E dua pa kushte këtë vend..!

E dua këtë vend; tokën e tij, ajrin e tij, nxehtësinë e tij, zhurmën e tij, turmat përherë në rritje drejt tij, ezanin e tij, ikametin e tij, namazin në Haremin e tij, fytyrat e panjohura plot kureshtje në kërkim të paqes para duarve të Ma të Shenjtës e Ma të Nurshmes Xhami, lutjet pa ndërprerje, bamirësinë në gene, vëllazërinë në bebe të syve, durimin dhe heshtjen plot dinjitet, Dritën që veç këtu falet e shpërndahet..!

E dua këtë tokë, që mban në thellësitë e saj sekretet e përkushtimit dhe nënshtrimit ndaj Fjalës së Zotit të gjithësisë, përkthyer në sakrificë sublime nga e shtrenjta familje e Ibrahim Halilit..!
E dua këtë tokë me krejt bukuritë e saj; turmat e panumërta nga mbarë globi, që sa vijnë e rriten nga viti në vit, duke u konvertuar në mesazhe të gjalla shprese dhe optimizmi për botën mbarë..!

E dua këtë tokë me krejt gumëzhitjen e pandërprerë të vizitorëve të saj, që teksa mbushin horizontet me tekbire e përgjërime, përhapin gjithandej impulset e Rimëkëmbjes së pakthyeshme, në çdo cep të botës sonë..!

E dua këtë vend, Zoti i të cilit: “i ushqen nga uria dhe i siguron nga çdo frikë”, për të dëshmuar krejt bota në dilemë, se shpirti i Thirrjes sonë nuk është frika, as shkatërrimi, as urrejtja, as vrasja, as anarshia, as padija, as mungesa e vetëdijes, as mungesa e organizimit, as përhumbja e shitja e dinjitetit..!
E dua këtë vend, prej ku, Ma i Miri i gjithësisë, ndriçoi historinë e njerëzimit dhe të ardhmen e tij, deri në kiamet, me Dritën e Fjalës dhe Urtinë e Shembullit..!

E dua pa kushte këtë vend, që justifikon me çdo detaj të tij, të shtrenjtën dhe të pazëvendësueshmen Dashni..!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, 27 gusht 2017

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply