Globus

Erdoğan: Turqia nuk ka asnjë problem me shtetasit kurdë

337views

– Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar qarqet që përpiqen t’i përshkruajnë operacionet e forcave turke kundër organizatave terroriste si “operacione kundër kurdëve”, duke thënë se Turqia nuk ka asnjë problem me kurdët, por në shënjestër ka vetëm parandalimin e korridorit terrorist, raporton Anadolu Agency (AA).

“E them haptazi, ne nuk kemi asnjë problem me shtetasit tanë kurdë dhe kjo çështje nuk ka të bëjë me korridor kurd, por me shkatërrimin e korridorit terrorist”, tha Erdoğan në një ceremoni të ndarjes së çmimeve të Odës Industriale në Ankara.

Të shtunën, Turqia nisi Operacionin Dega e Ullirit për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.

Presidenti i Turqisë tha se Turqia nuk synon territoret siriane dhe se operacioni në Afrin do të përfundojë sapo të arrihen objektivat e tij.

“Turqia nuk ka synim në territoret e një vendi tjetër. Operacioni në Afrin do të përfundojë kur synimet e tij të përmbushen, sikurse Operacioni Mburoja e Eufratit”, tha Erdoğan, duke iu referuar operacionit të suksesshëm ndërkufitar që përfundoi marsin e kaluar.

Ai gjithashtu kritikoi Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili i ka bërë thirrje Turqisë të kufizojë shtrirjen dhe kohëzgjatjen e operacionit.

“Unë i pyes SHBA-të: A caktuat kohëzgjatje kohore në Afganistan, kur do të përfundojë? Ju hytë në Irak para se ne të vinim në pushtet, a mbaroi kohëzgjatja në Irak, ju jeni ende atje”, tha presidenti turk.

“Kur puna të përfundojë, ne nuk kemi dëshirë të qëndrojmë atje, ne dimë se si të tërhiqemi. Ne gjithashtu nuk kemi ndërmend të marrim leje nga dikush për këtë”, tha Erdoğan.

Erdoğan theksoi se ata që kritikojnë Turqinë për operacionin e saj në Afrin “nuk shqetësohen për të ardhmen e sirianëve apo zgjidhjen për problemet e sirianëve”.

“Së shpejti do të shihet se si populli kurd, arab dhe turkmen do të na falënderojnë kur të eliminohet shtypja e grupeve terroriste”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Ndryshe, Operacioni Dega e Ullirit në Afrin të Sirisë synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit, si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.

Sipas shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

Ushtria gjithashtu ka thënë se “rëndësi të madhe” është duke u dhënë të mos dëmtohet asnjë civil.

Afrini ka qenë strehë e madhe për organizatën terroriste PYD/PKK që nga korriku i vitit 2012, kur regjimi i Asadit në Siri ia la qytetin organizatës terroriste pa luftë.