Familja në këndvështrimin e Fesë islame

Karakteri i një institucioni hyjnor

Familja është një institucion hyjnor, origjina e të cilit përkon me krijimin e njeriut, ndërsa lloji njerëzor është rezultat i këtij institucioni. Allahu (xh.sh.) thotë në Kuran : “O ju njerëz ! Kujtoni për detyrën që keni kundrejt Zotit tuaj, i Cili ju krijoi nga një çift i vetëm, pasi kishte krijuar mashkullin e më pas femrën duke nxjerrë nga çiftëzimi i tyre një numër të madh burrash e grash.”

Në një vend tjetër në Kuran, ky raport martesor mes çiftit është emërtuar si shenja e Zotit.

Institucioni i familjes dhe ai i martesës janë përshkruar edhe si “praktika e profetëve”.

Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Martesa është pjesë e praktikës sime jetësore dhe kushdo që i largohet praktikës sime jetësore, nuk është prej nesh”.

Në Kuran, martesa është përshkruar si një “marrëveshje private shumë e përgjegjshme” dhe, që ajo të jetë e vlefshme lypset konsensusi i të dy bashkëshortëve. Kjo nënkupton se martesa është një kontratë shoqërore.

Për të siguruar suksesin e martesës si dhe themele të shëndosha në familje, element i rëndësishëm është praktikimi i fesë nga të dy bashkëshortët.

Institucioni familjar luan një rol mjaft të rëndësishëm në shoqërinë Islame. Familja është njësia themelore e kësaj shoqërie dhe organizohet në mënyrë të atillë që të mund të përqaset me një shoqëri në miniaturë. Familja Islame është një familje e madhe. Në familjen Islame ka një barazi gjinore, e cila është e përcaktuar në Kuran nga vetë krijuesi i gjithësisë, sepse si mashkulli ashtu edhe femra marrin pjesë në mënyrë të barabartë në institucionin familjar.

Misioni i gruas është të përqendrojë energjitë dhe aktivitetin e saj në qeverisjen e shtëpisë dhe të familjes. Normalisht, gruaja ka përgjegjësi të caktuara shoqërore, të drejta dhe detyra, por detyra e saj kryesore dhe parësore është t’i përkushtohet familjes.

Funksionet dhe qëllimet e familjes

Familja nuk është një fabrikë për prodhimin e njerëzve, por një mekanizëm që siguron stabilitetin social, ideologjik dhe kulturor të shoqërisë.

Ruajtja e llojit është një ndër qëllimet dhe funksionet e familjes, ku Allahu (xh.sh.) thotë: “Gratë tuaja për ju janë një fushë (që ju nuk duhet ta lini pas dore, por duhet ta trajtoni me dashuri, me shumë kujdes dhe përkushtim) kështu hyni në fushën tuaj si të dëshironi dhe kujdesuni për frutat qe do të dalin.”

Ruajtja e moralit është qëllim dhe funksion i rëndësishëm i familjes. Në lidhje me këtë çështje Allahu (xh.sh.) thotë: “Martesa është si një fortesë që e mbron njeriun nga një jetë e çrregullt.”

Një qëllim tjetër i familjes është që të sigurojë ekuilibër psikologjik dhe mbështetje shpirtërore. Raporti midis pjesëtarëve të familjes dhe në veçanti midis çiftit nuk është thjesht një raport utilitar. Ky raport ka karakter shpirtëror dhe prej tij buron dashuri, mirësjellje, mirëkuptim, mbështetje, besim reciprok, sakrificë, përkrahje dhe ndihmë. Allahu (xh.sh.) thotë: “Ai krijoi për ju bashkëshortë nga lloji juaj ku ju të gjeni prehje dhe vuri midis jush dashuri dhe mëshirë.”

Edhe edukimi shoqëror është një prej qëllimeve dhe funksioneve të familjes. Asnjë institucion tjetër nuk është në gjendje ta kryejë siç duhet këtë funksion, përveç familjes. Allahu (xh.sh.) thotë: “Zoti ynë, bëj që gratë dhe fëmijët tanë të jenë burim kënaqësie për sytë tanë dhe bëje hijeshinë të zërë vendin e parë në praktikimin e drejtësisë.”

Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Nga gjithë ajo që një prind mund t’i japë të birit, më e vlefshmja është një edukatë e mirë dhe përgatitja për jetën.”

– Institucioni familjar është një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit Islam të sigurimit shoqëror dhe ekonomik. Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Kur Zoti ta jep mirëqenien ekonomike shpenzo fillimisht për veten dhe familjen tënde.”

– Familja është motiv për përpjekje dhe sakrifica, si dhe ndikon pozitivisht në progresin shoqëror. Nëse institucioni i familjes dobësohet ose shkatërrohet, gjithë e ardhmja e njerëzimit do të jetë në rrezik të madh. Rolin kryesor për një familje të shëndetshme e luan gruaja.

– Familja është një botë e tërë dhe përfshin zhvillimin e një kompleksi aktivitetesh intelektuale fizike dhe organizative. Gruaja e drejton dhe e mban atë me përgjegjësi dhe autoritet. Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Kush edukon një grua ka edukuar një shoqëri.”

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply