Fikh

Fondi bamirësisë në vend të haxhit vullnetar

1.04Kviews

Ta ushqesh një të uritur ose ta strehosh një të pastrehë është më e mirë tek Allahu…

Pyetje: Prej gjërave që e zbusin fatkeqësitë … është edhe çështja e zbutjes së numrit të haxhilerëve, të cilët shkojnë në haxh vullnetar dhe pyetja, cila prej këtyre dyjave është më e mirë: (1) haxhi vullnetar apo, (2) që haxhiu i cili shkon në haxh vullnetar, atë shumë të parave ta investojë për ushqimin e të varfërve, ose për ndihmën e fatkëqijve, ose në projekte të bamirësisë dhe të thirrjes në besimin e Allahut?

Përgjigjet Dr. Jusuf el-Kardavi:

Falënderimi qoftë për Allahun, ndërsa mëshira dhe paqja e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi pasuesit e tij.

Nuk dyshon asnjë dijetar që i di prioritetet e Islamit, dhe e di se çka duhet të jetë primare dhe çka duhet të jetë sekondare, për të cilën gjë, unë jam duke bërë thirrje për vite, e të cilën unë e quaj “Fikhu (jurisprudenca) e prioriteteve”, se është e domosdoshme ta dimë se Islami në shpenzimet e tij nuk është në një nivel të barabartë në të gjitha çështjet, sepse ekzistojnë kategori dhe nivele të ndryshme të veprimtarive. Pejgamberi (savs) në një hadith autentik thotë: “Besimi ka shtatëdhjetë e më tepër degë: Më e larta është fjala “la ilahe il-lallah”, kurse më e fundit është largimi i pengesave prej rrugës”…

Pra, ka disa degë që janë më poshtë, disa që janë më të larta, por ka disa që janë të mesme. Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Vallë, a mendoni ju se furnizimi i hanxhinjve dhe mirëmbajtja e Mesxhidi-haramit është e njëjtë me ata që besojnë në Allahun, në Ditën e Kiametit dhe që luftojnë në rrugën e Allahut? Nuk janë të barabartë ata – te Allahu.” (et-Tevbe, 19) Gjërat nuk janë të barabarta, ne duam që muslimanët ta kuptojnë këtë jurisprudencë.
Unë kam parë qysh herët, derisa ende isha fëmijë, njerëzit që u bënin padrejtësi punëtorëve të cilët punonin për ta dhe nuk ua jepnin pagesën e drejtë; punëdhënësit i dëmtonin ata të cilët e merrnin për ta punuar me qira tokën dhe pronën e tyre. Gjithashtu kam parë, shumë moti, njerëzit nga fshati im, fermerët duke punuar tek bejlerët e ndryshëm, ose që e merrnin tokën me qira, dhe kur atë tokë e hanin krimbat, punëdhënësi nuk ua kompensonte atë dëm për asnjë cent. Pastaj ky punëdhënës ngritët dhe shkon për ta kryer haxhin për herën e tretë ose të dhjetë, ose shkon në umre në muajin rexheb apo në ramazan! O vëlla, jepu hakun (të drejtën) e tyre, se kjo është më e mirë sesa shkuarja në haxh vullnetar ose në umre!

Dijetarët islam kanë thënë: Allahu nuk e pranon nafilen derisa ta kryesh farzin, kush preokupohet me farz në dëm të nafiles është i arsyetuar, ndërsa kush preokupohet me nafile në dëm të farzit ai është kryelartë. Ne kemi nevojë për këtë jurisprudencë (fikh). Është transmetuar thënia e Abdullah ibn Mesudi (r.a.), të cilën e ka cituar Imam el-Gazali në veprën e tij ‘El-Ihja”, të ketë thënë: “Në kohën e fundit do të shpeshtohet shkuarja në haxh pa asnjë arsye, do t’ju lehtësohet atyre udhëtimi, do t’ju thjeshtohen shpenzimet, kështu që dikush prej tyre do ta merr devenë e tij nëpër rërë dhe djerrinë, e do t’ia mësyjë haxhit, kurse fqinji i tij pranë tij rob i harruar.”
Kjo është kështu, përkundër faktit, se Pejgamberi (savs) thotë: “Nuk është prej nesh”, ndërsa në një transmetim tjetër: “Nuk është besimtar ai që fle i ngopur, ndërsa fqinji i tij pranë tij është i uritur.” Atëherë si mund të shkojë ky në haxh nëpër rërë e djerrinë, duke e lënë fqinjin e tij duke u përballur me uri, varfëri, skamje dhe i harruar.
I famshmi shejh Bishr bin el-Harith po qëndronte me mistikët dhe asketët e tij, kur erdhi një burrë së bashku me Bishr el-Hafi, ky i fundit ishte ndër asketët e kombit dhe fetarët më të mëdhenj. Ky burri i cili erdhi iu afrua dhe i tha:

“O Ebu Nasr, unë po dua të shkoj në haxh, andaj erdha tek ti që të më këshillosh, pra, a do të më këshillosh diçka?
Shejhu i tha: “Sa mjete ke përgatitur për shpenzime të haxhit?
Tha: “Dy mijë dërhemë!” Njëmijë dërhemë në atë kohë ishte sasi shumë e madhe. Një dërhem kishte fuqi të madhe blerëse.

Shejhu i tha: “A po e dëshiron haxhin nga asketizmi, nga malli për shtëpinë e Allahut, apo për ta fituar kënaqësinë e Allahut?”

Ai tha: “Betohem në Allahun, se e dëshiroj, për ta fituar kënaqësinë e Allahut.”
Shejhu i tha: “A don të të udhëzoj për diçka, me të cilën do ta arrish kënaqësinë e Allahut duke qëndruar në vendin tënd dhe në shtëpinë tënde? Dhe nëse të udhëzoj për diçka të tillë, a do ta veprosh?”
Ai tha: “Do ta bëj!”

Shejhu i tha: “Shko jepja këtë shumë 10 personave; një të varfri që ta përmirësojë varfërinë e tij, një jetimi që ta plotësojë një nevojë të tij, një borxhliu që ta lajë borxhin e tij, një familjari që t’ia lehtësosh barrën e furnizimit të familjes …”, dhe ia numëroi atij dhjetë persona, pastaj vazhdoi: “Nëse ia jep një personi të vetëm dhe ia përmbush atij të gjitha nevojat që ka, kjo është edhe më mirë, dmth., që t’i mjaftojnë atij për t’i zgjidhur problemet e tij me këto 2000 dërhemë.

Mirëpo, ai ia ktheu: “O Ebu Nasr, zemra ime më shumë e dëshiron udhëtimin për në haxh.”

Atëherë Shejhu vazhdoi: “Nëse paratë grumbullohen nga tregtitë e ndotura dhe të dyshimta, atëherë shpirti anon për atje ku gjen kënaqësi për vete! … Pra, shpirti yt dëshiron që të shkosh në haxh, posaçërisht për kënaqësinë e tij, dhe jo për ta fituar kënaqësinë e Zotit, pavarësisht se kjo e dyta është më e mirë dhe më e dobishme për muslimanët. Pra, ekziston një dëshirë e fshehtë e cila e shtyn shpirtin kah ky lloj i haxhit, dhe është ajo së cilës i frikësohen besimtarët e sinqertë: “Që veprat e tyre shkatërrohen, ndërsa ata nuk e hetojnë.”

Unë këtë e shoh si mungesë të njohjes së fikhut (jurisprudencës). Pra, nëse muslimani është i vetëdijshëm dhe e kupton se ushqimi i të uriturit, shërimi i të sëmurit, strehimi i të pastrehut, përkujdesja e jetimit, përmbushja e nevojave të gruas së vejë, ndërtimi i shkollës për një komunitet islamik në Azi a në Afrikë, ndërtimi i një xhamie, kontributi në një projekt të rëndësishëm, ndihma e vëllezërve të tij muxhahidinë në Palestinë a në Kashmir…, pra, nëse ai e di se këto janë më të mira tek Allahu, do të duhej që ai të ndjejë kënaqësi shpirtërore më të madhe, sesa që ndjen kur e vesh ihramin dhe bën tavaf duke thënë: “Lebbejk Allahumme lebbejk…”, dhe kjo padyshim, fatkeqësisht, është dëshmi e mungesës së njohjes së fikhut (jurisprudencës), “Fikhut të prioriteteve.” Nëse muslimanët do ta kuptonin këtë, nga shumica e atyre që shkojnë në haxh vullnetar, do të kishim mundur të marrim për çdo vit miliarda, pastaj ato miliarda do të orientoheshin në mënyrë të organizuar. Ata do të kishin deklaruar: Ne duam ta formojmë një fond të quajtur: Fondi i bamirësisë në vend të haxhit vullnetar, për ata që dëshirojnë shpërblim më të madh sesa haxhi.

Shejh Bishr el-Harith el-Hafi i tha atij burrit: Nëse shkon dhe ua jep (ato mjete) 10 personave, është më e vlefshme se shkuarja 100 herë në haxh vullnetar (pas haxhit farz). Ne dëshirojmë që kjo vetëdije të formohet tek populli (umeti) ynë.

Sikur me të vërtetë të vjen një palë dhe ta formoj: Fondin e bamirësisë në vend të haxhit vullnetar, e ata që nuk duan të shkojnë në haxh të thonë: Vallahi, unë do të paguaj 10.000 rijalë, në Fondin e bamirësisë në vend të haxhit vullnetar, për të mirën e muslimanëve në botë, pastaj disa vëllezër të tjerë, të cilët haxhin e kryejnë nëpër hotele me 5 yje, të japin nga 20.000 dhe nga 30.000 rijalë, kur të gjitha këto shuma do të shpenzoheshin, atëherë do të plotësoheshin shumë nevoja dhe do të mbylleshin shumë shtigje në jetën e muslimanëve dhe në nevojat e muslimanëve.

Perktheu: Miftar Ajdini