Filozofi

Filozofia islame domosdoshmëri apo trashëgimi e padëshirueshme

551views

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

I.

Në kohën kur jeta dhe idetë po ndërrohen në mënyrat më të ndryshme, dëshiroj që vëmendjen e lexuesit ta përqëndroj në çështjen e arsimimit filozofik (islam), sipas bindjes sonë, mjaft të rëndësishëm për jetën tonë të përditshme, për t’u ballafaquar me takimet e frytshme ndërmjet fesë dhe botës, ndërmjet fesë dhe diturisë, ndërmjet trashëgimisë shpirtërore dhe kulturës aktuale, por edhe me simptomet shqetësuese që prodhojnë skepsë dhe indiferentizëm ndaj filozofisë dhe trashëgimisë së saj.

II.

Reforma aktuale e studimit filozofik ndër ne, sipas binjdes sime, e zbatuar më tepër spontanisht, në rrjedha të trendeve aktuale në botë dhe tek ne, është në një atmosferë shpirtërore që njëkohësisht është e favorshme dhe armiqësore për filozofinë, si për shkak të ndryshimeve të shumta shoqërore dhe lëvizjeve të ideve për përsiatje serioze filozofike dhe për shkak të tendencave që filozofia të zhvlerësohet e shpërfillet, kështu që ajo në fund të fundit të proklamohet si e padobishme, e padëshirueshme që duhet eliminuar. Kultura moderne, duke u mbyllur kundrejt problemit të transcendencës, përpiqet t’i kundërvihet mendimit autentik filozofik e veçant spekulimit metafizik, i cili ndërkaq është i vetmi në gjendje të vijë deri te vlerat absolute.

Fryma teknologjike, që gjithnjë e më shumë e shpie homo sapiensin në homo faber dhe ndonëse i sjellë njerëzisë përparësi të shumta e që nuk mund të mohohen, ajo nuk i shkon në favor vlerave shpirtërore te njeriu. Në anën tjetër, mentaliteti i njeriut më me dëshirë do të shkonte drejt botës konkrete materiale, drejt zotërimit të përparimit shkencor dhe teknik, duke mos kërkuar zgjidhje në parimet e forta dhe indiskutabile metafizike, por në aktualitet dhe sukses. Prandaj, është e lehtë të kuptohet përse fryma e aktualitetit duket antimetafizik, duke i hapur rrugën kështu të gjitha formave të relativizmit, e të frymëzuara nga rrymimet pozitiviste, neopozitiviste dhe strukturaliste..

Në rrethana të tilla, nuk duhet çuditur përse shumë syrësh nuk shohin mundësi për një filozofi që do të dallonte nga dituritë pozitiviste. Dhe deri sa mund të konstatohet rënia e interesimit për disiplinat klasike filozofike, këmbëngulësisht rritet rëndësia e diturive natyrore dhe antropologjike dhe prej tyre kërkohet komenti përfundimtar i njëmendësisë, duke e përjashtuar kështu plotësisht filozofinë si diç arkaike, që edhe ashtu do të zhduket. Prandaj, në vend të një takimi të dëshirueshëm që do t’i shërbente vlerave dhe prosperitetit si të filozofisë ashtu edhe të shkencës, po vjen deri te kundërvënia e tyre, që shkon në dëm të njërës dhe tjetrës anë.

Filozofia nuk është e atakuar vetëm nga shkenca dhe trendet e saj aktuale, por edhe nga vetë teologët (muslimanë e kristianë), të cilët filozofinë e konsiderojnë të padobishme dhe si të tillë të dëmshme dhe të panevojshme për edukimin e besimtarëve dhe vetë teologëve. Këta konsiderojnë se shpallja hyjnore burimore është kompromituar gjatë historisë me futjen e disiplinave filozofike, vetjake apo të huaja, të adoptuara në disiplinat sakrale. Po ashtu konsiderojnë se filozofia spekulative e ka stërngarkuar teologjinë dhe disiplinat përreth me probleme inekzistente.

Filozofia është e rrezikuar edhe nga vetë protagonistët e saj, të cilët të ballafaquar me pluralizmin filozofik, gjenden në situatë inferiore. Duhet absorbuar e asimiluar nocione të shumta e të rënda, duhet adaptuar në mënyrë krejtësisht tjetër metodikën e tij didaktike, që shpesh, në mungesë kohore e pa mjete të mjaftueshme për stimulim, para auditoriumit nuk mjaftojnë, dhe si pasojë e kësaj gjendjeje kemi inferiorizëm dhe izolacionizëm.

Filozofia është rrezikuar edhe nga ana e studentëve, të cilët edhe pse tregojnë interesim për probleme të caktuara të njeriut dhe të shoqërisë, megjithatë të ndikuar nga atmosfera aktuale kulturore nuk preokupohen me problemet filozofike. Sot njerëzit më tepër janë të orientuar drejt fotografisë, e më pak drejt idesë, kurse paraedukimi dhe edukimi është orientuar më tepër drejt teknikës dhe praktikës. Po ashtu, para rrymave të shumta kundërshtuese e konfuze filozofike, mosinteresimit të përgjithshëm për hulumtimin e të vërtetës dhe kërkesave të mëdha intelektuale që shtron studimi i filozofisë, rëndësia abstrakte e studimit të filozofisë, studentët dhe të interesuarit tjerë për studimin e filozofisë i ngulfat, i topitë, sepse, pos tjerash, ata nuk shohin lidhjen e qartë ndërmjet filozofisë dhe teologjisë, e veçant teologjisë praktike, drejt së cilës ata janë orientuar.

III.

Përkundër vështirësive të theksuara dhe të tjerave këtu të patheksuara në disfavor të filozofisë, kemi bindjen se ekziston mundësia për kapërcimin e këtyre tendecave që shkojnë në drejtim të zhvlerësimit të filozofisë, të minimizimit të vlerës së saj apo edhe të braktisjes absolute të filozofisë. Sepse, miratimi dhe aplikimi i tendecave të theksuara do të thotë injorimi i krijimeve më autentike dhe më të thella në mendimin klasik dhe bashkëkohor, gojor dhe atë të shkruar: jeta dhe vdekja, kuptimi i të mirës dhe të keqes, vlera, dinjiteti dhe e drejta e njeriut, padrejtësia, shkelja e personalitetit, dhuna, karakteri, dashuria, rendi dhe kaosi, edukimi, autoriteti, liria, kuptimi i përparimit dhe historisë, enigma e jetës matanë botës, Zoti dhe ekzistimi i Tij, e shumë çështje tjera, që preokupojnë edhe sot veprën shkencore, këngën, poezinë, romanin, eseun, dramën, filmin, radion, televizionin etj.

Këto probleme nuk mund të zgjidhen adekuatësisht në rrafshin e diturive pozitiviste, qoftë natyrore apo antropologjike, sepse metodat e tyre specifike nuk kanë për trajtim çështjet si këto. Këto i shqyrton filozofia, e cila, duke i mbikaluar aspektet e pastra jashtësore dhe të pjesërishme të fenomenit, i qaset njëmendësisë totale në dritën e shkaqeve më të larta.

Kështu filozofia, përkundër nevojës së saj për rezultatet e diturive empirike, dëftohet si dituri e veçant, autonome dhe me rëndësi kapitale për njeriun, jo vetë për regjistrimin, deskribimin dhe rregullimin e fenomeneve, por edhe me të kuptuarit e vlerës së tyre të mirëfilltë dhe kuptimit të fundit.

Filozofia ka rëndësi primare edhe në sferën e teologjisë, sepse nuk mund të merret me mend pranimi i mirëfilltë i shpalljes hyjnore si akt i besimit të verbër, si mirësjellje fideiste. Kur’ani dhe Hadithi me dhjetëra herë theksojnë rëndësinë e të përsiaturit dhe të arsyes. Teologu ka nevojë për filozofinë që besimit të tij personal t’i sigurojë baza logjike të vlerave diturore të cilët do të jenë në rafsh të arsimimit të tij intelektual.

Feja e shpallur kërkon përsiatje, analizë, thellim dhe sintezë nga besimtari. Duhet të studiohen burimet fetare, duke mos e keqpërdor filozofinë në çështjet që nuk i përkasin. Ndikimi reciprok i filozofisë dhe teologjisë është nevojë historike. Teologjia sot dëshiron t’i hapet dimensioneve të reja – historik, antropologjik, ekzistencial, personalistik dhe të zhvillohet në aspekte të reja – psikologjik, shoqëroro-politik, ortopraktik etj. Më tej, teologjia dëshiron t’i thellojë metodat e veta në aspekt të hermeneutikës.

Në fund, filozofia ofron fushë unike të takimit dhe dialogut ndërmjet besimtarit dhe jobesimtarit. Teologu, në një vend dhe në një kohë, ku pluralizmi i mendimeve është në shkallë të lartë, nuk guxon t’i lejojë vetes luksin për të demonstruar paaftësi komunikimi me ata që nuk besojnë, apo besojnë ndryshe. Këto probleme i përkasin fesë së tij si në aspektin interior ashtu edhe në atë eksterior.

Nuk ka dyshim se filozofia autentike mund të kontribuojë që bota dhe rrethi të bëhet më human, duke vënë dhe respektuar hierarkinë e vlerave.

IV.

Si filozofët ashtu edhe studentët e tyre do të duhej të arrijnë njohje adekuate të nocioneve kryesore të filozofisë të kohës dhe midisit të tyre, ashtu që filozofia për ta të paraqesë përgatitje të mirëfilltë për jetën dhe profesionin e tyre që i pretë apo që tashmë edhe e punojnë, t’i aftësojë për dialog me njerëzit e kohës së tij, me besimtarët dhe jobesimtarët.

Literatura selektive:

Corbin Henry, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1998.
El-Fahuri, Hana & El-Xherr, Halil, Tarih’ul- felsefet’il-arabijjeti, I-II, botimi II, Bejrut, 1992.
Naputak u nastavi filozofije, Zagreb, (-).
Nasr, Sejjid Husein, Islami dhe brenga e njeriut modern, Shkup, 2000 / 1421.
Nasr, Sejjid Husein, Tradicionalni islam u modernom svijetu, Sarajevë, 1994.
Nasr, Sejjid Husein, Vodic mladom muslimanu, Sarajevë, 1998.
Nasr, Sejjid Husein, Susret covjeka i prirode, Sarajevë, 2001/ 1422.
Rahman, Fazlur, Duh Islama, Beograd, 1983.
/zeriislam/