Personalitete

“Fuat Sezgin, jetën ia kushtoi historisë së shkencave islame”

274views

Prof. Dr. Fuat Sezgin i cili jetën e tij ia kushtoi shkencave islame ndërroi jetë në moshën 94 vjeçare, shkruan Anadolu Agency (AA).

Fuat Sezgin lindi më 24 tetor të vitit 1924 në qytetin Bitlis. Ai ka kryer shkollën e mesme në qytetin Erzurum, ndërsa më pas më 1943 ka shkuar në Stamboll.

Sezgin, i cili ishte student i njërit prej ekspertëve më të njohur të fushës, orientalistit gjerman në Institutin e Hulumtimeve të Orientalistikës Helmut Ritter, me rekomandimin e tij iu drejtua shkencave islame.

Sezgin pasi përfundoi Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Stambollit në vitin 1951, kreu doktoraturën e Gjuhës dhe Letërsinë Arabe. Ai ka kryer tezën e doktoraturës me temën “Burimet e Buharit”, ndërsa në vitin 1954 u bë profesor i asociuar. Sezgin me këtë punim të tij, ka argumentuar se Buhari, i cili ka një vend të rëndësishëm në kulturën islame, bazohet në burime të shkruara e jo vetëm në ato gojore, ashtu siç konsiderohej më parë.

Pas një grusht shteti ushtarak në Turqi, Sezgin në vitin 1960 me vendosjen e emrit të tij në listën e 147 akademikëve të dëbuar nga universitetet, u largua nga Turqia dhe vazhdoi karrierën e tij akademike në Universitetin e Frankfurtit.

Tezën e dytë të doktoraturës të shkruar për temën e Jabir ibn Hayyan, Sezgin ia prezantoi Univeristetit të Frankfurtit, përkatësisht institutit ‘Institut für Geschichte der Naturwissenschaften’. Ai një vit më pas e fitoi titulin e profesorit, kurse në të njëjtin vit u martua me Ursula Sezgin, e cila po ashtu ishte orientaliste. Në vitin 1970 lindi vajza e Sezgin, e cila u quajt Hilal.


Sezgin, i cili në vitin 1967 kishte përfunduar vëllimin e parë të veprës më gjithëpërfshirëse të shkruar deri më tani në këtë fushë, Historia e Shkencës Arabo-Islame, ishte duke e shkruar vëllimin e 18-të të kësaj vepre.

Sezgin njihte shumë mirë 27 gjuhë, përfshirë edhe atë siriake, hebraike, latinishte, arabe dhe gjermane.

– Ka themeluar Bibliotekën e Historisë së Shkencave me 45 mijë vepra

Prof. Dr. Fuat Sezgin themeloi Muzeun e Historisë së Shkencave Islame në Frankfurt, ku prezantohen më shumë se 800 shembuj nga gjetjet e shkencëtarëve të kulturës islame.

Në të njëjtën ndërtesë ndodhet edhe Biblioteka e Historisë së Shkencave, që përmban mbi 45 mijë vepra, të cilat i ka mbledhur me një kujdes të madh e probleme dhe vështirësi të shumta. Në këtë bibliotekë, e cila është biblioteka e vetme e dedikuar për historinë e shkencave islame, disa prej veprave janë kopje të vetme orgjinale.

“Muzeu i Shkencave dhe të Historisë së Teknologjisë Islame” me përpjekjet dhe punën e jashtëzakonshme të Sezginit është hapur në Parkun Gulhane të Stambollit, ku ndodhen rreth 700 vepra, pothuajse të gjithë të dhuruara si donacion.

Me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të Muzeut të Shkencave dhe të Historisë së Teknologjisë Islame, në vitin 2010 u themelua Fondacioni Kërkimor mbi Historinë e Shkencës Islame Prof. Dr. Fuat Sezgin.

Në vitin 2013 në kuadër të Universitetit Fatih Sultan Mehmet u themelua Instituti i Historisë së Shkencave Islamie Prof. Dr. Fuat Sezgin.

Prof. Dr. Fuat Sezgin ishte anëtar i akademive të shumta ndërkombëtare, ku gjatë jetës së tij ka fituar çmime dhe është dekoruar për arritjet e tij shkencore, në akademitë e shteteve të ndryshme si në Egjipt, Siri, Marok, Irak dhe Turqi.

Ai po ashtu ka marrë titullin Doktor Nderi nga universitete të ndryshme në Turqi. Ai ka fituar edhe Çmimin e Madh për Kulturë dhe Art të Presidencës Turke.

Fuat Sezgin ka marrë çmime të shumta edhe në Gjermani, si pllaketa Frankfurt am Main Goethe, medalja për Shërbime të Larta në Gjermani, Medalja për Shërbime Federale të Shkallës së Parë, Çmimin Kulturor Hessen si dhe çmime në shtete të tjera si në Iran.

Muzeu i Shkencave dhe Historisë së Teknologjisë Islame të themeluar nën kryesimin e Prof. Dr. Fuat Sezgin, në vitin 2016 ka marrë Çmimin Special nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit së Turqisë për vepra me cilësi të larta.