Globus

Gaza, rritet në 61 numri i dëshmorëve palestinezë

217views

Numri i palestinezëve që ranë dëshmorë si pasojë e hapjes zjarr nga ushtria izraelite ndaj protestuesve të cilët në kufirin e Gazës dëshironin të protestojnë hapjen e ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe të përkujtojnë 70 vjetorin e Nakba-së (Fatkeqësia e Madhe) është rritur në 61, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë së Palestinës thuhet se në protestat e mbajtura që nga dita e djeshme e deri më tani në lindjen e Gazës, numri i palestinezëve që ranë dëshmorë është rritur në 61, me martirizimin e palestinezit 51 vjeçar të quajtur Nasir Ahmed Gurab. Në deklaratë njoftohet se edhe numri i të plagosurve është rritur në më shumë se 2 mijë e 770.

Gjithahshtu njoftohet se 8 prej dëshmorëve janë fëmijë të moshës nën 18 vjeçare, kurse 225 prej të plagosurve janë fëmijë dhe 86 prej të tyre gra.

Palestinezët, të cilët ditën e djeshme ngritën tenda në kufirin e Gazës me Izraelin, zhvilluan protesta gjithëpërfshirëse nën moton “Marshimi milionësh” për të protestuar kundër zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe me rastin e 70 vjetorit të “Nakba”-s ose “Fatkeqësia e Madhe”, e cila paraqet përvjetorin e themelimit të Izraelit.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 6 dhjetor të vitit 2017 njoftoi se ka njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe se do të zhvendosë ambasadën e shtetit të tij nga Tel Avivi për në Kuds. Pas kësaj deklarate, dje me një ceremoni zyrtare u bë hapja e ndërtesës së re të ambasadës.