Globus

Erdogan: Qendra e Afrinit është marrë plotësisht nën kontroll

307views

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot njoftoi se qendra e qytetit të Afrinit është marrë nën kontroll të plotë në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dëshiroj të ndaj një lajm të mirë. Që nga ora 08:30 qendra e Afrinit është marrë plotësisht nën kontroll nga anëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) të mbështetura nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK)”, tha Erdoğan në një ceremoni të përkujtimit të 103-vjetorit të Betejës së Çanakalasë.

“Shumica e terroistëve janë larguar. Nga to kanë ngelur vetëm mbetjet e tyre dhe kurthet e tyre të cilat po pastrohen nga njësitë tona speciale dhe anëtarët e ULS-së. Tashmë në qendrën e qytetit të Afrinit valëviten simbolet e qetësisë dhe sigurisë dhe jo leckat e organizatës terroriste. Aktualisht atje valëviten flamujt turq dhe të Ushtrisë së Lirë Siriane. Lëvdatat i përkasin Allahut i cili na e mundësoi këtë ditë. I falënderoj ushtarët tanë heronj. Shpreh falënderimet e mia personale dhe në emër të popullit tim gjithashtu edhe për anëtarët e ULS-së të cilët kanë luftuar me mish e me shpirt. Falënderoj të gjithë ata që kanë ofruar mbështetje për operacionin e Afrinit që nga nga fillimi i tij. Po ashtu, shpreh falënderimet e mia për vëllezërit tanë sirianë të cilët na kanë pritur me lot në sy të gëzuar për ushtarët tanë që i shpëtuan nga persekutimi i terroristëve”, tha presidenti turk.

Erdoğan u shpreh se me këtë operacion, Turqia i ka treguar gjithë botës edhe njëherë se “e drejta është pranë të drejtit dhe të shtypurit”.

Ai gjithashtu theksoi se në Afrin dhe zonat përreth tij do të veprohet njëlloj sikurse është vepruar më parë edhe në Jarabulus, Rai, Al Bab dhe Azez.

“Në Jarabulus u rikthyen 140 mijë njerëz. Ndërsa tani vëllezërit tanë nga Afrini do të rikthehen në Afrin”, tha presidenti Erdoğan, duke shtuar se teksa pastrojnë gjurmët e terrorizmit, në të njëjtën kohë do të ndërmarrin hapa në lidhje me infrastrukturën, në mënyrë që, siç tha ai, rajoni të bëhet një vend i banueshëm.

“Për banorët e rajonit që ende jetojnë në vendin tonë apo në ndonjë vend tjetër, ne do të hedhim të gjitha hapat që ata të rikthehen sa më shpejt dhe të jetojnë në shtëpitë e tyre. Kjo fitore e përbashkët e Turqisë dhe popullit tonë dhe e Sirisë dhe sirianëve është përgjigja më e mirë ndaj atyre të cilët janë përpjekur ta helmojnë vëllazërinë tonë një mijë vjeçare duke futur në mesin tonë si një thikë organizatat terroriste. Uroj edhe një herë që Allahu ta bëjë të dobishme këtë fitore për të dy vendet tona dhe vëllezërit tanë në Afrin”, tha më tej Erdoğan.

Ai tha se Turqia nuk ka ndërmarrë as hapin më të vogël që do të lëndonte civilët.

“Sepse ne nuk kemi shkuar atje për pushtim. Ne kemi shkuar vetëm për eliminimin e grupeve terroriste dhe për të siguruar paqen”, tha ndër të tjera presidenti Erdoğan.