteja dhe lufta për mbrojtjen e pavarësisë, lidhen me veprat e hfz. Ibrahim Dalliut.(5)
Me pushkë në dorë, e me Kuran nën sqetull ai iu priu vullnetarëve të Tiranës si komandat për ta mbrojtur vatanin kundër agresorëve jugosllavë.
Hafëz Ibrahim Dalliu, si një punëtor shkencor, përkthyes e publicist, me shkrimet e veta mund të radhitet në mesin e teologëve të kohës, si hafëz Ali Korça, Hasan Qosja, Ismajl Ndroqi, Rexhep Voka etj.(6)
Duke punuar me fëmijë e të rinj, hfz. Dalliu u bë i njohur në popull dhe gëzonte një respekt të dalluar. Ai shquhej në trupin pedagogjik të normales, si edukator dhe gjithmonë i gatshëm për biseda me të rinjtë.
Me gjithë vështirësitë e shumta, ai nuk u shkëput nga detyra e imamit në faltoret e qytetit të lindjes. Ishte veprimtar i dalluar në shumë fusha,veçanërisht në fushën e arsimit(7) Nga tiparet e tij mund të veçojmë se ka mbajtur syze me dioptri shumë të madhe.(8) Ky hoxhë intelektual, pas vuajtjeve dhe nënçmimeve të shumta në burg, dhe me shëndet të thyer, vdiq në Tiranë në vitin 1952.(9)
Ai kishte vetëm një djalë, i cili ka vdekur dhe nuk ka lënë asnjë trashëgimtar tjetër. Ashtu siç nuk ka lënë as pasuri. Por trashëgimia e tij është dituria, janë librat e shumtë, siç thuhet në hadithin e Muhamedit a.s.:
“Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve. Ata nuk kanë lënë trashëgimi dinarë e as dërhemë, ata vërtet kanë lënë si trashëgimi dijen.”(10)

__________________
(1) Mr. Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vilajetin e Kosovës ,(1878-1912), Prishtinë 20U, f.U.
(2) Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë, Leksikon 9 shek XVIII-2010) Prishtinë 2010, f.,85.
(3) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Enciklopedi 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame shekulli XIX-XX,Tiranë, 2012, f.80.
(4) K. M.Sh., Enciklopedi 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame shekulli XIX-XX,Tiranë, 2012, f.80.
(5) Dr.Ramiz Zekaj ,Zhvillimi I kulturës islame të shqiptarët gjatë shekullit XX,Tiranë 1997.f, 309.
(6) Dr. Ismail Bardhi, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kuranore,Logos A Shkup 1419/1998, f.76.
(7) Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë, Leksikon 9 shek XVIII-2010) Prishtinë 2010, f.U,85.
(8) Intervistë me Adnan Dalliun djali i vëllait të hfz .Ibrahimit -Ismajli, fq. 87.
(9) Ismail Bardhi, e cituar,f. 91.
(10) Ebu Davudi, Tirmidhiu.

Fetije Gashi
Dituria Islame 320