Hadith

Frika prej Zotit e bëri që t’i thotë këto fjalë…

Transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Një njeri asnjëherë në jetën e vet nuk ka bërë ndonjë vepër të mirë, përveç se ka besuar në Njëjësinë e All-llahut xh.sh. (Tevhid). Kur iu afrua vdekja, i tha familjes së vet: “Kur të vdes më digjni në zjarr, ashtu që të bëhem hi, e pastaj hirin një ditë kur do të fryjë era ta gjuani në det”. Familja e tij ashtu edhe veproi. All-llahu i Madhëruar kur ia mori jetën dhe kur erdhi në dorën e Tij, Ai e pyeti: “Çka të shtyri të veprosh ashtu?” U përgjigj: “Frika prej Teje”. All-llahu i Madhërishëm për këtë frikë e fali, edhe pse asnjëherë në jetën e tij nuk bëri ndonjë vepër të mirë, përveç se besoi në Një të vetmin Zot.”

Në mbështetje të këtij hadithi tregohet një hiqaje, rrëfim për njeriun që ka jetuar dhe ka vdekur në kohën e Musait a.s. Për shkak të mëkateve dhe jetesës së tij të pamoralshme kohanikët e tij nuk e kanë pastruar, e as e kanë varrosur, por e kanë tërhequr për këmbësh dhe e kanë hedhur atë në hedhurina. Për këtë ngjarje All-llahu xh.sh. e ka lajmëruar Musain a.s., duke i thënë: “O Musa, ka vdekur një njeri në atë dhe atë vend dhe është hedhur në hedhurina, e ai është miku im dhe një nga shenjtorët e mi. Nuk e kanë pastruar, as e kanë mbështjellë me qefin, e as e kanë varrosur. Andaj ti Musa nisu menjëherë. Pastroje atë, mbështille me qefinë, falja xhenazen edhe varrose”. Musai a.s. shkoi në atë vend dhe i pyeti banorët e vendit për të vdekurin. Ata i treguan se ka vdekur një njeri me veti të tilla por ka qenë prej atyre që bëjnë mëkate haptas dhe jetojnë një jetë amorale. Musa a.s. pyeti: “Ku ndodhet ai, ma tregoni vendin sepse All-llahu xh.sh. më ka urdhëruar që, për shkak të tij, të vij këtu.” Ata u nisën me Musain a.s. që t’i tregojnë se ku ndodhet i vdekuri. Kur e pa Musai a.s. se ai është hedhur në hedhurina, kurse njerëzit e lajmëruan për sjelljet e tij të këqija, ai e luti All-llahun xh.sh. që t’ia shpalosë sekretin e këtij rasti: “O All-llahu im, më urdhërove këtë njeri ta përgatis, ta varros, dhe t’ia fali xhenazen, e populli i tij dëshmon për të se ka bërë vetëm keq. Ti, o All-llah, e di më mirë se ata për punët e tij të mira dhe të liga.” Pastaj All-llahu xh.sh. i shpalli Musait a.s.:

“O Musa, populli i tij e ka thënë të vërtetën për veprimet e tij të këqija, por ai para vdekjes mu drejtua Mua për tri gjëra. Sikur të kishte kërkuar mëshirën Time për të gjithë mëkatarët e krijesave të Mia, Unë do t’ia plotësoja. E si të mos e mëshiroja kur ai kërkoi mëshirë për veten, e Unë jam Mëshiruesi më i Mëshirshëm”.

Musa a.s. pyeti: “O Zoti im, cilat janë ato tri gjëra?” All-llahu xh.sh. tha: “Kur iu afrua vdekja tha: O Krijuesi im, Ti më njeh më mirë. Unë kam qenë mëkatar dhe i padëgjueshëm, por në zemrën time i kam përbuzur dhe urryer mëkatet dhe pa dëgjueshmërinë. Tek unë janë gjetur bashkë tri cilësi dhe veti, ashtu që kam gabuar dhe kam qenë i padëgjueshëm, edhe pse atë e kam urryer edhe me zemër edhe me shpirt.

E para prej atyre tri vetive, cilësive është:

  • Shpirti i cili anon kah e keqja
  • Shoqëria e keqe dhe
  • Iblisi, mallkimi i All-llahut qoftë mbi të.

Këto më kanë shtyrë në padëgjueshmëri, e Ti e di më mirë këtë që po e them unë, andaj më fal mua.

Për cilësinë, vetinë e dytë ka thënë: “O Zoti im, Ti e di më mirë se kam qenë mëkatar dhe i padëgjueshëm dhe se kam ndenjur në shoqëri të njerëzve të këqij dhe të prishur. Por, më shumë kam dashur të shoqërohem dhe të ri me të mirët dhe të devotshmit, se sa me njerëzit e këqij dhe të prishur.

Vetia e tretë: Kur do të më drejtohej për ndonjë nevojë një njeri i mirë dhe një i keq, më parë do t’i ndihmoja dhe do t’ia plotësoja nevojën njeriut të mirë.

Në transmetimin e Vehb b. Munebbehut thuhet: “O Zoti im, sikur t’i fshije dhe të mi falje mua mëkatet do t’i gëzoje dhe do t’i bëje të lumtur të dashurit, shokët dhe pejgamberët e Tu, e do ta pikëlloje shejtanin, armikun tim dhe Tëndin. Në qoftë se do të më dënoje për gjynahet e mia, do ta gazmoje shejtanin edhe ndihmësit e tij, e do t’i pikëlloje pejgamberët, të dashurit dhe miqtë e Tu, e unë e di se me siguri për Ty më e dashur është t’i gëzosh të dashurit dhe shokët e Tu, se sa ta gëzosh shejtanin dhe ndihmësit e tij. Andaj, o All-llahu im, më fal. Ti me të vërtetë e di më mirë atë që them unë. Më mëshiro mua dhe kapërceji mëkatet e mia”. All-llahu xh.sh. ka thënë: “E mëshirova atë, e fala dhe i tejkalova mëkatet e tij. Unë me të vërtetë jam i butë, i mëshirshëm sidomos ndaj atij që pranon mëkatin e vet para Meje. Ai i pranoi mëkatet e tij dhe ia fala, i kapërceva mëkatet e tij. O, Musa, vepro si të kam urdhëruar. Me siguri do ta fali edhe atë që do t’ia falë atij xhenazen dhe do të marrë pjesë në varrimin e tij”.

(Burimi: Muhamed b. Ebi Bekër, 40 hadithe të të Dërguarit s.a.v.s. me komentim, Brezi i Ri, Shkup, pa vit bot. fq. 9-11.)

(Breziiri)