Personalitete

Ebu ‘ul-Muin Nesefi (rr. 438-508 / rr. 1046-1115)

206views

Shkruan: Dr. Muammer Iskenderoglu

Ebu ‘ul-Muin Mejmun ibn Muhammed lindi në Nesef rreth vitit 438 h./1046 dhe ndërroi jetë në qytetin e njëjtë në vitin 508 h./1115. Ai është një teolog i rëndësishëm në shkollën maturidite të Islamit sunit. Burimet klasike nuk japin informacione rreth jetës së tij. Ne e dimë që ai ka jetuar në Nesef, një qytet që dha një numër të madh dijetarësh. Gjyshi i tij ishte një teolog i famshëm, jurist, dhe sufi, i cili është raportuar të ketë shkruar një numër veprash.

Ndonëse nuk ka informacion rreth jetës së tij, veprat kryesore të Nesefiut na kanë arritur. Në Bahr‘ul-kelam fi ilm‘it-tevhid (Oqean diskutimesh mbi shkencën e monoteizmit), Nesefiu prezanton çështje teologjike klasike në një mënyrë sistematike. Temhid fi kawaid ‘it-tewhid (Hyrje në parimet e monoteizmit) duket se është një përmbledhje e kryeveprës së Nesefiut, Tebsiret ‘ul-edil-leh (përkthimi). Tebsiret ‘ul-edil-leh mund të konsiderohet vepra e dytë më e rëndësishme e shkollës maturidite, e para është Kitab ‘ut-tewhid. Prezantimi i çështjeve nga Nesefiu në këtë vepër është më sistematik dhe stili i tij është më i qasshëm se sa ai i Maturidiut. Mbase ky është shkaku pse Sabuni, një përfaqësues i mëvonshëm i shkollës maturidite, thotë që vepra e Nesefiut ishte burimi i tij kryesor. Në shpjegimet e tij, Nesefiu ndjek për së afërmi qëndrimet e Maturidiut dhe nganjëherë sjell citate drejtpërdrejt nga ai. Ai, po ashtu, jep qëndrimet e armiqve të tij në një mënyrë mjaft objektive.

Në diskutimin e çështjeve, Nesefiu zhvilloi një analizë semantike, një metodë jo e përdorur ose zhvilluar nga pasuesit e tij. Tebsiret ‘ul-edil-leh fillon me teorinë e dijes. Pastaj Nesefiu diskuton problemin e krijimit të botës dhe vazhdon të vërtetojë ekzistencën e Krijuesit të saj. Qenia e Zotit dhe mohimi i qëndrimeve kundërshtuese është tema e radhës. Këtë e ndjek diskutimi i cilësive të Zotit, në veçanti të folurit e Tij (kelam) dhe fuqia krijuese (tekwin). Nesefiu vazhdon të diskutoj pejgamberinë, raportin në mes Zotit dhe njerëzimit, lirinë njerëzore dhe përgjegjësinë, predestinimin dhe definicionin e besimit (iman) dhe përfundon me diskutimin e sundimit. Në diskutimet e tij, trajtimi i Nesefiut ndaj shkollave tjera është shumë i rreptë. Madje edhe esh’aritët nuk konsiderohen nga ai se i takojnë Islamit sunit.

Nesefiu jetoi në një kohë në të cilën teologjia muslimane ishte duke arritur majën, dhe ai i kontribuoi këtij zhvillimi. Një vlerësim i veprave të tij së bashku me ato të Xhuvejnit dhe Gazaliut do të sqarojë dallimet në metodologji, stil dhe kulturë në mes maturidive dhe esh’arive.[1]

Përktheu nga anglishtja: Fatih Ibrahimi

Bibliografia:

Bahr el-Kelam fi ilm el-Tewhid, Kajro: n.p., 1965.

El-Temhid fi Kawa’id el-Tewhid, Dar el-Itiba’at el-Muhammedijje, 1986.

Tebsiret ‘ul-edil-leh, ed. C. Salame, Damas: Institut Français de Damas, 1990.


[1] Burimi: Encyclopedia of Islamic Philosophy, edited by: Oliver Leaman, botimi 2015m, fq. 367

(zeriislam.com)