Globus

Erdogan: Ne përpiqemi të shpëtojmë jetën e çdo të pafajshmi

426views

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se po përpiqen të shpëtojnë jetën e çdo të pafajshmi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne pa asnjë parakusht përpiqemi të shpëtojmë jetën e çdo të pafajshmi, teksa njësitë e rojës bregdetare të vendeve evropiane i shpojnë gomonet e refugjatëve në det dhe i braktisin ata në vdekje”, tha Erdoğan gjatë një fjalimi në takimin e grupit të partisë së tij në Parlamentin e Turqisë.

Pasi bëri të ditur se grykat e të gjitha armëve në Afrin janë në drejtim të Turqisë, presidenti Erdoğan tha se: “Korridori terrorist, për të cilin janë bërë përpjekje që të vendoset përgjatë kufijve të vendit tonë, dhe arritja në masë të madhe e një marrëveshjeje me regjimin mund të kenë një objektiv të vetëm dhe ajo është Turqia. Të gjitha fortifikatat, të gjitha kurthet, të gjitha grykat e armëve në vendet që ne kemi marrë nën kontroll në Afrin, fatkeqësisht janë të kthyera në drejtim të vendit tonë”.

Ai më tej kritikoi OKB-në për mosndalimin e masakrës në Gutën Lindore.

“A ka diçka njerëzore dhe humane në atë që po ndodh në Gutën Lindore? Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara merren vendime, por çka vlejnë ato. Çfarë rëndësie ka vendimi i cili nuk zbatohet? Ju po gënjeni, mashtroni njerëzimin. Prandaj edhe e përsëris se bota është më e madhe se pesë anëtarët e përhershëm të KS-OKB-së”, tha Erdoğan.