Erdogan: jo më lojra të “Lawrence”-ëve të Arabisë në rajon

Duke krahasuar ambiciet e Qeverisë Rajonale të Kurdistanit (KRG) në Irakun e veriut me revoltën arabe kundër Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, tha se “Lawrence-ët e ri të Arabisë nuk do të kenë sukses këtë herë”.

“Lëvizja kurde e Irakut për pavarësi do të përfundojë në zhgënjim”, tha Erdogan, duke paralajmëruar se turkmenët janë të shtypur në Irakun verior dhe të drejtat e tyre janë duke u shkelur.

Ai shtoi se nëse kurdët irakenë do t’u shërbejnë interesave të aktorëve të tjerë në rajon, ata nuk do të jenë në gjendje të kërkojnë ndihmë nga Turqia.

Pa përmendur në mënyrë eksplicite këto “interesa”, deklarata e Erdoganit aludoi në valëzimin e flamujve izraelitë gjatë disa festimeve të referendumit në KRG, që u raportua gjerësisht në mediat turke.

Gjatë revoltës arabe në vitin 1916, ushtria britanike dërgoi misionin e saj ushtarak për të ndërlidhur udhëheqjen arabe dhe komandën e lartë britanike në Egjipt, me qëllim që të koordinonte strategjinë kundër autoriteteve osmane. Ky mision përfshinte një të ri britanik, lejtnant T.E. Lawrence, i njohur më mirë si Lawrence i Arabisë.

Ndërkohë, Erdogan gjithashtu kujtoi operacionin e Mburojës së Eufratit në Sirinë veriore, që ka për shënjestër militantët kurdë dhe Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL), i cili filloi në gusht të vitit 2016, duke nënkuptuar se mund të bënte të njëjtën gjë edhe në Irak.

“Nëse ne kemi reaguar (në lidhje me referendumin) kaq ashpër, kjo është sepse ne duam vetëm më të mirën për arabët, turkmenët dhe kurdët”, tha Erdogan. /tesheshi.com/

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply