Islamisitikë

Fshatari i urtë dhe qytetari i mençur

1.02Kviews

(Tregim këshillues)

Një fshatar po ecte rrugës me një kalë të ngarkuar me dy thasë. Duke ecur atë e arriti një qytetar elegant, i cili e pyeti:
– Çka ke aty në thasë? – Në njërin ka drithë, kurse në tjetrin gurë, u përgjigj fshatari.
– Po çka të nevojiten gurët? – përsëri i tha qytetari. – Që të mos shtrembërohet ngarkesa! – me urtësi u përgjigj fshatari.
– Ama, për hir të Zotit – tha qytetari, çfarë mendje është kjo, që kot ta bartësh një thes me gurë. A nuk do të ishte më lehtë që drithin ta ndash në dy thasë, dhe përsëri ngarkesa nuk do të shtrembërohet, ndërsa do të jetë dyfish më e lehtë!
– Pasha Zotin, ke të drejtë, tha fshatari – mua asnjëherë kjo nuk më ishte kujtuar. Sigurisht ti qenke ndonjë kokë e mençur. Atëherë eja më ndihmo që ngarkesën ta ringarkojmë.
Kështu fshatari e ndaloi kalin, e lëshoi ngarkesën në tokë, i hodhi gurët, e ndau drithin në dy thasë, e ngarkoi përsëri dhe vazhduan rrugën.
– Vetë Zoti të dërgoi tek unë, i tha fshatari qytetarit – po shihet në ty se je i mençur dhe i përshtatshëm në çdo gjë. Pash Zotin, më thuaj sa kuaj i ke ti?
– Asnjë? – tha qytetari.
– Po lopë, sa ke?
– Asnjë!
– Po dele?
– Asnjë!
– Shtëpi, ndoshta ke?
– Jo nuk kam, jam me qira te një tregtar! – u përgjigj qytetari.
Kur i dëgjoi këto fjalë, fshatari e ndali kalin, pa folur asgjë, e zgjidhi ngarkesën, i hoq thasët, krejt drithin e vendosi në një thes, kurse thesin tjetër e mbushi me gurë, dhe përsëri e ngarkoi kalin siç ishte më parë.
– Po çka bëre ashtu? – e pyeti qytetari.
– Largohu nga unë sa më larg, edhe ti edhe mendja jote – i tha fshatari. Unë kështu veproj tash 50 vjet, ashtu siç më kanë vepruar edhe babai im dhe gjyshi, kështu që unë kam shtëpi, kuaj, lopë dhe dele, kurse ti nuk ke as qen as macë. Nëse të dëgjoj ty, pasha fenë, do t’i humbas të gjitha këto që i kam! – tha me mençuri fshatari.

Përshtati: Miftar Ajdini