Fëmijët e llastuar

Kohët e fundit shohim se shumë familje u marrin fëmijëve të tyre veshje, pajisje elektronike, lodra apo ushqime për të cilat nuk kanë nevojë. Ky stil jete familjare i fokusuar te fëmija është një nga problemet më të mëdha të kohëve moderne. Shpeshherë kjo situatë i fut familjet në një qorrsokak.Dritani bashkë me nënën e tij dalin në pazar. Pasi marrin gjërat për të cilat kishin dalë, Dritani kalon nga pjesa e çokollatave dhe merr disa në dorë. Kur i afrohet nënës, ajo i thotë t’i kthejë në vendin e tyre, sepse kishte çokollata të tjera në shtëpi. Dritani filloi të qajë e të bërtasë përballë fjalëve të nënës. Në fund historia mbaron me marrjen e çokollatave, megjithëse nuk kishte nevojë.

Psikologët kanë të drejtë kur thonë se nuk ka fëmijë të keq, por ka fëmijë të edukuar keq. Në psikologji familjet në të cilat bëhet çfarë thotë fëmija quhen familje të fokusuara mbi fëmijën. Një nga gabimet më të mëdha që bëjnë familjet e painformuara rreth edukimit të fëmijës është mendimi se fëmija do të gëzohet nëse merr atë që dëshiron. Mendime të tilla shfaqen më shumë te nënat dhe baballarët, të cilët kanë pasur vështirësi ekonomike në fëmijëri. “Ne kemi vuajtur, por le të mos vuajnë edhe fëmijët tanë”, mendohet në familje të tilla. Qëllimi i familjeve është i mirë, por qëndrimi i tyre është i gabuar dhe ndikon negativisht në rezultat. Në të njëjtën kohë mund të themi se fëmija, të cilit i plotësohet çdo dëshirë, bëhet më i pangopur, i pasjellshëm dhe mosmirënjohës.

Kufijtë duhen vendosur nga prindërit. Në këtë pikë ka shumë rëndësi edhe qëndrimi i mbajtur nga prindërit përballë dëshirave të fëmijës. Prindërit duhet të jenë udhërrëfyesit e familjes. Fëmija ka nevojë gjithnjë për një udhërrëfyes. Ai ka nevojë për eksperiencat e të rriturve. Duhet ta dijë se nuk mund të marrë çdo gjë të dëshiruar në jetë. Edhe e mësuara apo të përshtaturit me mungesën e gjërave e pjek njeriun. Në këtë mënyrë edhe prindërit e kanë më të lehtë të realizojnë rolin e tyre. Në situata pa zgjidhje duhet kërkuar ndihma e një specialisti.

Aisa Kokiçi

/Revista ‘Drita islame’, shtator 2017/

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply