Globus

Erdogan bën thirrje për rritjen e tregtisë mes vendeve muslimane

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kërkoi të mërkurën nga vendet myslimane që të favorizojnë një sistem preferencial të tregtisë gjatë Sesionit të 33-të Ministror të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC).

“Ne duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë në projektet për rritjen e tregtisë me nesh”, deklaroi Erdogan në fjalën e hapjes së takimit, në Qendrën e Kongreseve të Stambollit (ICC).

“Për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik dhe komercial mes nesh, është esenciale t’u ofrojmë popujve tanë një jetë të begatë siç e meritojnë”, tha ai.

“Pra, ne duhet të gjejmë mënyra për të përdorur me më shumë efikasitet programe të tilla si Organizata e Bashkëpunimit Islam dhe COMCEC-i”, shtoi kreu i shtetit turk.

Detyra jonë – vijoi Erdogan – është të transformojmë hapësirën gjeografike islame në një pellg të rëndësishëm prodhimi, me masa që synojnë nxitjen e progresit ekonomik, teknologjik dhe kulturor.

Pasi tërhoqi vëmendjen mbi mundësitë e krijuara nga popullsia e rëndësishme e botës myslimane dhe nga burimet nëntokësore të saj, Erdogan tha: “Shqetësimi ynë kryesor është të përdorim këto pasuri.”

Si platforma më e lartë ministrore e OIC-së, organizata e dytë më e madhe ndërqeveritare pas Kombeve të Bashkuara, COMCEC-i synon të përmirësojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes vendeve anëtare.

Organizata e ka selinë e saj në Ankara dhe kryesohet nga Presidenti Erdogan.

Ajo është themeluar gjatë Samitit të 3-të Islam në vitin 1981 dhe është funksionalizuar më 1984-n./trt/