Hutbe

Fjalimi ose biseda

462views

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Fjalimi ose biseda.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuran:

وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلاً مِّمَّن دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحاً وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ .

“E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret te Allahu, vepron (punë) të mira dhe thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” (Fussilet, 33)

Vëllezër të nderuar!

Kohë më parë, një njeri (nga vendi ynë) e dërgon djalin për studime në Stamboll. Atje ligjëratat mbaheshin në këtë formë: profesori (muderrisi) shkonte në klasë, u jepte selam dhe gjatë gjithë kohës qëndronte në heshtje edhe ai edhe studentët. Pas një viti studenti u kthye në vendlindje, dhe babai i tij e pyeti se çka kishte mësuar në Stamboll. Djali i thotë se nuk kishte mësuar asgjë, sepse gjatë gjithë vitit në klasë kishte heshtur edhe ai edhe profesori.

Babai i studentit u përgatit dhe u nisë me djalin për në Stamboll. Atje e gjeti profesorin dhe i tha: “Unë e kam dërguar fëmijën tim te ti që të mësojë diçka!”

Profesori u përgjigj: “Ne kemi mësuar një vit të tërë.”

“Si keni mësuar, kur ju keni heshtur gjatë gjithë vitit”, i thotë babai i studentit.

Profesori në fund ia shpjegoi heshtjen duke thënë: “Unë së pari i mësoj studentët e mi të dinë të heshtin, kurse vitet e ardhshme do t’i mësoj të dinë se kur, ku, çfarë dhe si të flasin.”

Ky rast, ose kjo anekdotë na tregon se është i urtë dhe i zgjuar një person që di të flasë kur duhet, dhe di të heshtë kur është më e dobishme. Të rralla janë situatat kur ne pendohemi pse kemi heshtur, dhe shumë shpesh pendohemi pse kemi folur, dhe me fjalët tona veten dhe të tjerët i kemi dëmtuar. Kjo është për shkak se ne shpesh flasim, dhe pastaj mendojmë se çka kemi thënë, ndërsa të mençurit së pari mendojnë e pastaj flasin. Kjo është renditja e logjikshme, siç është e natyrshme dhe e logjikshme që së pari të marrim abdest e pastaj ta falim namazin, dhe jo anasjelltas, së pari të falemi e pastaj të marrim abdest.

Fjalimi është dhuratë dhe begati që Allahu i Madhërishëm, ua ka dhënë njerëzve, që ata të merren vesh, të negociojnë dhe të ndihmohen me njëri-tjetrin.

Fjalimi i bukur dhe biseda është shenjë e arsimimit të mirë, e moralit të lartë dhe kulturës së ndërtuar. Kurani fjalën e mirë e krahason me një pemë të bukur e cila jep fryt të shijshëm ndërsa fjalën e keqe me një pemë të shëmtuar, e cila nuk jep fryte.

“A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet në çdo kohë. Allahu, pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.” (Ibrahim, 24-26)

Fjalimi është si pasqyrë në të cilën shpejt shihet se çka mendon njeriu, çka ndjen, çka synon dhe çfarë qëllimi ka. Në një fjalë të urtë në mënyrë ilustrative thuhet:
“Vetëm kur rrjedh lëngu nga ena e mbushur me lëng, vetëm atëherë ke për të parë se çfarë ka në të.”
Ose fjala tjetër e urtë që thotë:
“Përderisa nuk e flet fjalën, ti je pronari i saj, ndërsa sapo ta flasësh, ajo bëhet pronari yt”.

Fjalim primitiv dhe i ndaluar është ai fjalim që përmban fyerje, fjalë ofenduese, shaka të papërshtatshme, polemika agresive dhe tema të parëndësishme.

Primitivizmin e tillë në fjalime dhe në biseda Kurani e krahason me palljen e gomarit. Në mesin e këshillave, të cilat ia sugjeron djalit të vet, për çka flet Kurani, Lukmani djalit të vet i thotë: “Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.” (Lukman, 19)

Fjala mund të ketë erë të këndshme apo të keqe. Kur Pejgamberi savs i dëgjoi disa njerëz duke folur keq për të tjerët, ai tha: “Kjo është era e keqe nga ata që përgojojnë.”

Fjala mund të jetë e ëmbël apo e hidhur, ajo nganjëherë është ilaç, por nganjëherë helm. Muhamedi savs në hadith thotë:

“Fjalimi (biseda) i padobishëm përhap erë të pakëndshme edhe më të keqe se kafshët e ngordhura.”

Ose hadithi tjetër i cili thotë: “Plagët nga shtiza do të shërohen, kurse plagët e fjalëve të këqija, është vështirë të shërohen.”

Shpeshherë ne jemi të pandjeshëm dhe përshtatemi me primitivizmin që ndodh rreth nesh. Në këtë mënyrë bëhemi jo kritik, të ngjashëm me njeriun i cili hyn në një dhomë ku të zihet fryma, por pas një kohe ai mësohet, dhe i duket se frymëzënia është freski.

Mefshtësia dhe neglizhenca janë mëkate, qoftë për veten tonë apo për mjedisin në të cilin jetojmë. Fjalimi i shëmtuar dhe i pa kontrolluar lë pasoja afatgjata dhe serioze. Prandaj, sahabiu Abdullah ibn Mesudi paralajmëron kur thotë:
“Nuk ka asgjë në këtë botë që mund të shkaktojë më shumë shqetësim, pasiguri dhe ankth, se sa fjalimi i pakontrolluar dhe i shëmtuar.”

Edukative është këshilla që e drejton Maliku (r.h.) kur thotë:

“Në qoftë se ke shqetësim në shpirt dhe nëse je i pakujdesshëm në kryerjen e detyrave islame, kjo është për shkak se ti je duke u marrë me atë që nuk të përket, je duke folur atë që nuk ke dobi, je duke e lënë shehadetin dhe detyrat tua islame!”

Janë përplot me urtësi fjalët e sundimtarit musliman modest Omer ibn Abdulazizit, i cili ka thënë: “Zemrat janë thesare të fshehtësive, buzët janë dorëza, kurse gjuhët janë çelësat. Ruani çelësat që të mos hapen dorëzat dhe të mos zbulohen thesaret e zemrës.”

Fëmijët tonë dhe rinia jonë sillen ashtu siç i mësojmë ne. Vallë, a jemi duke i mësuar dhe udhëzuar ashtu siç duhet?

Secili për vete le ta gjejë përgjigjen, para se ta japim provimin kryesor dhe të fundit.

E lusim Allahun e Madhërishëm që mendimet tona të janë të sinqerta, fjalimet (bisedat) tona të janë të ndershme dhe veprat tona të jenë të pastra nga hipokrizia.

Gjithashtu i lutemi Allahut të Plotfuqishëm;
– Që të na forcojë në rrugën e Islamit!
– Që t’i ndihmojë vëllezërit dhe motrat tona të pambrojtur, kudo që janë nëpër botë.
– Që mos të na sprovojë me sundues të dhunshëm dhe me atë që nuk mund ta përballojmë!
– Që të na i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë të mirë, të cilët na sollën fenë islame!
– Që fëmijët tanë t’i bëjë dritë e syve dhe zemrave tona, udhëheqës të umetit dhe rojtarë më të mirë se ne të fesë dhe të atdheut!
– Që të na mëshirojë në Ditën e Gjykimit dhe të na nderojë në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini