Personalitete

Fjalim mbresëlënës i Alija Izetbegoviçit para 20 vjetëve

686views

Mirza Hajriç është ambasadori aktual i Bosnjes Australi. 20 vjet më parë ai ishte nga njerëzit e afërt të ish-presidentit Izetbegoviç dhe ka zgjedhur të sjellë në kujtesë një ndër fjalimet e tij më mbresëlënëse, atë të një konference në Teheran, ku i Izetbegoviç zgjodhi të fshikullojë botën muslimane, sidomos mbi qasjen ndaj Perëndimit.

“Me propozimin e presidentit, mblodhëm të dhëna mbi arsimin, analfabetizmin dhe çështje të tjera imediate që kanë pllakosur botën arabe dhe islame, dhe kështu u formulua fjalimi i tij të cilin ai qysh prej fillimit e konisderonte të veçantë. Në proces, u kristalizua fraza: “Islami është më i miri, kjo është e vërtetë, por ne nuk jemi më të mirët”. Ndërsa po mbaheshin konsultimet, isha gjithnjë e më i shqetësuar se si do të pranohej nga të pranishmit një qasje e tillë e tij, pra para bretërve, emiratëve, sheikëve, presidentëve, dhe gjithë atyre personaliteteve të larta. Ata sigurisht nuk ishin mësuar të dëgjonin kritika të këtij lloji nga ajo foltore. ‘Nuk jam i sigurt nëse do të kem tjetër rast t’i drejtohem një tubimi kaq të madh të muslimanëve. Unë dua ta them atë që është në shpirtin tim’, po thoshte presidenti”, kujton Hajriç.

“Se sa vizionar ishte presidenti, tregon gjithashtu një pjesë e fjalimit të tij dedikuar alarmimit të botës për një luftë vendimtare kundër terrorizmit. Duhet të kujtojmë se ai e mbajti këtë fjalim katër vjet përpara 11 shtatorit 2001. ‘Terrorizmi është shprehje e impotencës sonë të tashme dhe të asaj të ardhshme. Ai nuk është vetëm amoral, por edhe joproduktiv. Është amoral sepse vriten njerëz të pafajshëm dhe joproduktiv sepse në asnjë kohë dhe në asnjë vend nuk ofron ndonjë zgjidhje. Terrorizmin e kanë hedhur poshtë të gjitha lëvizjet politike serioze në histori’ . Është i njohur mirë fakti se kjo pjesë e fjalimit citohet shpesh në qarqet amerikane dhe në shumë qarqe të tjera akademike dhe të politikës së jashtme”, vijon Hajriç

Më tej, ish-njeriu i afërt i tij kujton momentet e fjalimit:  “Po përcillja rrjedhën e fjalës së tij duke shikuar njëkohësisht në fytyrat e muslimanëve më të fuqishëm të botës. Po përpiqesha të lexoja shikimet e tyre, lëvizjet e fytyrës, mimikën. ‘Islami është më i miri, kjo është e vërtetë, por nuk jemi më të mirët’, kumbonte zëri i presidentit. Shikime të hutuara në të gjitha anët, konfuzion, ndonjë lëvizje koke në shenjë miratimi. Pasi përfundoi fjalimi, mbretëroi një heshtje. Askush nuk lëvizte, kisha përshtypjen se njerëzit kishin ndaluar së marri frymë. Presidenti, me të mbaruar fjalimin e tij, u kthye dhe u nis drejt vendit të tij. Filluan duartrokitjet. Pesë, dhjetë, pesëdhjetë, njëqind, dhe pothuajse të gjithë në sallë filluan të duartrokasin stuhishëm, në kohëzgjatje më të gjatë se vetë fjalimi”, shprehet ambasadori Harric. /tesheshi/