Falja e namazit ulur, në tokë apo në karrige

Namazi është obligim (farz) dhe është një nga shtyllat esenciale të Islamit. Në kryerjen e këtij obligimi islam, përveç esencës rol të rëndësishëm ka edhe forma e kryerjes së tij. Disa nga format e kryerjes së këtij obligimi kanë rolin e kushtit, e disa prej tyre kanë rolin e ruknit (farzit), e që nënkupton se mos plotësimi, apo mos kryerja e njërit prej kushteve dhe rukneve të namazit shkakton pavlefshmërinë e namazit.

Nga vetë fakti se namazi është obligim nga i cili besimtari islam nuk lirohet në asnjë moment, e edhe atëherë kur është i sëmurë, jep të kuptojmë vlerën e namazit. Në anën tjetër, Islami nuk është fe e vështirësisë, por fe e lehtësimit, Allahu xh.sh. në Kur’nin fisnik thotë: “nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi,” Haxh:78.

Kur shfrytëzojmë literaturën e fikut Islam, më konkretisht dispozitat e namazit në secilën libër gjejmë edhe nëntitullin ku flet edhe për namazin e të sëmurit dhe dispozitat e atij namazi. Nga kjo nënkuptojmë se adhurimet (ibadetet) sipas islamit janë të ligjësuara në formën e vet, kurse mënyra e zbatimit të atij adhurimi është e lidhur ngushtë me mundësinë fizike të kryerjes së atij adhurimi. Në Sahihin e Imam Buhariut gjejmë hadithin e transmetuar nga Imran Ibni Husajni i cili thotë:Unë isha i sëmurë nga majasëlli, dhe e pyeta të dërguarin e Allahut s.a.v.s. për faljen e namazit, e ai më tha: “Falu në këmbë, e nëse nuk ke mundësi të falesh në këmbë, falu ulur, e nëse nuk ke mundësi as ulur, atëherë falu në krahë” Buhari, kurse në një transmetim tjetër te Nesaiju qëndron:”dhe nëse nuk mundesh, falu i shtrirë në shpinë”.

Dispozita që ndërlidhen me namazin ulur në tokë, apo në karrige

Nga hadithi që e theksuam më parë, dijetarët islam (fukahatë) kanë përfituar dispozita islame rreth faljes së namazit. Ajo që fillimisht bie në sy nga argumentueshmëria e hadithin është fakti se falja e namazit jashtë formës së saj thelbësore, në shprehje vetëm atëherë kur njeriu është i pa mundur të falë ashtu si është ligjësuar. Prandaj duhet pasur kujdes, se nëse njeriu ka mundësi të falë namazin në këmbë, por për shkak të ndonjë lodhje apo shqetësimi të lehtë i jep vetes arsye që të falet ulur, namazi i tij është i pa vlefshëm. Pejgamberi a.s. në hadithin e lartpërmendur thotë, “nëse nuk ke mundësi të falesh në këmbë, atëherë falu ulur”, pra bëhet fjalë pamundësia reale për të qëndruar në këmbë, për shkak të ndonjë sëmundje që gjatë qëndrimit në këmbë shkakton dhimbje të pa durueshme, ose kur qëndrimi në këmbë shkakton mos shërim apo prolongim të shërimit nga sëmundja. Vlerësohet kështu ngase ekziston konsensus mes dijetarëve islamë se, personi i cili ka mundësi të falet në këmbë, bëhet fjalë për namazet farze, por falet ulur, namazi i tij është i prishur.

Në anën tjetër, nëse falësi i namazit falet ulur, për arsye sëmundjeje që nuk i lejon qëndrimin në këmbë, atij sevapet nuk i pakësohen, por i ka të njëjtat sikur të ishte falur në këmbë, ngase për këtë ai ka arsye. Në sahihin e Buhariut transmeton ebu Buredete i cili thotë: vazhdimisht e kam dëgjuar Ebu Musen duke thënë:I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte: “Nëse sëmuret robi ose shkon në udhëtim, atij i regjistrohen sevape të asaj që bënte kur ishte i shëndoshë dhe kur ishte mukim”.

Namazi ulur në tokë, më me përparësi se në karrige

Nëse me kujdes i analizojmë argumentet autentike që trajtojnë këtë tematikë, vërejmë se porosia islame është që ai i cili nuk ka mundësi të falet në këmbë, duhet të falet ulur në tokë, prandaj, ai i cili ka mundësi të falet ulur në tokë, më përparësi ka që të falet ulur se sa të falet në karrige. E nëse nuk mundet që qëndrojë edhe ulur në tokë, atëherë falet në karrige. Të gjitha transmetimet favorizojnë këtë formë të namazit, dhe nuk kemi asnjë të dhënë se Pejgamberi a.s. është falur apo ka porositur dikë që të falet ulur në karrige, edhe pse këto elemente kanë ekzistuar edhe në kohën e tij. Një arsye tjetër që është mjaft domethënëse për dhënien përparësi të faljes ulur në tokë e jo në karrige, është edhe vetë fakti se karriget detyrimisht nëpër xhami po shkaktojnë prishje të rendit, prishje të safëve, për dallim nga falja e namazit ulur në tokë.

Me gjithat, çdo veprim në namaz që është rukn-farz, e që ka mundësi të plotësohet, detyrimisht duhet të plotësohet, e ajo që nuk ka mundësi të plotësohet, shkarkohet nga obligimi, p.sh. dikush ka mundësi të qëndrojë në këmbë, por nuk ka mundësi të bëjë rukin apo sexhden, dikush nuk ka mundësi të qëndrojë në këmbë por ka mundësi të bëjë sexhden etj. Prandaj farz që mund ta plotësoj, detyrimisht duhet plotësuar. Prandaj nëse namazliu nuk ka mundësi të qëndrojë të qëndrojë në këmbë dhe falet ulur në tokë apo karrige, ulja e tij nuk është arsye që ai të bëjë sexhden nëse ka mundësi ta bëjë atë, sepse në të kundërtën prishet namazi i tij.

Personi i cili falet ulur dhe nuk ka mundësi të bëjë rukuin dhe sexhden, ato i bënë me sinjalizim duke e ulur kokën edhe në ruku edhe në sexhde, por në rastin kur sinjalizon sexhden kokën duhet ulur më shumë se në ruku. Është sunet që duart ti mbajë te gjunjët kur të sinjalizojë rukuin, e kur të sinjalizojë sexhden nëse ka mundësi i lëshon në tokë, e nëse jo, atëherë i mbanë të venduara mbi gjunjë. Në rastin kur falësi falet ulur në tokë apo në karrige, nuk ka nevojë që para vete të vendojë diçka për të bërë sexhden në të.

Ata që e falin namazin ulur në karrige quhet pasur kujdes që të mos bëjnë huxhum që të falën menjëherë pas imamit, sepse shkaktojnë çrregullime, por le të falen ose skajeve të xhamisë ose në safin e fundit. Gjithashtu duhet pasur kujdes dhe vëmendje në ruajtjen e safit që karriga e tyre të mos pengojë ata që falen në safin pas tyre. Ata me karrike nuk guxojnë të zënë vend më shumë se sa zënë vend me trupin e tyre.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply