Gratë dhe fëmijët e Arakanit, më të prekurit nga dhuna

Që nga fillimi i dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit më 25 gusht nga ana e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve fanatikë, gratë dhe fëmijët kanë qenë ata që më së shumti kanë vuajtur nga ky persekutim, raporton Anadolu Agency (AA).

Shumë gra të Arakanit që kanë arritur të mbijetojnë pas një udhëtimi të rrezikshëm, arrijnë në kufirin e Bangladeshit me rrëfime për përdhunime, masakra ndaj civilëve dhe djegie të fshatrave.

Ndërkaq, pas vendosjes në kampet e përkohshme në rajonin Cox’s Bazar në Bangladesh nga ana e qeverisë së këtij vendi, muslimanët Rohingya përballen me kequshqyerje dhe sëmundje epidemike.

Qindra gra Rohingya detyrohen të lindin foshnjet në kushte të pashëndetshme dhe të vështira.

Sipas të dhënave të publikuara nga zyrtarët shëndetësorë të Bangladeshit, 18.523 gra shtatzënë dhe 42.541 fëmijë nga muslimanët e Arakanit që kanë ikur në këtë vend përballen me probleme serioze shëndetësore.

Të pyetura se cila është shpresa e tyre për foshnjet e tyre, ato përgjigjen se gjëja e vetme që dëshirojnë për fëmijët e tyre është që ata “të jetojnë”.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar rreth 200 fshatra. Dhjetra mijëra muslimanë të Arakanit ende përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, Lumit Naf ose rrugëve detare.

Artikuj të ngjashëm: