Islamisitikë

Esenca e besimit është në dorëzimin dhe kënaqësinë e plotë

205views

Nuk është besimtar vetëm ai që e kryen atë që është e urdhëruar apo shmanget nga ajo që është e ndaluar.
Besimtar me besim të plotë është ai i cili, në zemrën e tij nuk ka asnjë gram kundërshtim, dhe i cili nuk u dorëzohet vesveseve të cilat i servohen.

Sa herë që i rriten problemet dhe sprovat, rritet edhe imani dhe përkushtimi i tij ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Ai i lutet Allahut, por nuk i sheh gjurmët e lutjes së tij! Përkundër kësaj, gjendja e tij nuk ndryshon, sepse ai është i vetëdijshëm se është vetëm rob dhe ka një Sundimtar që vepron sipas vullnetit të Tij.

Nëse në zemrën e tij paraqitet antipati ndaj dispozitës së Allahut, atëherë njeriu i tillë nga shkalla e robërimit zbret në shkallën e debatit, ashtu siç bëri Iblisi.

Imani i fuqishëm i tregon frytet e tij në momentet e sprovave të ashpra.

Duke shikuar në shembullin e pejgamberit Jahja bin Zekerija (a.s.), se si u mposht nga një mëkatar zullumqar, i cili urdhëroi mbytjen e tij dhe e theren, tek dikush në shpirtin e tij mund të shfaqet mendimi: “Pse nuk e ka mbrojtur Ai i cili e ka dërguar si pejgamber?” E njëjta gjë është edhe me pejgamberët e tjerë, të cilët ishin viktima të zullumqarëve. Nëse njeriu vetëm mendon se Allahu nuk mund ta mbronte të dërguarin e Tij, kjo do të ishte kufër (mosbesim)!

Nëse njeriu e di se Allahu ishte në gjendje ta ndalte padrejtësinë nga pejgamberi, por megjithatë nuk e bëri, se lejoi që muslimanët të ndjejnë uri, e jobesimtarët të jenë të ngopur, që muslimanët të sëmuren, e jobesimtarët të jenë të shëndetshëm, atëherë nuk i mbetët tjetër, pos të dorëzohet plotësisht në caktimin e Zotit të tij, edhe pse në atë moment ndjen dhimbje dhe digjet.

Jusufi, biri i Jakubit (a.s.) shkoi, kurse pas tij mbeti babai i cili qau për të 80 vjet, pa e humbur shpresën. Kur e humbi edhe djalin tjetër, ai tha: Ndoshta Allahu do të mi kthejë të dy së bashku.

Musai (a.s.) bëri lutje kundër Faraonit, të cilit Allahu i Plotfuqishëm ia pranoi lutjen pas 40 vjetëve.

Pejgamberët u vranë, kurse Allahu nuk e ndali këtë me fuqinë e Tij. Gjithashtu, në kohën e Faraonit, i kryqëzuan magjistarët dhe ua prenë duart dhe këmbët.

Sa shumë sprova i kanë prekur këta njerëz, por kjo vetëm ua ka rritur përkushtimin dhe kënaqësinë e tyre!

Dhe këtu e kuptojmë kuptimin e vërtetë të fjalës së Allahut të Lartëmadhërishëm: “Allahu është i kënaqur me ta.”

Këtu pasqyrohet forca e imanit, dhe jo në numrin e rekateve!
Hasan el-Basriu ka thënë: “Në mirësi dhe rahati të gjithë njerëzit janë të njëjtë, fytyra e vërtetë shfaqet kur paraqitet sprova.”

Ebu Ferexh Ibn Xhevzi në Sajdul-hatir; IslamBosna.ba;

Përshtati: Miftar Ajdini