Etikë

Duaj në emër të allahut, pastaj edhe ty do të dojë allahu

251views

“Unë të dua në emër të Allahut” – fjalë të mëdha, të bukura të cilat aq lehtë dhe pa kujdes shumë njerëz i shqiptojnë.

Nga Ebu Hurejre (r.a.) transmetohet se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e lë në baltë, nuk e gënjen dhe nuk e përçmon atë. Çdo musliman ndaj çdo muslimani e ka të ndaluar nderin, pasurinë dhe gjakun e tij. Devotshmëria është këtu (e tha këtë tri herë, duke bërë me shenjë nga zemra e tij). Është e keqe e mjaftueshme për një musliman që ta përbuzë vëllain e tij musliman.” (Tirmidhiu)

Meqë hadithi i cituar tregon se muslimani muslimanin nuk guxon ta mashtrojë as ta gënjejë, atëherë sipas kësaj, ai nuk guxon as t’i thotë se e do atë në emër të Allahut, nëse kjo nuk është e vërtetë!!! Unë mendoj se shumë muslimanë sot nuk janë të vetëdijshëm për këtë, sepse përndryshe nuk do të kishim kaq shumë fitne mes nesh, dhe kaq shumë të përhapura sëmundje të gjuhës dhe të zemrës, përgojim, shpifje, thashetheme…

Është e qartë se të paktë janë ata njerëz të cilët e njohin kuptimin e vërtetë të dashurisë në emër të Allahut. Ata janë të cilët dashurinë ndaj krijesave të tjera të Allahut, e përdorin për ta arritur dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut të Plotfuqishëm!!!

Receta për arritjen e dashurisë së Allahut, e cila për neve është më e rëndësishmja në raport me gjitha dashuritë e tjera, fshihet në transmetimin i cili e përshkruan një njeri i cili e kishte vizituar vëllain e tij me lidhje të ngushtë, i cili jetonte në një fshat tjetër, të cilit Allahu i Plotfuqishëm ia kishte dërguar një melek në formën e njeriut për ta takuar dhe sprovuar. Kur arriti deri te meleku, meleku e pyeti se ku po shkonte.

Ai i thotë: “Unë po shkoj te vëllai im në atë fshat. “Meleku e pyeti përsëri: “A ke tek ai ndonjë interes?” Ai i thotë: “Jo, vetëm pse e dua në emër të Allahut.”
Thotë meleku: “Mua më ka dërguar Allahu i Plotfuqishëm që të them se Allahu të do ty ashtu siç e do ti vëllanë tënd për Allahun.” (Nga Ebu Hurejre, transmeton Muslimi)
“Ata që duhen në emrin Tim, e meritojnë dashurinë Time.” (hadith kudsij, transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu)

Të dashur vëllezër;

Ky transmetim, njëherit është edhe paralajmërim (vërejtje) edhe lajm i mirë!!!

Paralajmërim për ata që mendojnë se mund të mashtrojnë Allahun e Plotfuqishëm, i Cili e di se çfarë fshehin zemrat tona dhe atë që ne e publikojmë, dhe të cilët duke i mashtruar vëllezërit e tyre me fjalë të buta si: e dashur, i dashur, e shtrenjta ime, i shtrenjti im, motra ime, vëllai im … mund ta mashtrojnë edhe Allahun duke i mashtruar vëllezërit dhe motrat, duke folur fjalë të mëdha, me të cilat e arrijnë njërën nga këto dy gjëra: ose e fitojnë dashurinë e Allahut të Mëshirshëm për shkak të dashurisë së vërtetë ndaj muslimanëve të tjerë, ose e shkaktojnë zemërimin e Allahut për shkak të gënjeshtrës dhe mashtrimit ndaj muslimanëve të tjerë me deklarata, me të cilat e blejnë besimin dhe respektin e njerëzve të tjerë dhe i hapin dyert e shtëpive të tyre dhe ndjenjave më të përzemërta!!!

Në të njëjtën kohë, ky transmetim është lajm i mirë për ata që gjoksin e kanë të hapur dhe të pastër për të gjithë muslimanët dhe të cilët e kanë njohur kuptimin e vërtetë të dashurisë në emër të Allahut, e cila është aq e pastër dhe të fortë, e cila është e pandashme dhe e pakrahasueshme me çdo dashuri të kësaj bote, sepse ajo nuk është rezultat i lidhjes familjare, as i ndonjë përfitimi tjetër material.

Për këtë na informon Pejgamberi (savs), në një hadith të bukur, në të cilin na porosit:

“Nga robërit e Allahut ka njerëz të cilët nuk janë as pejgamberë as shehidë, por do t’i xhelozojnë pejgamberët dhe shehidët në Ditën e Gjykimit për shkak të pozitës (vendit) të tyre tek Allahu i Plotfuqishëm.”
Sahabët pyetën: “Na trego, o Dërguari i Allahut, kush janë ata?”
Pejgamberi (savs) tha: “Këta janë njerëz që e duan njëri-tjetrin në emër të Allahut, ata nuk janë të afërm, as nuk kanë ndonjë përfitim material prej saj. Fytyrat e tyre do të jenë dritë dhe ata do të jenë në dritë. Ata nuk do të jenë të frikësuar, kur njerëzit tjerë kanë frikë, as nuk do të pikëllohen kur të tjerët janë të pikëlluar.”
Pastaj e lexoi ajetin: “A! Me të vërtetë, për të dashurit e Allahut nuk ka frikë as pikëllim.” (Junus 62) / hadithin e transmeton Ibnu-l-Hattabi r.a.)

Të dashur vëllezër;

Allahu i Plotfuqishëm na ofron një vend të mbrojtur në Ditën e Gjykimit kur të gjithë të tjerët janë të pikëlluar dhe të frikësuar, na ofron hijen e Tij, kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij, na ofron dashurinë e përjetshme të Atij, i Cili nuk vdes dhe i Cili nuk lë në baltë, të Atij, i Cili fal dhe shpërblen me bollëk, ndërsa një shumicë ia kthejnë me tradhti e cila manifestohet me armiqësi ndaj robërve të sinqertë të Allahut, duke ju shkaktuar atyre padrejtësi, duke i nënçmuar dhe sulmuar nderin e tyre, pasurinë dhe imanin, pavarësisht nga ajo se Pejgamberi ynë na ka paralajmëruar:

– Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të hyni ju në xhenet derisa te besoni në Allahun, e nuk do të besoni në Allahun derisa ta doni njeri-tjetrin, a dëshironi t’ju tregoj diç që nëse e bëni atë do të duheni? Po, o i Dërguari i Allahut, thanë të pranishmit. Tha: – Jepni selam-përshëndetje njëri-tjetrit. (Muslimi)

– Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i shkakton atij padrejtësi e as nuk ia dorëzon armikut; ai i cili e ndihmon vëllain e tij në nevojë, Allahu do ta ndihmojë atë në vështirësi, kush ia heq një vështirësi muslimanit, për këtë shkak Allahu i Plotfuqishëm do t’ia largojë një vështirësi në Ditën e Gjykimit, ndërsa kush ia fsheh një turp muslimanit, Allahu i Plotfuqishëm do ta fsheh turpin e tij në Ditën e Gjykimit. (Muteffekun alejhi)

Vëllezër të respektuar;

Le të mësojnë t’i duam të gjithë përreth nesh, le të mësojmë t’i përdorim të gjitha krijesat e Allahut si mjete për ta fituar kënaqësinë e Allahut. Le ta duam në emër të Allahut familjen tonë, pastaj do ta kemi më lehtë të përballemi me sprovat të cilat na ndodhin prej tyre, le ta duam bashkëshortin/en në emër të Allahut, pastaj do ta kemi më lehtë dhe me kënaqësi do t’i përmbushim detyrimet dhe obligimet bashkëshortore. Le t’i duam edhe kafshët në emër të Allahut, sepse edhe ato janë krijesa të Allahut, të cilat ndoshta edhe më shumë se ne e falënderojnë dhe i binden Atij …

Le të jemi të mëshirshëm ndaj të gjitha krijesave të Allahut, nëse duam ta meritojmë mëshirën e Allahut ndaj nesh dhe mos të harrojmë se; pa mëshirë ndaj krijesave të tjera, ne nuk kemi të drejtë ta kërkojmë mëshirën e Allahut ndaj nesh. Me urrejtje ndaj krijesave, me zili dhe me padrejtësi ndaj tyre, ne nuk kemi të drejtë ta presim dashurinë e Allahut ndaj nesh.

Mos ta shqiptojmë dashurinë në emër të Allahut aty ku nuk ka, sepse dyfytyrësia është veti e shëmtuar me të cilën nuk mund të fitohet xheneti, por të mësohemi që zemrat tona ta konfirmojnë atë që e flasin gjuhët, dhe atëherë do ta arrijmë mbrojtjen e garantuar të Allahut, kur të gjithë të tjerët do të janë të pambrojtur, do të jemi në mirëqenie dhe të qetë kur të gjithë të tjerët do të jenë të brengosur, do të jemi nën hijen e Tij, kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Allahut. Ky është mesazhi i Atij që i përmbush premtimet e Tij:

Nga Ebu Hurejre (r.a.) transmetohet se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Allahu i Madhëruar në Ditën e Gjykimit do të thotë: “Ku janë ata që janë dashur në emër të Madhërisë Sime? Sot do t’i vendos nën hijen Time, në ditën kur nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç hijes Sime.” (Muslimi).
sebil.eu;

Përshtati: Miftar Ajdini