Hutbe

Disa rregulla rreth xhenazes

1.03Kviews

Xhemat të nderuar,

Çdo bashkësi, ose çdo popull, varroset në mënyrën e vet, sipas asaj se çfarë besimi i takon. Besimi përcakton mënyrën e varrimit. Islami, në thelb, identifikohet me fetë monoteiste të cilat predikojnë besim në jetën e përjetshme pas vdekjes, dhe ndryshon nga ato nga botëkuptimi i tij unik ndaj njeriut dhe jetës e vdekjes së tij.

“I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” (El-Mulk, 1-2)

“Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kiametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues”. (Ali-‘Imran, 185.)

Në gjithë botën islame, me pak përjashtime, ju do të vëreni se vdekja shënohet me të bardhë: qefini është i bardhë, (çarçafi me të cilin mbështillen muslimanët e vdekur). Gurët e varreve gjithashtu janë të bardhë. Nuk ka dyshim, se kjo bardhësi është reflektim i besimit islam, sipas të cilit njeriu nuk vdes, por zhvendoset në një botë tjetër, për muslimanët më e mirë se kjo.

Por paragjykimet e muslimanëve në lidhje me vdekjen dhe varrimin nuk kanë fund!

Të pa arsimuar në fenë e tyre fisnike, e cila njeriut i jep aq shumë forcë të brendshme dhe shpresa të gëzueshme para vdekje së paevitueshme, dhe, e cila e mëson për një qëndrim të mirë, të pastër dhe dinjitoz ndaj të vdekurit, ata në sjelljet rreth varrimit kanë futur jo vetëm elemente joislame, por dhe të pakulturuara si: kërkimi i injeksioneve për qetësim me rastin e vdekjes së ndonjë të afërmi, vajtimi i familjes së të ndjerit, shprehja në mënyrë jo islame e ngushëllimeve, shumë prej tyre nuk dinë, edhe pse dëshirojnë ta falin xhenazen, kurse disa tymosin duhan dhe bisedojnë gjatë përcjelljes së xhenazes; femrat e përcjellin xhenazen, paguhen shuma të jashtëzakonshme për përmendore mbi varre pa shenja islame, etj . Në krahinat tona është bërë zakon, tashmë gati disa dekada, një besim i huaj dhe i shtrembër, gjoja se i vdekuri përgjigjet kur hoxha ‘ia këndon talkinin’ dhe si pasojë e kësaj, talkini, sunet i bukur dhe krejtësisht në frymën islame, të ndërpritet.

Ka ende paragjykime!

Asgjë tjetër nuk mund të pritet nga njerëzit të cilët nuk përgatiten për vdekjen, të cilët në mentalitetin e konsumit tërë jetën e tyre e shtyjnë përgjigjen në pyetjet themelore të jetës, të hamendur mes besimit dhe dyshimit, pa Islam praktik, në konfuzion ideologjik dhe anarki morale! Në qoftë se njeriu përgatitet për udhëtim, ai nuk e ka të vështirë të niset menjëherë, mirëpo, nëse nevoja e udhëtimit i paraqitet papritmas, ai e ka të vështirë ta përballojë!

Tani, gradualisht do t’i shpjegoj rregullat islame rreth vdekjes dhe rreth varrimit.

Kur të shfaqen shenjat se një burri apo gruaje po i afrohet vdekja, të pranishmit duhet të lexojnë kelimei-shehadetin dhe suren Jasin pa u hetuar. (Përndryshe, gjatë sëmundjes së tij, sipas sunetit të Pejgamberit savs, nuk guxojmë të sëmurin ta mërzitim me vizitë të gjatë, me zhurmë, me bisedë të bezdisshme dhe të shëmtuar, me pyetje, me pirje të duhanit, etj)

Muhamedi savs thotë: “Para personit të cilit i afrohet vdekja lexoni La ilahe il-lallah!”; “Lexoni Jasin atyre që vdesin nga mesi juaj.”

Vajtimi për të vdekurin pa ngritur zërin është i lejuar, por është e ndaluar kukatja, bërtitma, etj. Pejgamberi savs ka qarë për djalin e tij Ibrahimin dhe për shokët e tij.

Ai ka thënë:
 “Vërtet, i vdekuri vuan nga vajtimi (me zë të ngritur) i familjes së tij.”;
 “Të vdekurit tuaj përmendni për të mirë, kurse mos ua theksoni të metat e tyre.”;
 “Kush e lanë një të vdekur, e vendos në qefin, e parfumos dhe e përgatit në përgjithësi, ia falë xhenazen dhe nuk i zbulon asgjë nga ajo çka ka parë (gjatë përgatitjes), do të kthehet i pastër nga mëkati, sikur kur e ka lindur nëna e tij.”

Këtu do të theksojmë se sunet është që të përcillet xhenazja, kjo për arsye se njeriun e bën që të mendojë për vdekjen, që ta dijë se edhe ai do të bartet në tabut dhe do të udhëtojë për në botën e përjetshme, ashtu që kujtesa e vdekjes t’ia korrigjojë të gjitha motivet e veprave të tij.

Muhamedi savs më tutje thotë: “Nuk ka asnjë musliman i cili vdes, të cilit ia falin xhenazen 40 veta të cilët nuk i bëjnë shirk Allahut, e që Allahu të mos e pranojë ndërmjetësimin për të.”

Kur përfundonte varrimi i të vdekurit, Pejgamberi savs ngrihej mbi të dhe thoshte: “Lutuni për faljen e mëkateve të vëllait tuaj dhe lutuni që të jetë i qëndrueshëm (në përgjigje të Munkerit dhe Nekirit), sepse tani ai është duke u pyetur.”

Siç e dini, sipas sunetit të Pejgamberit savs, xhenazja bartet para njerëzve. Askush dhe asgjë nuk mund të shkojë para tabutit! Jo vetëm për shkak se njerëzit duhet, në heshtje të mendojnë për vdekjen, por edhe për shkak të respektit islam për trupin e vdekur. Ky trup ka bartur shpirt, ai është krijuar “në formën më të bukur”, për këtë arsye ai para se të mbështillet me qefin, i jepet abdest, lahet dhe sipas mundësisë parfumohet me aromë të mirë. Qefini në të cilin mbështillet simbolizon bardhësinë në Ditën e ngritjes nga varret dhe llogaridhënies, në Ditën e gjykimit.

Vëllezër,

Ju shihni se asgjë në fenë tonë nuk është pa qëllim dhe kuptim. Prandaj Pejgamberi savs është ngritur në këmbë para çifutëve të vdekur. E kemi detyrim sipas sunetit që me përcjelljen e muslimanit ose jomuslimanit të vdekur kur të kalojë xhemati, të shprehim respekt ndaj tij dhe ndaj trupit të tij të krijuar nga Zoti.

Pejgamberi savs ka thënë: “Sapo ta shihni një xhenaze (funeralin), ngrihuni dhe qëndroni në këmbë derisa të kalojë ose derisa ta lëshoni në tokë.”

Gjithashtu ju e dini se gratë sipas Islamit nuk duhet ta përcjellin xhenazen, as mashkull as femër. Kjo nuk është kurrfarë degradimi i grave si qenie të barabarta njerëzore, por e kundërta – mbrojtje e saj. Islami ndalon që varrimi të shndërrohet në vajtime grupore dhe përpiqet që njerëzit në ato momente të dhimbjes të ngelin me mendje të shëndoshë dhe të arsyeshme. Sikur të marrin pjesë gratë në varrim, për shkak të natyrës së tyre, nuk do të mund ta ruanin dinjitetin e tyre. Ekzistojnë, natyrisht, edhe arsye të tjera për këtë ndalim.

“I Dërguari i Allahut, savs i ka mallkuar gratë që vizitojnë varret …”

Ja edhe disa ndalesave dhe rregulla:

“I Dërguari i Allahut, savs ka ndaluar që varri të gëlqerosët, që të ulemi mbi të apo të ndërtohet mbi të.”

“Mos u falni të kthyer kah varret …”

Në lidhje me xhenazen, secili nga ju lehtë mund të mbajë në mend si vijon:

– Falja e namazit të xhenazes është farzi kifaje – dmth. Është detyrim për xhemat; nëse kryhet, nga individi bie obligimi, ndërsa nëse nuk kryhet, të gjithë anëtarët e xhematit janë mëkatarë për këtë;

– Farz është larja e xhenazes, mbështjellja në qefin, falja e namazit të xhenazes dhe varrimi; secili musliman është i detyruar, andaj kërkohet pak përpjekje, të mësohet falja e të gjitha namazeve, por edhe namazi i xhenazes;

– Kushtet për namazin e xhenazes janë të njëjta si edhe te namazet tjera: abdesi i madh dhe i vogël, pastërtia etj. për dallim se te ky namaz janë edhe kushtet e të vdekurit: të jetë musliman, të jetë i pastër (t’i lahet xhenazja, ose në kushte të veçanta me tejemum), të jetë para xhematit apo i lëshuar në tokë (kjo do të ishte më mirë etj.);

– Sunetet e namazit të xhenazes janë: që imami të qëndrojë karshi xhenazes (nëse xhenazja është grua shtatzënë, imami do të qëndrojë kah mesi- nga respekti për të), që pas tekbirit të lexohet subhaneke, pas tekbirit të dytë salavatet, pas tekbirit të tretë duaja dhe pas tekbirit të katërt jepet selam.

Krejt çka është jashtë të përmendurës më shpesh është risi negative.

Ju lutem mos e mistifikoni dhe mos e bëni të shëmtuar fenë të cilës kjo nuk i ka hije. Pas namazit të xhenazes shpërndahuni, në shtëpinë e të ndjerit shkoni për të ndihmuar familjen e tij të pikëlluar, e jo për të ngrënë dhe për të pirë… Edhe ushqim sillni ju për familjen e të ndjerit.

Të vdekurin kujtoni me Fatiha dhe me lexim të Kuranit. Lexoni përkthimin e lutjeve që lexohen në namazin e xhenazes dhe mendoni për kuptimin e tyre.

Shikoni sa i arsyeshëm është varrimi islam, pa asnjë mistifikim. Kur të shprehni ngushëllime mos u puthni dhe mos u lutni për tokën, për fisin, për kokën (shendosh kryet…) e të ngjashme, por përmendni Allahun, nëse jeni muslimanë!

Si i shpreh muslimani ngushëllimet?

Ai që i shpreh ngushëllimet thotë: Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun- “Vërtet ne i përkasim Allahut dhe Atij i kthehemi”!

Ai i cili i pranon ngushëllimet përgjigjet: Innallahe meassabirin – “Allahu është me të durueshmit”!

Hutben po e përmbyllim me këtë ajet:

“O ju që besuat, keni frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali Imran, 102).

Hatib: hfz. Ismet ef. Spahiq; Përshtati: Miftar Ajdini