Egjipt – Arkeologët zbulojnë disa mumje dhe varrin e një argjendari pranë Luksorit

Arkeologët zbuluan varrin e një argjendari, puna e të cilit i kushtohej Amonit, si dhe mumjet e një gruaje me dy fëmijë të saj, njoftoi të shtunën Ministria egjiptiane e Antikitetit.

Këto zbulime, që datojnë që nga koha e Perandorisë së Re (shekulli 16-11 p.e.s.) u bënë në nekropolin e Draa Aboul Naga, pranë Luksorit, i njohur për varret dhe tempujt e vjetër.

“Varri i argjendarit të Amonit, Amenemhat, kishte një statujë të tij të ulur në një karrige përkrah bashkëshortes, që kishte veshur një fustan dhe në kokë kishte paruke”, theksoi Ministria në një komunikatë.

Një portret i djalit të tyre ishte pikturuar mes të dyve.

“Një kalim në varr të çon në një sallë, ku arkeologët kanë zbuluar disa mumje, statuja dhe maska”, saktëson i njëjti burim.

Një tjetër korridor të çon në një sallë, ku ekipi ka gjetur mumjet e një gruaje dhe fëmijëve të saj.

Sipas Ministrisë së Antikitetit, që citon Cherine Ahmed Chawqi, një egjiptolog specialist për kockat, gruaja mendohet se ka vdekur në moshën 50-vjeçare dhe testet tregojnë se ajo vuante nga një sëmundje bakteriale në kocka.

Arkeologët kanë zbuluar gjithashtu 150 statuja funerale të gdhendura në dru, në tokë dhe në gurë gëlqerorë.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply