Globus

Egjipt: imami i mbijetuar i masakrës, zotohet të kthehet për të përfunduar hutben

Imami i ri egjiptian i cili mbijetoi masakrën e xhamisë në Sinai që vrau 305 njerëz, u zotua të dielën nga shtrati i tij spitalor se do të kthehet në xhami për të vazhduar predikimin që ai kurrë nuk mbaroi.

Mohammed Abdel Fattah, 26 vjeç, po mbante predikimin e së premtes në xhaminë e North Sinai Rawda kur shpërthyen dy bomba.

“Kishte vetëm dy minuta që kisha filluar predikimin, kur dëgjova dy shpërthime jashtë xhamisë dhe pastaj pashë besimtarët që po vraponin në tmerr”, tha ai.

“Pastaj njerëzit hynë në xhami dhe filluan të qëllonin në të gjithë ata që ishin ende në këmbë”, tha predikuesi nga krevati i tij në spital në qytetin e Al-Husayniya të Deltës së Nilit.

Abdel Fattah, i cili është imam për dy vjet tashmë në xhaminë Rawda të frekuentuar nga sufistët, tha se predikimi i tij në atë ditë tragjike kishte për temë “Muhamedin, profetin e njerëzimit”.

Në momentin e sulmit, imami ra nga vendi ku po qëndronte gjatë kohës së predikimit, dhe u shkel nga turma që po përpiqej të ikte nga masakra. Dhe kur ai ra për tokë, njerëzit shkelën mbi të, para se trupat e atyre që u qëlluan nga sulmuesit të bijnë një nga një mbi të, duke e penguar atë që të ngrinte kokën për të parë se çfarë po ndodhte.

“Sapo filluan të shtënat, unë u rrëzova, nuk pashë apo ndjeva asgjë përveç dy ose tre trupave të gjakosur që ranë mbi mua”, tha ai. Midis viktimave të para ishte 62-vjeçari Fathy Ismail, muezin e xhamisë, i cili po thërriste besimtarët për të ardhur në xhami.

Autoritetet thanë se deri në 30 militantë në veshje të maskuar dhe duke valuar flamurin e zi të grupit të Shtetit Islamik rrethuan xhaminë dhe hapën zjarr ndaj besimtarëve gjatë namazit të xhumasë.

Abdel Fattah pësoi plagë, por shëndeti i tij duket se po përmirësohet dhe ai shpreson të kthehet përsëri për të vazhduar predikimin që u ndërpre brutalisht. “Nëse më lejon shëndeti im, do të kthehem të premten e ardhshme (në xhaminë Rawda) dhe të përfundoj predikimin tim”, tha ai. /tesheshi.com/