Globus

Erdogan: inaugurimi i Kishës mesazh i rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar

566views

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një fjalim në lidhje me hapjen e Kishës Ortodokse Bullgare të Shën Stefanit (Kisha e Hekurt) në Stamboll tha: “E vlerësoj si një mesazh shumë të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar realizimin e këtij inaugurimi në një periudhë të tillë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi ka theksuar se “Kujtimet e hidhura të një periudhe të caktuar historike nuk duhet të errësojnë përvojën tonë të bashkëjetesës, e cila është shumë më e gjatë dhe më e rrënjosur”, Erdoğan ka shtuar se “Tek ne qëndron perceptimi i bashkimit në shumëllojshmëri. Kjo në të vërtetë tregon qëndrimin tonë për të gjitha besimet, idetë, pra unitet në shumëllojshmëri”.

Presidenti turk ka shtuar se në 15 vitet e fundit me kontributet e Turqisë, krahas atyre në vend janë kryer restaurime të më shumë se 5 mijë veprave në një pozitë gjeografike të gjerë që përfshin Ballkanin, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Azinë Jugore, Azinë Qendrore dhe Evropën Lindore.

– “Ne nuk veçojmë lirinë e adhurimit”

Pasi ka deklaruar se “Ne nuk e veçojmë nga njëra-tjetra lirinë e adhurimit në (Kishën) e Shën Stefanit (Kisha e Hekurt) të Stambollit nga liria e adhurimit në xhaminë Muradiye në Plovdiv të Bullgarisë”, Erdoğan tha se është një kontribut pozitiv për këtë proces që kryeministri bullgar Boyko Borisov ka ftuar sot në ceremoni edhe kryemyftiun e Bullgarisë, Mustafa Aliş.

“Në kohët e fundit në vendin tonë janë kryer restaurimet e 14 vendadhurimeve në mesin e të cilave ndodhen Sinagoga e Madhe në Edirne, Kisha e Shën Nikollës në Gökçeada, Kisha Katolike Asiriane në İskenderun, Kisha Protestante e Armenisë në Diyarbakır, Kisha Nizip Fevkani në Gaziantep, Kisha Taksiyarhis në Cunda dhe Kisha Aya Yorgi në Edirnekapı”, ka deklaruar Erdoğan.

Ai ka shtuar më tej: “Ne besojmë se është në përgjegjësinë e shteteve për të siguruar që të gjithë mund të adhurojnë lirisht pa marrë parasysh besimet dhe rrënjët e tyre. Në periudhën osmane në territoret aktuale të Bullgarisë janë ndërtuar shumë vepra historike si xhami, hane, hamamë, ura dhe varre. Ne e dimë se veprat historike dhe xhamitë në Bullgari gjithashtu kanë nevojë të restaurohen. Ashtu si në rastin e Kishës së Hekurt, ne mund t’i bëjmë këto vepra së bashku për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët kulturore”.