Globus

Erdogan: I kemi treguar gjithë botës, se Kudsi nuk është i pambrojtur

894views

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një konferencë të përbashkët shtypi të mbajtur me presidentin palestinez, Mahmud Abbas dhe sekretarin e përgjithshëm të OBI-t, Jusuf bin Ahmed El Usejmin, pas Samitit të Jashtëzakonshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) tha se “Besoj se me këtë samit historik, duke filluar nga vendimmarrësit edhe një herë i kemi treguar gjithë botës, se Kudsi nuk është i pambrojtur”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij presidenti Erdoğan ka theksuar se “Nuk mund të bëhet fjalë që Amerika tashmë të bëjë ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Palestinës. Tashmë ky proces ka përfunduar”.

Pasi ka deklaruar se si lider të shteteve dhe qeverive të OBI-t duhet të vazhdojnë në mënyrë të vendosur qëndrimin e mbajtur në këtë samit, Erdoğan është shprehur: “Në këtë pikë qëndrimin tonë e kemi shpallur se ‘Kudsi është vija jonë e kuqe’. Qeveria amerikane bëri të gjitha deklaratat e paligjshme, jo logjike, imorale rreth Kudsit, pavarësisht nga të gjitha kundërshtimet dhe paralajmërimet e bëra. Që nga dita e parë e kemi theksuar se ky vendim është i pavlefshëm si para ndërgjegjes, ligjit ashtu edhe para historisë. Me fjalë të tjera, ky vendim i deklaruar nga Trump nuk ka një vlerë në pikëpamjen tonë”.

Një mesazh historik

“Samiti i sotëm i OBI-t është një mesazh historik për hapin provokues të qeverisë amerikane”, është shprehur Erdoğan, i cili duke theksuar se këmbëngulja në gabim nuk është e dobishme për askënd, tha se “Presim që autoritetet amerikane të tërheqin sa më parë nga ky vendim i gabuar”.

“Fati i Kudsit nuk mund të lihet në duart e një vendi i cili ushqehet nga gjaku dhe zgjeron kufijtë e tij duke vrarë në mënyrë makabre fëmijët, civilët dhe gratë. Tashmë përpara nesh Kudsi është kryeqytet i Palestinës dhe ashtu do të jetë”, ka deklaruar Erdoğan.

Pasi ka njoftuar se bota islame ka konfirmuar edhe njëherë se refuzon deklaratën e qeverisë amerikane, Erdoğan tha “Ne së bashku me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë do të vazhdojmë luftën tonë për Kudsin në bazë të ligjit dhe legjitimitetit derisa qeveria amerikane të tërhiqet nga vendimi i saj i gabuar dhe deri kur të përfundojë okupimi izraelit”.