EtikëIslamisitikë

Dy porosi nga Ramazani që shkoi

1.93Kviews

Hfz. Mehas Alija

“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”. (Ali imran, 8)

Ne e përcollëm një muaj, nga i cili mësuam se pa vetëmohim dhe sakrificë nuk mund të arrish te synimet e larta. Me anë të respektimit të Ramazanit ne i dham kuptim të sotmes, ndërsa për të ardhmen shohim më mirë dhe shpresojmë shumë më shumë.

Porosia e parë

Ai që iu gëzua ramazanit, iu gëzua edhe bajramit; ai që iu bind Zotit në fillim të ramazanit, iu bind Atij edhe sot në Bajram, ashtu siç na bashkoi në familje sofra e syfirit dhe e iftarit, na bashkoi sofra dhe gëzimi i Bajramit, ashtu siç na bëri bashkë teravia në xhami, në bajram u bashkuam edhe më fortë. Mu ashtu siç na bashkoi gëzimi i sadakasë dhe i Fitrit në Ramazan, në Bajram na bashkoi urimi dhe gëzimi i zemrave të besimtarëve.

Dijeni, se pasha Allahun xh.sh., nëse në këtë bajram e keni gëzuar një zemër njeriu, e keni gëzuar edhe vetë Krijuesin e asaj zemre, Allahun Fuqiplotë. A nuk ka thënë Muhammedi a.s., se Zoti nuk ka vend që mund ta përfshijë Atë, dhe se vendi i Zotit është zemra e njeriut.

Sa të bukura janë këto vargje të poetit të shquar, Sejjid Ahmed Jeseviut, i cili në një poezi të tij, thotë:

“Kur të shohësh zemër të plagosur, melhem bëju ti
të mjerit që ka mbetur në rrugë, shok bëju ti
Në qofsh i mençur, kërko një zemër të vetmuar
Si Muhammedi a.s., shëtite vendin dhe gjeje jetimin e harruar…”

Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s. në një rast pati thënë: “Veprimi më i dashur për Zotin, pas kryerjes së farzeve, është kur një musliman e gëzon vëllanë e vet.” (Hadith: Sujutiu, Xhamiul sagir)

Në këtë kohë të pakohë, të pashoqe më parë, njerëzit me të madhe vuajnë nga pasojat e vetmisë dhe të dëshpërimit, duke qenë shumë pak të gëzuar dhe pak të relaksuar në jetë. Nga ana tjetër, nuk mund të mendohet që besimtari musliman të jetojë si i huaj midis familjes së vet, midis shoqërisë dhe rrethit ku jeton. Ai nuk mund t’ua kthejë shpinën të afërmvë, prindërve, miqve, shokëve dhe vëllezërve të vet.

Ja pra, të gjithë këtë na e mësoi shkolla e madhe e Ramazanit dhe po na e mëson edhe kjo ditë e madhe feste e Bajramit. Gëzoju pra, o musliman, se sot çdo gjë që është midis tokës dhe qiejve, i gëzohet bindjes tënde në Zotin e botëve.

Porosia e dytë

Sot është bërë shumë vështirë të bëhesh dhe të jetosh i devotshëm. Nëse ju kujtohet, kur kemi lexuar ajetin e agjërimit në fillim të Ramazanit, Allahu xh.sh. në fund të tij na thotë se ju do të agjëroni, me qëllim që ju të arrini takvanë (devotshmërinë). Devotshmëria është rezultat i adhurimit dhe përkushtimit. Ta ruash takvallëkun sot, në këto ditë, është krenari dhe përgjegjësi e madhe, por edhe shumë vështirë.

Një njeri i urtë dhe vërtetë i devotshëm, që për çdo ditë e përjetonte rrezikun e humbjes së takvasë prej sprovave dhe provimeve të ditës dhe jetës, i tha një sufiu tjetër i cili jetonte maleve dhe katudeve: Ju që jetoni në mal, pra në periferi, takvaja juaj nuk vlen asgjë. Takavaja e vërtetë është të jetosh midis qytetit, ku bëhen tregëtitë dhe pazaret, aty fitnet dhe sprovat të vijnë njëra pas tjetrës, aty duhet provuar vetveten dhe besimin në Allahun xh.sh., mu aty duhet dëshmuar sinqeriteti dhe devotshmëria.

Nëse deri më tani na fliste Ramazani, tani e tutje duhet të na flas takvallëku ynë, ajo takva e cila të bënë të ndjehesh i sigurt në duart e Allahut xh.sh., dhe rahat në prani të njerëzve.

(Mesazhe nga Hytbeja e Bajramit, të mbajtur në musallanë e xhamisë El-Hidaje në St. Gallen, Zvicër)